Lajmet

​Kurti: Serbia është në panik, duan ta shpallin një president zajednice

Megjithatë, ai u shpreh se kjo është e dëmshme dhe e papranueshme.

Published

on

Pranë pllakës përkujtimorëve të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, kanë bërë homazhe me dhjetëra qytetarë, aktivistë, deputetë e ministra. Pas homazheve, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se para 16 vjetësh, policia e UNMIK-ut ka shkrepur 232 plumba në trupat dhe kokat e qytetarëve. Ai theksoi se me të drejtë kundërshtuan paketën e Ahtisaarit, ku të përfshira kishte komuna të reja mbi baza etnike. Kurti ka folur edhe për asociacionin, për çka theksoi se Serbia dëshiron të shpallë një president zajednice. Megjithatë, ai u shpreh se kjo është e dëmshme dhe e papranueshme.

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar të shtunën e para 16 viteve, duke thënë se në demonstratën e 10 shkurtit kundërshtuan me të drejtë paketën e Ahtisaarit.


“Me të drejtë e kritikuam dhe kundërshtuam paketën e Ahtisaarit, sepse aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodoske, shuarje përfundimtare të trupave mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos e deputetëve për deputetët serbë me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë, me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve. Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan para 16 vjetëve e në ballë të tyre ishte baca Adem, Adem Demaçi në moshën 71 vjecare. 232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situata ku asgjë nuk shihej prej gazit të shumtë lotsjellës. Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë, kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë”, ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti ka përmendur edhe të tjerë aktivistë të cilët u plagosën rëndë në atë demonstratë, ndërkohë që shtoi se konkluzionet e vet UNMIK-ut ishin se vrasjet e dy aktivistëve do të mund të evitoheshin.


“Ish-shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, i shtyllës së drejtësisë atë botë, Robert Din, pati bërë një hetim atë pranverë, nga i cili doli konkluzioni që për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe të Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme edhe të evitueshme. Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar, ndërkaq sekretari i përgjithshëm i organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet ministrisë sonë të Drejtësisë. Një javë para demonstratës tonë u pat publikuar paketa e Ahtisaarit, ndërkaq gjashtë javë pas asaj demonstrate, Ahtisaari e shtoi rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur, si faqe të parë të propozimit të tij”, ka shtuar Kurti pranë pllakës përkujtimore të dy të vrarëve.

Shefi i ekzekutivit ka folur edhe asociacionin, ku deklaroi se Serbia është në panik dhe dëshiron që të shpall një president zajednice.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ja kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj, Beogradi zyrtar me kaq nervoz kërkon asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Boshnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e donë Serbia. Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Tek komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj, Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetar të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka përfunduar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Fahri Balaj, i cili është vëllai i Monit tha se ndjejnë dhimbje e krenari për familjarin e tyre. Ai thotë se presin drejtësi dhe amaneti i dëshmorëve duhet të jetë në ndërgjegjen e secilës qeveri.


“Edhe dhimbje edhe krenaria, dhimbje sepse shtatë vjet pas lufte të vritesh për një të drejtë që mendojmë që është e garantuar, që është e protestës dhe shprehjes së pakënaqësisë, është e dhimbshme. Krenari mendojmë që rrugëtimin për bërjen e shtetit gjithmonë ka sakrifica dhe ne ishim në atë rrugë e sipër. Moni dhe Arbeni kishin zgjedhur këtë rrugë dhe ne si familje e kemi mbështetur dhe i kujtojmë me nder dhe respekt…. Ne mendojmë që mund të vonohet sepse rrethanat janë të këtilla dhe shteti prej nga vijnë policia të cilët kanë shtënë janë të një shteti që nuk na njeh dhe me gjasë janë duke përdorur atë ikje deri më tani dhe drejtësia do të ngadhënjejë…Amaneti i dëshmorëve duhet të jetë në ndërgjegjen e secilës qeveri që vie sepse sa të ketë shqiptarë, në vazhdimësi duhet të punohet që të jetësohet amaneti i dëshmorëve”, ka thënë ai para gazetarëve.

16 vjet më parë, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut.

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara