Lajmet

​Haxhiu kthehet në krye të Ministrisë së Drejtësisë

Published

on

Albulena Haxhiu është kthyer zyrtarisht në krye të Ministrisë së Drejtësisë, ku kishte qëndruar gjatë qeverisë Kurti I, ku është pritur me lule me rastin e marrjes së detyrës nga ministri në detyrë, Selim Selimi.

Në një konferencë të përbashkët për media, Haxhiu tha se pavarësisht dallimeve politike, gjithnjë do të punojnë në interes të qytetarëve të Kosovës. Ajo premtoi transparencë për secilin vendim të marrë gjatë drejtimit të këtij dikasteri, teksa u shpreh se do të vazhdojë punën aty ku e kishte lënë më parë.

“Ia konfirmova ministrit që të gjitha punët e mira që janë bërë gjatë kësaj periudhe padyshim që do t’i shtyjmë përpara, pavarësisht se kush ka punuar në ato çështje. Ne do të nisim punën që e kishim lënë dikur në çështjen e vetingut në sistemin e drejtësisë dhe policisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra përmes fuqizimit të legjislacionit në këtë drejtim. Po ashtu Institutin për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë për gjykimin e këtyre krimeve, adresimin e dhunës në familje që mbetet një fenomen shumë shqetësues në Kosovë dhe shumë çështje të tjera”, tha ajo.

Selimi u shpreh i kënaqur që është zgjedhur Albulena Haxhiu në krye të këtij dikasteri, pasi siç tha ai, ajo njeh shumë mirë fushën juridike.

“Jam i lumtur që kjo qeveri e ka zgjedhur për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiun, pasi që ka përvojë në fushën juridike dhe e njeh ministrinë. Ne kemi bërë shumë punë, të gjitha sukseset i ndajmë me qeverinë e cila do është zgjedhur tash, të gjitha përgjegjësitë i bartim vetëm ne dhe na ka mbetur edhe shumë për tu bërë, por e di se Haxhiu me ekipin e saj do t’ia dalin”, u shpreh ai.

Ndërsa Albulena Haxhiu tha se janë dakorduar së bashku, me tanimë ish-ministrin Selimi, për koordinim në çështjet që janë me interes të Ministrisë së Drejtësisë.

lajme

UBT organizoi me sukses Akademinë Verore për Shkencat e Ushqimit dhe Agrikulturën

Published

on

By

Në kuadër të Global UBT Fest 2026, Fakulteti Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji dhe Fakulteti Agrikulturë dhe Inxhinieri e Mjedisit organizuan me sukses Akademinë Verore 2026, me temë “Shkenca dhe inovacioni në shërbim të cilësisë së ushqimit dhe prodhimit të qëndrueshëm”.

Akademia u mbajt më 7 dhe 8 korrik në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologji të UBT-së, duke bërë bashkë studentë, profesorë universitarë, ekspertë vendorë, si dhe përfaqësues të industrisë agro-ushqimore.

Gjatë dy ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit ndoqën dhjetë ligjërata profesionale, ku u trajtuan tema aktuale që lidhen me teknologjinë ushqimore, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, bujqësinë e qëndrueshme, inovacionin, përpunimin e produkteve ushqimore, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit privat.

Ligjëratat u zhvilluan nga ekspertë me përvojë akademike dhe profesionale, të cilët prezantuan rezultatet e kërkimeve shkencore, përvojat praktike dhe trendet më të reja të zhvillimit në sektorin agro-ushqimor. Çdo sesion u shoqërua me diskutime interaktive, duke krijuar një mjedis të favorshëm për shkëmbimin e njohurive, ideve dhe përvojave ndërmjet pjesëmarrësve.

Akademia Verore u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë dhe angazhim aktiv. 37 pjesëmarrës përfunduan me sukses programin dyditor.

Përveç programit akademik, Akademia shërbeu edhe si një ngjarje e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studentëve, profesorëve, institucioneve dhe industrisë, duke promovuar dialogun, rrjetëzimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.

Përmes organizimit të Akademisë Verore 2026, UBT rikonfirmoi përkushtimin e tij për ofrimin e arsimit cilësor, promovimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, si dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor në Kosovë dhe më gjerë.

Continue Reading

Aktualitet

Albion Rrahmani transferohet në Serie A te Venecia, ndahet me mesazh emocional nga Sparta

Published

on

By

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani, ka bërë hapin e madh në karrierë duke u transferuar zyrtarisht në elitën e futbollit italian, Serie A, te skuadra e Venecias. Kompletimi i këtij transferimi dhe prezantimi i tij janë bërë të ditur të enjten.

Rrahmani i jep fund kështu një periudhe mjaft të suksesshme dyvjeçare te Sparta e Pragës, klub nga i cili u nda me një mesazh mjaft prekës dhe falënderues për tifozët dhe stafin.

“Të isha pjesë e këtij klubi për dy vitet e fundit ishte një nder për mua. Erdha këtu si një djalosh që mendonte se dinte gjithçka, por gjatë kësaj periudhe në këtë klub të madh, mësova shumë gjëra që më duheshin për të vazhduar ndjekjen e ëndrrës sime dhe për t’u bërë një lojtar më i mirë çdo ditë,” ka shkruar Rrahmani në postimin e tij të lamtumirës.

Sulmuesi kosovar ka theksuar se po largohet nga klubi çek si një futbollist i formësuar dhe mbi të gjitha si një burrë më i pjekur.

“Ju falënderoj që më pranuat ashtu siç isha, duke më mbështetur në momentet e mira dhe duke më qëndruar prapa në ato të vështira. Do t’ju mbështes gjithmonë dhe do të jem një tifoz i juaji, dhe ndoshta një ditë rrugët tona do të kryqëzohen përsëri. Një herë Spartan, përgjithmonë Spartan,” përfundoi Rrahmani.

Me kalimin te Venecia, Rrahmani do të ketë mundësinë të dëshmojë cilësitë e tij në një prej kampionateve më të forta në botë, duke shënuar një tjetër sukses të madh për futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare. /D.L/

Continue Reading

Vendi

Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Pejë dhe Gjakovë

Published

on

By

Vetëm brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar tri raste të ndryshme të dhunës në familje në rajonin e Pejës dhe të Gjakovës, të cilat kanë çuar në arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një të mituri.

Rasti i parë është regjistruar në Pejë, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës. Sipas Policisë, një person është arrestuar pasi i njëjti, në gjendje të dehur, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.

Ndërkaq, dy raste të tjera të dhunës janë raportuar në komunën e Gjakovës. Në njërin prej tyre, një djalë i mitur ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Sipas raportit policor, viktima nuk ka pësuar lëndime që kërkonin tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari i mitur ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati. Rasti është duke u hetuar me intensitet nga njësitet përkatëse.

Po në Gjakovë, gjatë pasdites së të mërkurës është raportuar edhe një tjetër rast i dhunës brenda familjes. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor ku është intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit, edhe ai është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfundon Akademia Verore e Aktrimit në UBT: Studentët trajtojnë lëvizjen skenike bashkë me aktorin Edlir Gashi

Published

on

By

Në valën e edicioneve të suksesshme të “Global Fest”, ka përfunduar zyrtarisht edhe Akademia Verore e Aktrimit në UBT. Ky edicion mblodhi studentë dhe të apasionuar pas artit skenik, duke u ofruar atyre një platformë unike të trajnimit intensiv dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me profesionistë të industrisë së teatrit dhe televizionit.

Si në çdo akademi tjetër verore të organizuar këtë vit nga UBT, ku theksi kryesor u vë mbi praktikën dhe inovacionin, edhe kjo e aktrimit solli një program të pasur e dinamik. I ftuari special i këtij edicioni ishte aktori i mirënjohur Edlir Gashi, i angazhuar në shumë shfaqje teatrore si dhe në disa prej serialeve më të ndjekura vendore.

Gjatë ligjëratave dhe punëtorive të tij, Gashi trajtoi temën qendrore: “Movement, space, and ensemble work” (Lëvizja, hapësira dhe puna në ansambël). Ai zgjodhi të ndajë me studentët eksperiencat e tij të gjata mbi skenën dhe para kamerave, duke u zbërthyer atyre sfidat reale të profesionit të aktorit.

Përtej ligjërimit teorik, akademia u karakterizua nga një ndërveprim i vazhdueshëm artistik. Aktori Gashi i inkuadroi studentët në ushtrime të ndryshme praktike dhe lojëra artistike koncentrimi, të cilat ndihmojnë në lirimin e trupit, zotërimin e hapësirës skenike dhe rritjen e vëmendjes gjatë performancës në grup.

Studentët patën mundësinë të kalojnë nëpër sesione intensive të reflektimeve mbi teknikën e lëvizjes dhe koordinimit, duke i përmbyllur punimet me një prezantim të përbashkët ku testuan të gjitha njohuritë e fituara.

Me përfundimin e kësaj akademie, UBT dëshmoi edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm mësimdhënie akademike, por edhe mundësinë për të prekur nga afër industrinë përmes bashkëpunimit me emra të dëshmuar të skenës kosovare.

 

Continue Reading

Të kërkuara