Lajmet

​Kuvendi miraton Projekt-kodin e Procedurës Penale

Haxhiu: Qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në vend.

Published

on

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në shqyrtim të parë Porjekt-kodin e Procedurës Penale, i cili parasheh gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, ndërsa trajton edhe suspendimin e zyrtarëve publik në rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në vendin tonë.

“Disa nga ndryshimet që janë më të rëndësishme, më substanciale janë gjykimi në mungesë, është shtuar neni i ri me gjykimin me mungesë i cili përcakton se nëse i pandehuri i cili vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonojë procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjejë një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar. Këtu bëhet një dallim ndërmjet gjykimit në mungesë për veprat tjera, përjashto ato të krimeve të luftës, për faktin se për rastet e krimeve të luftës jo domosdoshmërisht kërkohet që i pandehuri të jetë në seancën e parë apo në seancën fillestare”, tha ajo.

Deputetët me 80 vota e kanë miratuar në shqyrtim të parë edhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë.

“Konsiderohet se do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë, si dhe në mënyrë që të lehtësohet ekzekutimi i kërkesave të parashtruara nga organet gjyqësore të huaja tek organet gjyqësore në Republikën e Kosovës, por edhe anasjelltas. Përveç plotësimit të zbrastësirave të kornizës ligjore ekzistuese për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje civile projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile do të plotësojë në masë të madhe mungesën e anëtarësisë së Republikës së Kosovës në konferencën e Hagës dhe në konventat e saj. Po ashtu pasqyron saktë praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe unifikon procedurat me BE-në”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke punuar për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në konferencën e Hagës.

Miratimin e Kuvendit të Kosovës e ka marrë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, ku për kanë votuar 66 deputetë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i tij është realizimi i objektivave për të përmirësuar qasjen në drejtësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale, lehtësim të procedurave të ekstradimeve për të pasur ekstradime më të shpejta në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe avancimin e legjislacionit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

Vendi

Prishtina voton buxhetin- në 2026, mbi 150 milionë

Published

on

By

Mes diskutimeve të shumta, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2026.

Më 33 vota vota “për”, tetë “kundër” dhe asnjë abstenim ka kaluar propozimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për këtë vit.

Buxheti i paraparë për këtë vit për Komunën e Prishtinës është mbi 151 milionë euro.

Ndërsa, Kryetari Përparim Rama, ende nuk e ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.

Continue Reading

Lajmet

27 vjet nga konferenca e Rambujesë

Published

on

By

Para 27 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./Kosovapress/

Continue Reading

Aktualitet

Presidentja Osmani takon Presidentin e Emirateve, paralajmërohen mbështetje për projekte të reja

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Osmani ka falënderuar Presidentin e Emirateve për lidershipin dhe mbështetjen e treguar për gjithë rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës.

“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtjesorë me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani vlerësoi lartë partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përmendur bashkëpunimin në shumë fusha që kanë ndikuar në zhvillimin e Kosovës.

“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Në këtë takim Osmani shprehet se ka marrë mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore.

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së në Washington, mes liderëve botërorë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington, një ngjarje prestigjioze ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe liderë të lartë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.

Ky manifestim tradicional, i cili organizohet që nga viti 1953, mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore dhe institucionale në SHBA.

Lutjet Nacionale të Mëngjesit mbledhin anëtarë të Kongresit Amerikan, politikanë, liderë ushtarakë, si dhe mysafirë nga mbi njëqind vende të botës.

Pjesëmarrja e Prof. Dr. Edmond Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një moment domethënës për përfaqësimin akademik dhe institucional të Kosovës në një platformë globale me ndikim të veçantë.

Continue Reading

Të kërkuara