Pas dështimit të radhës për të siguruar kuorumin e nevojshëm, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se seanca për zgjedhjen e presidentit shtyhet për në orën 19:00. Ky vendim vjen pas mungesës së vazhdueshme të deputetëve të opozitës në sallë, gjë që ka pamundësuar fillimin e procesit të votimit.
Në tentativën e dytë, pas asaj të orës 11:00, Haxhiu u kishte bërë sërish thirrje deputetëve opozitarë që të reflektojnë dhe të marrin pjesë në votim. Ajo rikujtoi se pjesëmarrja në punimet e Kuvendit është një detyrim ligjor që rrjedh nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Ligji për Deputetët, i cili obligon përfaqësuesit e popullit të njoftojnë për çdo mungesë.
Deri më tani, e vetmja mungesë e arsyetuar zyrtarisht është ajo e deputetes Afërdita Hajrizi nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore. Seanca e orës 19:00 shihet si tentativa e radhës për të zhbllokuar procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.
Tentativa e dytë për presidentin: Haxhiu thirrje opozitës të kthehet në sallë
Në tentativën e dytë, pas asaj të orës 11:00, ka nisur seanca për zgjedhjen e presidentit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim.
Haxhiu u kërkoi deputetëve të reflektojnë mbi detyrimet e tyre ligjore për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit, duke u bazuar në Ligjin për Deputetët. Sipas këtij ligji, përfaqësuesit e popullit janë të obliguar të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë paraprakisht për çdo mungesë të tyre.
Gjatë hapjes, ajo bëri të ditur se e vetmja deputete që ka marrë leje zyrtare për të mos qenë e pranishme në këtë seancë është Afërdita Hajrizi nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.