Lajmet
Kurti: Putini luan me lëkurën e Kosovës, kështu Serbia dëshiron të minojë Ballkanin
Kurti mes tjerash ka thënë se mund të ketë marrëveshje me Vuçiqin nëse ai e njeh shtetin tonë.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën dhënë gazetës italiane “ La stampa’, ka thënë se Beogradi ka një pakt me Moskën, BE-ja duhet të ndërhyjë, kufiri mes NATO-s dhe Rusisë kalon edhe përmes nesh. Duhen më shumë ushtarë, mirë nëse italianë.
Kurti mes tjerash ka thënë se mund të ketë marrëveshje me Vuçiqin nëse ai e njeh shtetin tonë. Me pakicën serbe aplikojmë të drejtat Kushtetute, ka thënë ai.
Barrikadat në veri të vendit u infiltruan nga elementë pro-rusë, nga Night Wolves deri te mercenarët Wagner
Beogradi dëshiron të krijojë Rusinë e vogël në rajon, Evropa nuk mund të jetë neutrale për vetë sigurinë e saj
Intervista e plotë:
Nga Ukraina në Kosovë, “Armiku është i njëjti: Putin. Serbia ka marrëveshje me Kremlinin për të destabilizuar Rajonin. Kufiri mes NATO-s dhe Rusisë është edhe këtu, në Ballkan”. Kryeministri kosovar, Albin Kurti, më 15 Dhjetor ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE. Sot merr frymë, pas javësh tensionesh dhe përplasjesh në veri të vendit, me minoritetin serb që ngriti barrikada. Kujtimi i luftës (1998-99) është shumë afër, dhe shumë i dhimbshëm, për të menduar për një konflikt të ri. Armiqësitë në këtë plan duket se vetëm janë shtyrë për ca më vonë, para zgjedhjeve të prillit. Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është më larg se kurrë. Sipas Kurtit, sepse Beogradi e kundërshton. Si një lloj dere rrotulluese nga e cila Moska dëshiron të kërcënojë indirekt edhe BE-në.
Kryeministri Kurti, vendi juaj, më i riu i lindur në Evropë, 15 vite më parë, po përjeton muaj të rrezikshëm për stabilitetin e tij. Si planifikoni të parandaloni një përshkallëzim?
“Vendi ynë ka pasur një vit të mbarë. Ne jemi dëshmia se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah, me rritje 4%, eksporte +23, investime të huaja direkte +47. Jemi përmirësuar me 17 pozicione në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, e njëjta gjë për lirinë e shtypit. Jemi në vendin e parë në Ballkan Perëndimor për shtetin e së drejtës. Por marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normale dhe ne duhet t’i normalizojmë”.
Por një marrëveshje midis jush dhe presidentit serb Vuçiq duket e pamundur. Ju jeni në një debat me pyetje dhe përgjigje të ashpër. Deri në çfarë pike jeni të gatshëm të shkoni për paqen në vendin tuaj?
“Normalizimi i marrëdhënieve duhet të ketë në thelb njohjen reciproke. Serbia duhet ta njohë Kosovën. Besoj se propozimi i BE-së i shtatorit të kaluar mund të shërbejë si një bazë e mirë për diskutimet e mëtejshme drejt këtij qëllimi demokratik. Duhet të bëhet një presion ndërkombëtar”.
Gjithashtu edhe nga ana juaj pra, duhet të ketë një hap drejt Beogradit. I dërguari i SHBA-së në Prishtinë, Derek Chollet, ju ka tërhequr vëmendjen, duke ju kujtuar të respektoni marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave Veriore në shumicë serbe. A do ta bëni?
“Paraardhësit e mi kanë lidhur 33 marrëveshje në dhjetë vjet, në bisedime në Bruksel. Njëra prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. E vetmja marrëveshje që dështoi në testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, ne gjendemi në këtë vështirësi. Mendoj se Kosova garanton nivelin më të lartë të të drejtave të pakicave. Sidomos për minoritetin serb. Shteti ynë është i përbërë nga 93% shqiptarë, gati 5% serbë, pjesa tjetër janë boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, turq dhe goranë. Ne zbatojmë në mënyrë të njëanshme parimet e Kushtetutës sonë të shkruara nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari në periudhën para Shpalljes së Pavarësisë. Bëhet fjalë për standardet më të larta evropiane. Një asociacion etnik i komunave bie ndesh me frymën e Kushtetutës sonë”.
Beogradi flet për diskriminim serioz ndaj popullatës së tij. A ka ndonjë të vërtetë?
“Beogradi insiston në këtë pikë sepse ai nuk dëshiron të ketë një marrëveshje. Nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në 1999. Në realitet, ajo që duhet është që Serbia të njohë krimet e saj në historinë e saj të vonë, të distancohet nga e kaluara e saj, Millosheviqi, dhe nga e tashmja e saj, Putini. Për sa më takon, si kryeministër, unë jam këtu për nevojat e qytetarëve serbë. Kosova duhet të jetë një shoqëri multietnike dhe sovrane. Mendoj se është koha për të gjetur një dialog me Serbinë. Por nga propozimet e BE-së, të refuzuara nga Beogradi më 27 tetorin e kaluar, ata duan të nxjerrin vetëm atë që i përshtatet”.
Çfarë roli po luan Rusia në Ballkan?
“Kosova është obsesioni i Putinit. Vuçiqi, në vitet 1990, kishte si slogan “Serbia e Madhe”, ndërsa tani e ka ndryshuar në “Bota Serbe”, imitim i shprehjes ruse Russkiy Mir. Beogradi është regjimi klientelist më i afërt dhe më i fortë me Kremlinin. Serbia dëshiron sërish Serbinë e Madhe, dëshiron Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, dëshiron të transformojë Malin e Zi në Ukrainë dhe dëshiron të na e marrë veriun e Kosovës. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave nuk bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, por për territorializimin e të drejtave. Një mentalitet i ngjashëm me atë të presidentit despotik Putin”.
Vuçiq, megjithatë, po demonstron me deklarata se dëshiron të distancohet nga Moska. A po luan një lojë të dyfishtë, sipas jush?
“Serbia ka bërë një zgjedhje. Ka nënshkruar tre marrëveshje të mëdha me Rusinë: në maj, për gazin me çmimin më të lirë, në shtator, me marrëveshjen midis ish-ministrit të Punëve të Jashtme Selakoviq dhe ministrit rus Lavrov në Nju Jork për të sinkronizuar politikën e jashtme. Së fundmi, politikani serb më pro-rus, Aleksandar Vulin, ish-nënkryetar i partisë së udhëhequr nga gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq, tani është shefi i inteligjencës së Serbisë. Ka nga ata që nuk duan të shohin, kjo është shumë e qartë për mua”.
A mendoni se BE-ja po bën mjaftueshëm për të shmangur një prani ruse në Ballkan?
“BE duhet të jetë më e qartë dhe më e vendosur. Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, nuk dënoi agresionin ukrainas dhe Kisha Ortodokse Serbe është në të njëjtën linjë me Kirillin. Prandaj mendoj se BE-ja duhet të jetë e guximshme. T’i thotë të vërtetën Beogradit dhe të veprojë në bazë të rrjedhojave. BE-ja nuk duhet të jetë neutrale ndaj një shteti që nuk është neutral ndaj Rusisë”.
Cilat janë rreziqet?
“Rreziku konkret është se 48 baza operative janë të vendosura rreth kufirit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe dhe xhandarmërisë, më pak se 5 kilometra larg nesh. Aty qarkullojnë Night Wolves rusë (banda me motoçiklistë shumë afër Putinit shën. red.), dhe gjithashtu mercenarë dhe paraushtarakë Wagner. Ka foto me stemat e tyre. Ata ishin të pranishëm edhe në barrikadat në veri. Ato 16 barrikada ishin barrikada të Wagnerit”.
Keni frikë se veriu i Kosovës do të kthehet në Krimenë tuaj?
“Mendoj se Serbia dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkan, ku Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë Bjellorusia e vogël, dhe Mali i Zi do të bëhet Ukrainë. Për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri, si p.sh në Moldavi. Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”.
Çfarë prisni nga NATO?
“Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë kufiri midis NATO-s dhe Rusisë. Mendoj se nevojitet më shumë mbështetje nga NATO me më shumë ushtarë, përfshirë edhe italianë, në Kosovë dhe mbështetje për ushtrinë tonë”.
Çfarë prisni nga Italia?
“Italia është fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor. Është partner dhe aleat. Duhet të jetë më aktive dhe të na ndihmojë në ruajtjen e një paqe afatgjatë”.
Si e shihni Kosovën pas dhjetë vjetësh?
“Një muaj më parë e bëmë kërkesën për anëtarësim në BE. Në të kaluarën, më të shpejtat për t’u integruar ishin Suedia dhe Finlanda në tre vjet. Qipro dhe Malta, 14 vjet. Do të doja të qëndroja në mesatare, 9 vjet. BE-ja është projekti politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit të planetit pas Luftës së Dytë Botërore. Ne duam të hyjmë për të dhënë ndihmesën tonë”.
You may like
Vendi
Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës
Published
2 hours agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.
Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.
Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.
Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.
Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.
Lajmet
Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan
Published
2 hours agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.
Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.
Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.
Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.
Vendi
Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë
Published
9 hours agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.
Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:
Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.
Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.
Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.
Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.
Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.
Lajmet
Miratohet rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës së luftës
Published
9 hours agoon
April 10, 2026By
UBTNews
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota pro dhe asnjë kundër- Rezolutën për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës së luftës në Kosovë.
Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të cilat votuan unanimisht për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të parandaluar tentativat për rishikimin e historisë.
Përmes këtij votimi, deputetët treguan unanimitet, duke vlerësuar se mbrojtja e sakrificës së popullit dhe e të vërtetës historike është një obligim kombëtar që qëndron mbi dallimet politike.
Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës
Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan
Stefano Gabbana largohet nga drejtimi i Dolce & Gabbana
Dardanet U19 gati për sfidat kualifikuese në Evropian
Ngushtica e bllokuar dhe fronti i Libanit rrezikojnë armëpushimin SHBA-Iran
Spalletti zgjat qëndrimin te Juventusi deri më 2028, e ardhmja e Zhegrovës në dyshim
Ndërron jetë Afrika Bambaataa, një nga themeluesit e hip-hopit, në moshën 68-vjeçare
Ralph Fiennes: “Do të doja të rikthehesha si Voldemort, por ajo kohë ka kaluar”
Baldini merr drejtimin e përkohshëm të Italisë pas dorëheqjes së Gattusos
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
