Aktualitet

​Largimi i konstruksioneve në Pallat të Rinisë, një nga afaristët paralajmëron padi

Aksioni i Inspeksionit të Komunës së Prishtinës u mbështet nga Policia e Kosovës.

Published

on

Inspeksioni i Komunës së Prishtinës mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një aksion në Pallatin e Rinisë për largimin e disa konstruksioneve të vendosura pa leje. Kjo ka nxitur reagimin afaristit Naim Tërnava, i cili ka paralajmëruar edhe padi.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se sot po lirojnë hapësirat e uzurpuara në Pallat me qëllim që ky objekt të kthehet në gjendjen origjinale.

Rama tha se janë në proces të planit të rigjenerimit për gjithë Pallatin e Rinisë.

Kemi një intervenim këtu, çlirimin e hapësirave të cilat kanë qenë të uzurpuara në Pallat të Rinisë dhe kthimin e Pallatit të Rinisë në gjendje origjinale. Siç e dini, Pallati i Rinisë është ikonë arkitektonike e Prishtinës është e mbrojtur me ligj dhe kemi filluar që ta pastrojmë prej këtyre elementeve shtesë në periudha kohore tash e pas luftës. Kemi filluar sot me këtë dhe do ta vazhdojmë pastrimin e gjitha këtyre intervenimeve që nuk janë të mira që janë të jashtëligjshme dhe i bëjnë dëm brendit të Pallatit të Rinisë. Këto janë iniciativat fillestare për kthimin e kësaj ikone në gjendjen e mëparshme”, theksoi ai.

Këtë vendim e ka kundërshtuar ish qiramarrësi dhe pronari i lokalit “Bly Sky”, Naim Tërnava i cili tha se veprimet e sotme janë të jashtëligjshme dhe se nuk kanë pranuar asnjë vendim për aksionin e sotëm.

Derisa paralajmëroi padi për Ramën dhe të tjerët, Tërnava hodhi akuza karshi drejtorit të Pallatit të Rinisë, Ilir Dugollit, për të cilin tha se e ka kriminalizuar këtë objekt.

Siguromani vendimin, na takon një vendim që e keni marrë që keni ardhur për të ndërhyrë. Këtu ka tulla me bllok për ndërhyrje pse nuk i keni ndërmarrë, këtu ka pllaka, këtu ke beton e kulme. Asnjë vendim nuk na është ofruar prej anës së komunës apo Pallatit të Rinisë pa vendim keni ardhur, është e jashtëligjshme dhe për këtë nuk paskeni qenë të informuar. As nuk është uzurpim, është me kërkesë, është me një vendim të drejtorit, është paguar mbi 1 milionë euro qira dhe investime këtu dhe pagesa e shtetit tatim, mbi 15 punëtorë kanë qenë. Ju thatë se është uzurpuar, iu ftoj të kërkoni falje se nuk jemi uzurpatorë dhe nuk kemi qenë asnjëherë, kemi qenë tatimpagues. Të kanë keqinformuar më së pari drejtoi i Pallatit, i cili e ka kriminalizu Pallatin e Rinisë, e ka keqpërdorë Pallatin e Rinisë i cili miliona i ka shkaktuar dëm Pallatit të Rinisë, 2 milionë i ka shkaktim vetëm prej djegies dhe na këtu kemi pas shumë sfida prej keqmenaxhimit të keq që e ka bërë drejtori i pallatit, shihemi në Gjykatë“, u shpreh Tërnava.

E karshi këtyre akuzave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se për këtë aksion kanë përcjell të gjitha procedurat ligjore, kurse paralajmërimi për padi u shpreh se është i mirëseardhur.

Ne i kemi përcjell të gjitha procedurat ligjore kjo faktikisht është hapësirë që nuk është dashur kurrë me u ndërtua në të. Pra çdo gjë është në aspektin ligjor dhe procedura ligjore, kështu që për atë arsye nuk ka ndodh dhe po ndodh tani. Është e mirëseardhur është vend demokratik ka të drejta me bë atë punë dhe mundet por ne iu kemi qasur kësaj pune në mënyrë ligjore”, u shpreh ai.

Kurse, drejtori i Inspeksionit të Prishtinës, Florian Dushi thase kërkesa është që këto hapësira të kthehen në pamjen origjinale.

Ai ka paralajmëruar edhe intervenime të tjera kudo rreth konstruksioneve të jashtëligjshme të Pallatit të Rinisë.

Kryeshefi ekzekutiv i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli shprehu keqardhjen për mllefosjen që ka ndodhur siç u shpreh ai, duke potencuar se intervenimet e tilla ndër vite e kanë deformuar këtë strukturë.

Ai tha se do të bëjnë të pamundurën për ta rikthyer Pallatin e Rinisë në pozicionin siç ka qenë.

Ka që 6 muaj që nuk është më afarist i Pallatit të Rinisë kemi pritur vendimet e Gjykatës që të përfundojnë dhe në bazë të tyre të procedojmë. Pallati i Rinisë pikërisht duke u bazuar në disa veprime të gabuara që në të kaluarën kanë ndodhur është deformuar në tërësi edhe kuptimi i Pallatit të Rinisë, prandaj së bashku me Inspeksionin dhe institucionet përkatëse do ta bëjmë të pamundurën që ta rikthejmë në pozicionin siç ka qenë. Pallati i Rinisë në këtë formë siç ka qenë deri më tani është i shëmtuar”, u shpreh Dugolli.

Aksioni i Inspeksionit të Komunës së Prishtinës u mbështet nga Policia e Kosovës.

Vendi

Kurti bën thirrje për çështjen e presidentit: Të papranueshme zgjedhjet e reja, të gjejmë kompromis

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së parë të Qeverisë së re, u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe deputetëve të Kuvendit që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai e cilësoi si të pafalshme mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje për këtë çështje.

Sipas Kurtit, një dialog i hapur dhe i sinqertë mes palëve mund të çojë në zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai përmendi marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, duke i vënë theksin sfidës me qëndrimet e disa deputetëve të LDK-së që po hezitojnë ta zbatojnë këtë marrëveshje.

“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje sërish për të ardhur prapë në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se gjetja e një kompromisi politik është plotësisht e mundur dhe sjell rezultate, duke marrë si dëshmi konkrete të këtij bashkëpunimi vetë konstituimin e Kuvendit. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

PDK dërgon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit, kërkon masë të menjëhershme të përkohshme

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave dhe vendimeve që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa është dorëzuar fizikisht nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

Përmes këtij hapi, opozita konteston zyrtarisht tri vendime të ditëve të fundit: vendimin e 9 shtatorit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimin procedural të 11 shtatorit lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimin e 13 shtatorit që shpallte të konstituar Legjislaturën XI. PDK kërkon nga Gjykata që t’i vlerësojë këto procese dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve që pretendohet se janë bërë.

Gjatë dorëzimit të lëndës, përfaqësuesit e PDK-së deklaruan se ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur renditjen kushtetuese nga kalkulimet politike. Arian Tahiri theksoi se institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës duhet ta thotë fjalën e vet përfundimtare, ndërsa deputeti Përparim Gruda shtoi se rregullat në Kosovë duhet t’i përcaktojë Kushtetuta dhe jo vullneti i një partie politike.

Krahas kërkesës kryesore, avokati Faton Fetahu bëri me dije se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë menjëherë një masë të përkohshme. Kjo masë synon pezullimin e pasojave të mëtejshme juridike dhe parandalimin e krijimit të fakteve të reja institucionale derisa të merret një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të dërgojë në Kushtetuese edhe një lëndë tjetër të veçantë, e cila ka të bëjë me procesin e formimit të Qeverisë. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Një dron rus godet trenin afër kufirit me Poloninë pasi Boris Johnson kaloi me trenin diplomatik

Published

on

By

Një dron rus ka goditur një tren afër kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, dhe zyrtarë të lartë të sigurisë evropiane kishin kaluar aty pranë.

Nuk është raportuar për viktima pas sulmit në Jahodin, i cili goditi lokomotivën e trenit. Të gjithë pasagjerët ishin evakuuar, njoftuan autoritetet ukrainase.

Johnson dhe këshilltarë të tjerë të sigurisë kombëtare evropiane, përfshirë Jonathan Powell nga Britania e Madhe, kishin kaluar përgjatë të njëjtës linjë me një tren tjetër, gjatë rrugës së tyre të kthimit nga një konferencë në Kiev.

Rusia tha se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore, por kompania shtetërore e hekurudhave të Ukrainës “Ukrzaliznytsia” deklaroi se “ka shumë mundësi që objektiv i këtij droni të ketë qenë treni diplomatik”.

Ish-shefi i CIA-s, David Petraeus, i cili ndodhej në bordin e një treni tjetër në stacionin e Jahodinit në kohën e sulmit, e përshkroi incidentin si “të tmerrshëm”.

Në një intervistë për New York Times, Petraeus tha: “Kjo është vepër e një udhëheqësi me të vërtetë barbar që përpiqet të terrorizojë civilët ukrainas.”

Në një deklaratë, “Ukrzaliznytsia” tha se treni diplomatik “ishte larguar nga stacioni më herët se sa parashikohej për shkak të ndryshimit të orarit… si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme për sulme ruse”.

Ajo gjithashtu tha se urdhri për evakuimin e pasagjerëve në trenin e goditur ishte dhënë “vetëm 15 minuta” përpara sulmit nga një dron rus me djegie me reaksion.

Si autoritetet ukrainase ashtu edhe ato polake konfirmuan se droni rus goditi 2 km larg kufirit me Poloninë.

Ish-Kryeministri suedez, Carl Bildt, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në konferencën në Kiev, tha për BBC-në se pasagjerëve në bordin e trenit të tij iu kërkua të përgatiteshin për evakuim, përpara se më pas t’u lejohej të vazhdonin udhëtimin.

“Në trenin ku ndodhesha unë, morëm urdhër të përgatiteshim për evakuim pasi ai ndaloi. Por pas disa minutash u informuam se rruga ishte e lirë dhe mund të vazhdonim,” tha ai.

Ky tren më pas mbërriti i sigurt në stacionin kufitar të Polonisë në Dorohusk.

Disa raportime kanë aluduar se Bildt ndodhej në të njëjtin tren me Johnson, por ish-kryeministri britanik nuk ka konfirmuar asnjë detaj.

Johnson shkroi në rrjetin social X: “Nuk e di se çfarë logjike e shfrenuar e shtyu Putinin të hidhte në erë një lokomotivë ukrainase të ndalur në kufirin polak këtë mëngjes.”

Ai tha se ky ishte “lloji i sulmit të rëndomtë dhe të pamend që ukrainasit po durojnë çdo ditë – madje edhe në hekurudhat civile” dhe u bëri thirrje aleatëve të Kievit t’u ofrojnë urgjentisht ukrainasve “mbrojtjen ajrore që u nevojitet”. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Qeveria “Kurti 4” merr dritën e gjelbër në Kuvend, opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka votuar formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar atij mandatin e katërt si kryeministër. Kabineti qeveritar “Kurti 4” mbetet i pandryshuar nga përbërja e mëparshme, pasi Kurti deklaroi se nuk do të prezantojë agjendë të re, pasi zgjedhjet e përsëritura thjesht ndërprenë një qeverisje që do të vazhdojë me fokus te mirëqenia dhe siguria e qytetarëve. Qeveria e re mori mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë, përfshirë Nenad Rashiqin, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e bojkotuan votimin, kurse tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër.

Formimit të Qeverisë i parapriu konstituimi i kontestuar i Kuvendit nën drejtimin e Albulena Haxhiut. Pas zgjedhjes së Kujtim Shalës nga LDK-ja, Emilija Rexhepit nga komunitetet joserbe dhe Tanja Vujoviqit nga pakica serbe, Kuvendi u shpall i konstituuar. Megjithatë, procesi u zhvillua pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut dhe e ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendimmarrje. Nëpërmjet deputetit Përparim Gruda, PDK-ja sqaroi se nuk e ka refuzuar të drejtën e saj, por është tërhequr përkohësisht, duke paralajmëruar dërgimin e çështjes së konstituimit dhe formimit të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigje, Kurti u shpreh i gatshëm që LVV-ja ta votojë kandidatin e PDK-së sapo ajo ta propozojë atë.

Sfidë kryesore për stabilitetin politik mbetet zgjedhja e presidentit të ri, për të cilën tashmë ka nisur afati kushtetues prej 60 ditësh. Edhe pse LVV-ja dhe LDK-ja kishin arritur dëgjueshmëri për mbështetjen e kandidatit Bekim Sejdiu, përçarjet e brendshme në LDK, ku gjashtë nga 18 deputetë refuzojnë ta votojnë atë, e bëjnë të pamjaftueshëm numrin prej 62 votash që ka Qeveria.

Përfaqësues të opozitës e shohin këtë situatë si një skenar të kalkuluar që çon vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme rreth datës 27 dhjetor. Kjo periudhë përkon me ardhjen e diasporës, një baze elektorale ku LVV-ja gëzon mbështetje masive, duke e bërë dështimin potencial të zgjedhjes së presidentit një pikë kthese strategjike për të ardhmen politike të vendit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara