Lajmet

​Kurti pret nga ministrat e tij vendime të shpejta

Published

on

Pas marrjes zyrtare të detyrës, sot u zhvillua mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Kosovës, nën drejtimin e Albin Kurtit.

Para kabinetit qeveritar, Kurti tha se vendi është në krizë të madhe shëndetësore, për çka kërkoi nga ministrat e tij që te hartojnë plane konkrete për menaxhimin e pandemisë dhe për ringjallje ekonomike.

“Ne ende jemi sot në një krizë shëndetësore. Vetëm dje patëm 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këta nuk janë vetëm numra por janë jetë njerëzish. Andaj duhet të punojmë me urgjencë që të ulim rastet. Por duhet të kemi plane te zbatueshme që të ruajmë shëndetin e qytetareve. Duhen rezultate konkrete. Ne do të punojmë si ekip por rezultati varet prej secilit nga ju dhe ekipit që ju drejtoni. Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim por edhe veprim”, tha ai.

Para kabinetit të tij, kreu i ekzekutivit tha se duhet vepruar shpejt që të ndalen humbjet financiare.

Në ndërmarrjet publike, Kurti tha se duhet të ketë auditime dhe vlerësim të përformancës, dhe se ku ka shkelje duhet vepruar shpejt.

“Në ditët në vazhdim pres nga secili prej jush të vini me propozime konkrete, të cilat i kemi identifikuar me vite e që kërkojnë zgjidhje. Unë besoj në dijen dhe kapacitetin tuaj, është koha që ju të dëshmoni para qytetareve se në pozitat që jemi vendosur jemi meritor. Përtej veprimeve urgjente për menaxhimin e pandemisë duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga ndërmarrjet publike, por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat, t’i shpëtojmë vendet e punës[…] Pres që në tavolinën time të vijë urgjent plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjallje ekonomike. Le të punojmë me nder e përgjegjësi. Le të përvjelim mëngët dhe të fillojmë punët e mëdha që na presin neve dhe angazhimin e përditshëm që pritet prej neve”, tha ai.

Ai bëri të ditur se gjatë javës do të mbajnë edhe mbledhjen e punës, ku pritet të marrin veprimet e nevojshme me kabinetin qeveritar.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 korrik 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Spitali i Gjakovës

8 korrik 1993

Në Deçan e rrethinë valë e re e represionit policor serb

Dje, një ekspeditë e policisë serbe që nga orët e hershme të mëngjesit, filloi një valë e re represioni ndaj popullatës shqiptare në Deçan dhe disa fshatra përreth.

Me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe vetëm në ditën e djeshme, bastisi, plaçkiti dhe keqtrajtoi 64 familje, u rrahën shumë qytetarë, ndërsa karakteristikë e këtyre bastisjeve ishin thyerjet dhe demolimet e orendive tek të gjitha shtëpitë që u bastisën. Bastisje masive pati në fshatrat Broliq, Papiq, Prapaqan, Dubovik, Isniq, Pobergjë, Voksh, Lumbargj dhe Lloçan.

Kjo ekspeditë policore në fshatin Dubovik, bastisi shtëpinë e Muharrem Rr.Berishës, me ç’rast thyen të gjitha orenditë në këtë shtëpi. Ekspedita policore serbe pasdite shkoi edhe në fshatin Isniq, e cila bastisi shtëpinë e Maxhun Tishukut, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Deçan. Në Isniq u bastisën edhe disa familje të tjera, tek të cilat policët serbë u sollën me vandalizëm të paparë.

Po ashtu dje pasdite, rreth orës 4.30 minuta, kjo ekspeditë policore serbe, ishte edhe në fshatin Pobergjë ku u bastisën familjet e disa veprimtarëve të LDK-së, si ajo e Isa A.Tolajt, kryetar i Nëndegës së LDK-së së këtij fshati, pastaj e Sami, Jashar, Hasan, Fadil dhe Ali R.Tolajt. Pas Pobergjës, ekspedita policore serbe, vazhdoi aksionin e saj në fshatin Voksh ku u bastisën shtëpitë e vëllezërve Ali dhe Beqir Mazrekajt. Në prani të familjes u rrah djali i Aliut, kurse Beqirit i plaçkitën një kamerë dhe një pasaportë.

Ekspedita policore serbe, ishte edhe në fshatin Lumbardh, e cila bastisi shtëpinë e Maxhun N.Lekajt, kryetar i Nëndegës së LDK-së dhe demoloi dhe thyejti të gjitha orenditë në këtë shtëpi. Në Lumbardh, policia serbe bastisi dhe plaçkiti edhe disa familje si ato të Dervish U.Lekajt, të cilit policët serbë ia plaçkitën 500 marka gjermane. Ekspedita policore serbe ishte edhe në fshatin Lloçan, e cila bastisi familjet e Brahim, Osman, Hysen, Murat dhe Shaban Kasumajt, ky i fundit ish-punëtor i sigurimit.

Nga Deçani, merret vesh se pos ditës së djeshme edhe sot situata në këtë komunë është ende e tensionuar.

 

8 korrik 1994

Represioni në Kosovë

Gjilan: –  Më 5 korrik, inspektorët serbë morën në pyetje Shemsedin Mustafën, nga Kmetovci i Gjilanit, anëtar i Kryesisë së Degës së FR të LDK-së në Gjilan, Xheladin Ibrahimin, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Myqybabë dhe Ali Sylën, inkasant i Këshillit për Financim nga Bresalci i Gjilanit.

Nga Shemsedin Mustafa, inspektorët serbë u interesuan të dinë rreth aktivitetit të Degës së FR të LDK-së në Gjilan, si dhe rreth manifestimit “Vullneti ’94”, i cili u mbajt këto ditë.

Edhe nga aktivistët e tjerë të lartëshënuar, policia u interesua të dijë rreth aktivitetit të institucioneve ku ata janë të angazhauar.

Prishtinë – Dje, prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00, një ekspeditë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtatë shtëpi në fshatin Grashticë të Prishtinës. Policia bastisi shtëpitë e Ibrahim, Zeqir, Shaban, Rexhep, Nazif, Jahir e Jetullah Krasniqit. Njoftohet se gjatë bastisjes, policia keqtrajtoi fizikisht Jahir Krasniqin, punëtor i “Rilindjes”.

Personave të lartëshënuar policia iu kërcënua se do të kthehen sërish për t’i bastisur.

Pardje rreth orës 9:00, policia ishte në shtëpinë e Bajram Çokut në Koliq të Prishtinës dhe kërkoi djalin e Bajramit, Selatin Çokun. Kur Selatin Çoku doli para tyre, ata i thanë se nuk na duheni ju, por vëllai juaj Agim Çoku.

Njoftohet se Agim Çoku është arrestuar, ndërsa familja e tij ka tri ditë që nuk di asgjë për të.

Dje rreth orës 8:00, policia ishte në shtëpinë e Idriz Gubetinit në rr.”Drenica” në Prishtinë, të cilin e urdhëroi që të paraqitet në stacionin e policisë. Njoftohet se Idriz Gubetini dorëzoi një revole.

Vlenë të theksohet se Idriz Gubetini në gjashtë muajt e fundit është marrë në pyetje katër herë nga ana e inspektorëve serbë.

Vushtrri: – Sot rreth orës 9:00, një ekspeditë e policisë hyri në fshatin Stanovc i Poshtëm të Vushtrrisë dhe kërkoi kryetarin e Nëndegës së LDK-së së këtij fshati, Tahir Tahirin.

Meqë Tahir Tahiri nuk gjendej në shtëpi, policia më pas shkoi në një familje tjetër të këtij fshati ku para pak ditësh vdiq një i ri 25 vjeç, me ç’rast trazuan të pranishmit që pritnin miqtë për shprehje ngushëllimesh.

Policia u kthye sërish në shtëpinë e Tahir Tahirit dhe arrestuan djalin e tij Ilir Tahirin, i cili u mor peng dhe u dërgua në postkomandën e policisë në Prilluzhë.

Ekspedita e policisë në të njëjtin fshat kërkoi edhe Sherif Musliun. Meqë edhe Sherif Musliu nuk gjendej në shtëpi, policia ia mori peng bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët u mbajtën deri në mesnatë. Pasi i liruan bashkëshorten dhe fëmijët e Sherifit, atyre u thanë se do vijnë sërish.

Ferizaj: KMDLNJ i Ferizajt, njofton se më 30 qershor, rreth orës 22:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Adem Tershanit në fshatin Koshare të Ferizajt. Pas bastisjes, policia mori me Ademin, i cili në stacionin e policisë në Ferizaj u keqtrajtua fizikisht. Adem Tershani u lirua rreth orës 24:00, me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në polici.

Më 5 korrik, inspektorët serbë morën në pyetje Isuf Malokun, nën pretekst të kërkimit të armëve.

Dje, policia ishte në shtëpinë e Danush Tërshanës në Ferizaj për të kërkuar djalin e tij Ekrem Tërshanën, i cili nuyk gjendej në shtëpi. Të nesërmen policia Danush Tërshanën e kërkoi edhe në vendin e punës. Kur Danushi u lajmërua në polici, inspektori serb i quajtur Dejan, nga Danushi kërkon që të dorëzojë një revole.

Të nesërmen, sipas urdhërave të policisë, Ekrem Tërshana u lajmërua në polici me ç’rast u mbajt rreth pesë orë dhe u keqtrajtua fizikisht.

Pardje, inspektorët serbë morën në pyetje edhe Hamdi Nezirin, kryetar i Nënkëshillit për Financim në fshatin Gackë. Inspektorët u interesuan të dinë nga Hamdiu rreth mënyrës së grumbullimit të mjeteve e tj.

Pardje, u mor në pyetje Hamdi Neziri, kryetar i Këshillit për Financim në fshatin Gaçkë të Ferizajt. Hamdi Neziri në stacionin e policisë qëndroi rreth dy orë, nga i cili inspektorët serbë u interesuan të dinë rreth aktivitetit tij në LDK, për Nëndegën V-të, anëtarët e Kryesisë së kësaj Nëndege e tj.

Dje, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Naser Ibrahimit në fshatin Tern. Pas bastisjes, policia ia la thirrjen Naser Ibrahimit që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Ferizaj.

Dje, në stacionin e policisë në Ferizaj, nën pretekst të kërkimit të armëve u mor në pyetje Musli Rexhepi, anëtar i Kryesisë së Aktivit I të Nëndegës XI të LDK-së. Musli Rexhepi u lirua me kusht që të paraqitet sërish sot në orën 8:00,  në stacionin e policisë në Ferizaj.

Bëhet me dije se Musli Rexhepi është keqtrajtuar fizikisht.

Dje, rreth orës 12:00, policia mdori në shtëpitë e tyre Nijazi Veselin dhe Sylë Mehmetin, aktivistë të LDK-së në fshatin Gërlicë. Njoftohet se Nijazi Veseli është keqtrajtuar deri në alivanosje, me ç’rast u detyrua që të bëjë intervenim mjekësor në Prishtinë.

Rahovec: – Pardje, rreth orës 8:00 të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpitë e tyre Jahir Kastratin, Kadri Berishën dhe Abdullah Krasniqin, të cilët në stacionin e policisë u mbajtën rreth tetë orë.

Njoftohet se Kadri Berishën e urdhëruan që të paraqitet sërish të nesërmen në polici.

Malishevë: – Dje në mëngjes, policia e postkomandës së Kijevës, shkoi në shtëpitë e Jonuz, Azem, Mustafë e Ramadan Gashit dhe Halil Toplanës nga Kijeva, të cilët i urdhëroi që sot në mëngjes të paraqiten në stacionin e policisë në Klinë. Njoftohet se edhe pse të thirrurit kishin kërkuar dëshmi me shkrim, policia atyre u tha se nuk ka nevojë për dëshmi me shkrim dhe nuk iu dha kurrfarë arsyetimi se për çfar ftohen në polici.

Dje rreth orës 5:00 të mëngjesit, policia e Rahovecit, nën pretekst të kërkimit të armëve, për herë të dytë bastisi shtëpinë e Hamit Morinës në fshatin Lubizhdë të Malishevës. Gjatë bastisjes, policia keqtrajtoi fizikisht anëtarët e familjes, si dhe mori me vete të rinjtë Tafil e Sali Morinën, të cilët në stacionin e policisë në Rahovec u mbajtën rreth katër orë me ç’rast u keqtrajtuan rëndë.  Tafil Morina u lirua me kusht që në stacionin e policisë në Rahovec të paraqitet axha i tij, Hasan H.Morina.

Sot, rreth orës 7:00 të mëngjesit, në fshatin Shkozë të Malishevës, policia e Rahovecit arrestoi në shtëpinë e tij, Sadri Rr.Bytyçin, i cili ende po mbahet në polici.

Nga Malisheva bëhet me dije se tash tetë ditë po mbahet në arrest i riu Afrim H.Bytyçi, ndërsa shkaku i arrestimit të tij tash për tash nuk dihet.

Gllogovc: – Më 1 korrik rreth orës 14:00, policia serbe ndërhyri në lokalet e shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Dobroshevc, me ç’rast pyetën domarin e kësaj shkolle, se ç’po përgatitet me rastin e 2 Korrikut. Edhe të nesërmen policia ndërhyri në lokalet e kësaj shkolle dhe bastisi atë. Policia konfiskoi dy fotografi të figurave tona kombëtare, si dhe u kërcënuan që emri i kësaj shkolle të shkkruhet në cirilicë.

Ndërkaq, pardje policia mori në pyetje në stacionin e policisë në Prishtinë, të miturit Bujar A.Kiçinën (11) dhe Afrim R.Vrellakun (9). Ky i fundit u mor në pyetje për herë të tretë. Policia mori në pyetje të miturit me rastin e vrasjes së një qytetari më 29 qershor në fshatin Baicë të Gllogovcit, prej nga janë edhe dy të miturit.

 

8 korrik 1997

Mitrovicë: – Gjatë gjashtë muajve të kaluar u bastisën 26 familje

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, raportin për dhunën e ushtruar kundër banorëve të kësaj komune gjatë gjashtë muajve të kaluar të këtij viti, thekson se gjatë kësaj periudhe janë ndaluar arbitrarisht 48 veta, janë marrë në arrest 57, në biseda informative 32, janë keqtrajtuar fizikisht 24, për vepër penale është dënuar 1, për kundërvajtje 2, ndërsa në procedurë hetimore janë 5 veta.

Po gjatë kësaj periudhe policia ka bastisur 26 familje shqiptare ka kërcënuar 8 veta, i ka dërguar në vuajtje të dënimit 8, ka keqtrajtuar për armë 35, i ka fyer 18, ka shkuar në 70 familje shqiptare, ka shpërndarë 72 thirrje për paraqitje në polici dhe ka legjitimuar 25 veta.

Po gjatë kësaj periudhe janë keqrajtuar 8 veprimtarë politikë, 10 punëtorë të arsimit, 11 veprimtarë humanitarë dhe 1 veprimtar sindikal, janë keqtrajtuar edhe 4 ish të burgosur politikë dhe 1 femër. Është shënuar një ndërhyrje në institucionet arsmore, tri ndërhyrje në institucionet humanitare, dy familje janë larguar me dhunë nga banesa ndërsa një personi i është konfiskuar pasaporta.

Për rekrutim në armatën serbe janë thirrur 4 të rinjë shqiptarë, ndërsa 3 shqiptarë të punësuar në botën e jashtme janë keqtrajtuar gjatë kthimit, ndërsa 3 të tjerëve nuk u është lejuar kthimi.

Po gjatë kësaj periudhe janë plaçkitur 23 persona.

 

8 korrik 1998

Pesë trupa të pajetë në morgun e spitalit të Gjakovës

Sot, në morgun e spitalit të Gjakovës, policia serbe ka sjellë trupat e pajetë të pesë shqiptarëve.

Nuk dihet identiteti i të vrarëve, por supozohet se ata janë sjellë nga zona e luftimeve në Rekë të Keqe.

Morgu i spitalit të Gjakovës po mbahet nën kontroll të rreptë të policisë serbe.

 

Suharekë: U vra Sadri Arif Kryeziu

Sot në orën 8. 30, në qendër të Suharekës, u vra në vendin e tij të punës, në kiosk, Sadri Arif Kryeziu (41), shitës i gazetave.

Rrethanat e vrasjes së tij nuk dihen, por në momentin e vrasjes aty u vërejtën forca të mëdha policore me automjete të blinduara.

Vendi i ngjarjes po mbahet i rrethuar nga forca të mëdha policore.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Pasiguri në Ngushticën e Hormuzit, anijet përballen me udhëzime të kundërta për kalimin

Published

on

Anijet që synojnë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit po përballen me një situatë të pasigurt, pasi palët e përfshira në konflikt po përpiqen të drejtojnë trafikun detar nëpër korridore të ndryshme.

Për shkak të tensioneve të vazhdueshme, anijeve u është rekomanduar të shmangin pjesën qendrore të ngushticës, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.

Qendra e Përbashkët për Informacion Detar, ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara, ka këshilluar anijet që të përdorin një itinerar pranë bregdetit të Omanit, në pjesën jugore të ngushticës, për të zvogëluar rrezikun nga kërcënimet e mundshme, përfshirë minat detare.

Ndërkohë, Irani ka deklaruar se anijet nuk do të lejohen të kalojnë nëpër ngushticë, përveç rasteve kur ndjekin një korridor të përcaktuar pranë vijës së tij bregdetare në veri.

Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se do të japin leje kalimi vetëm për anijet që përdorin këtë rrugë, ndërsa itineraret e tjera i kanë cilësuar si të ndaluara.

Përplasja e këtyre udhëzimeve ka rritur pasigurinë për kompanitë e transportit detar, të cilat po përballen me vështirësi në menaxhimin e kalimeve përmes këtij korridori strategjik të tregtisë globale./A.K.

Continue Reading

Lajmet

Mediat në Kosovë përballen me sfida në raportimin për të kaluarën, kërkohet më shumë profesionalizëm dhe kontekst

Published

on

Mënyra se si mediat në Kosovë raportojnë për ballafaqimin me të kaluarën vazhdon të mbetet një sfidë e rëndësishme për gazetarinë, pavarësisht numrit të madh të storieve të publikuara.

Mungesa e gazetarëve të specializuar, raportimi sipërfaqësor, mungesa e kontekstit dhe dominimi i narrativave të njëanshme ishin disa nga çështjet e diskutuara gjatë prezantimit të një punimi mbi rolin e mediave në drejtësinë tranzicionale.

Autori i punimit, gazetari Besian Beha, gjatë tryezës “Raportimi i përgjegjshëm mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe sfidat e mediave në Kosovë”, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, theksoi se përgjegjësia e mediave është veçanërisht e madhe kur trajtohen tema të ndjeshme si krimet e luftës, viktimat dhe personat e zhdukur.

Ai ngriti shqetësimin për mungesën e një databaze zyrtare me të dhëna të plota për viktimat dhe të zhdukurit e luftës në Kosovë, duke thënë se kjo e vështirëson raportimin profesional.

Sipas tij, mediat shpesh kanë dështuar të sjellin një pasqyrim më gjithëpërfshirës të pasojave të luftës, duke përfshirë edhe viktimat nga komunitetet joshqiptare.

“Ka pasur ekstremisht pak storie kur flasim për viktimat që janë të komuniteteve tjera: rom, ashkalinj, egjiptianë edhe serbë. Mediat nuk kanë treguar mjaftueshëm që ka pasur pjesëtarë të këtyre komuniteteve që kanë qenë viktima civile, por edhe pjesëtarë të UÇK-së”, tha Beha.

Ndërsa gazetarja hulumtuese Serbeze Haxhiaj vlerësoi se raportimi për luftën në Kosovë shpesh është i ndikuar nga narrativat politike dhe nacionaliste, duke e bërë më të vështirë një qasje profesionale.

Ajo tha se diskursi publik dhe mediatik vazhdon të ndikohet nga tensionet politike mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar, sipas saj, një raportim shpesh të kufizuar dhe të njëanshëm.

Në takim foli edhe Blerta Dalloshi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e cila tha se janë duke u zhvilluar trajnime të specializuara për gazetarët lidhur me raportimin mbi drejtësinë tranzicionale.

Ajo kërkoi që edhe institucionet universitare të përfshijnë më shumë përmbajtje për këtë fushë, në mënyrë që gazetarët e rinj të jenë më të përgatitur për trajtimin e temave të ndjeshme.

Sipas pjesëmarrësve, raportimi i përgjegjshëm mbi të kaluarën mbetet i domosdoshëm për një shoqëri më të informuar dhe për një proces më të drejtë të ballafaqimit me historinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu viziton Zyrën Kombëtare të Auditimit, vlerëson rolin e saj në transparencë dhe llogaridhënie

Published

on

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), ku është pritur nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe stafi i këtij institucioni.

Gjatë takimit është diskutuar për rolin e ZKA-së në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, si dhe për rëndësinë e auditimit të pavarur si një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë.

Haxhiu ka bërë të ditur se bisedimet janë fokusuar edhe në njohjet ndërkombëtare të ZKA-së, bashkëpunimin me Prokurorinë për trajtimin e gjetjeve të auditimit, si dhe ndryshimet ligjore që synojnë forcimin e pavarësisë së këtij institucioni.

“Do të vazhdoj të mbështes çdo përpjekje që forcon integritetin, transparencën dhe menaxhimin e përgjegjshëm të parasë publike”, ka deklaruar Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara