Lajmet

​Kurti në Ditën e Autizmit: Duhet të bëjmë më shumë, do të rrisim në vazhdimësi numrin e asistentëve

Sipas tij, bashkëpunimi ndërsektorial është një parakusht i domosdoshëm që të sigurojmë zhvillim cilësor.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Autizmit deklaroi se shumëçka është bërë, por edhe më shumë duhet të bëhet për këta persona. Sipas tij, bashkëpunimi ndërsektorial është një parakusht i domosdoshëm që të sigurojmë zhvillim cilësor.

Në konferencën e organizuar nga Zyra për Qeverisjes të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatën “Autizmi”, Kurti përmendi se gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetje profesionale të fëmijëve dhe se do të shtohen edhe nga 100 tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit.

Ai tha se janë zotuar për përkrahje të organizatave të specializuar për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti dhe talente, për çka janë alokuar 200,000 euro. Me këtë rast, kryeministri tha se është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, e veçanërisht nëse ata janë autikë.

“Një shoqëri e ndjeshme ndaj këtyre personave, është një shoqëri më e vërtetë në vetvete. Sepse sapo të dështojmë në kuptimin e vështirësisë dhe hallit të tyre, do të kemi rënie në terrenin, i cili është jo vetëm i izolimit, por edhe i ngacmimit, i paragjykimit dhe i stigmatizimit. Nga trajtimi që i bëjmë ne njëri-tjetrit është vetë shëndeti i shoqërisë në përgjithësi. Ushtrimi në të drejtat e njeriut është mënyra për ta bërë shoqërinë më të mirë. Personat me autizëm janë një shprehje më e drejtpërdrejtë e ngutisë sonë për të krijuar mekanizma të veprimit”, tha Kurti.

Kurti deklaroi se ajo që synohet janë të drejta dhe barazi për të gjithë personat me autizëm në Kosovë duke iu siguruar më shumë qasje në shërbime.

Ai kërkoi mbështetjen e të gjithë sektorëve në mënyrë që të arrihet kjo.

“Na duhet gjithëpërfshirje me pjesëmarrje aktive, të nxënësve e të mësimdhënësve, të prindërve e të punonjësve. Trajtim e kujdes shtesë për fëmijët me autizëm do të thotë përkushtim, sepse asistenca do të thotë integrim. Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë gjithë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve. Do të shtohen edhe 100 asistentë të tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit”, vijoi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deklaroi se personat me autizëm kanë të drejtë që të gëzojnë shërbimet sikurse të gjithë të tjerët pa diskriminim, ndërsa përmendi edhe mundësitë e krijimit të një qendre për këta persona.

“Sot në Ditën Botërore të Autzimit rikonfirmojmë zotimin, që kjo kategori ka të drejte t’i gëzojë standardet më të larta të mundshme shoqërore dhe edukative pa diskriminim, duke ju siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e ardhshëm meqenëse simptomat e autizmit fillojnë shumë herët. Do të mundësojmë ndërhyrjen qoftë me diagnostifikim të hershëm, qoftë me kuptimet dhe intervenimet terapeutike…  Përveç sigurimit të hapësirave dhe mundësive për ta bërë këtë, qoftë përmes hapësirave në institucionet aktuale shëndetësore apo krijimit të ndonjë qendre për ta”, tha ai.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që deklaroi se janë të vetëdijshëm për kërkesat që kanë familjarët dhe shoqatat që kujdesen për personat me autizëm prandaj edhe janë angazhuar në rregullimin e infrastrukturës ligjore.

Përfaqësues të familjeve dhe shoqatave shprehën shqetësimet dhe vështirësitë e tyre të përditshme që kanë në kujdesin ndaj fëmijëve me autizëm. Në këtë konferencë u tha se në muajin shkurt 324 fëmijë me autizëm kanë përfituar nga 100 euro siç e parasheh ligji përkatës për personat me aftësi të kufizuar./

Lajmet

Rutte në Shtëpinë e Bardhë: Takim me Trumpin për të zbutur tensionet

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë këtë të mërkurë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim vjen si një përpjekje për të ulur tensionet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë, përpara samitit të rëndësishëm të aleancës që do të mbahet në korrik.

Marrëdhëniet mes administratës Trump dhe vendeve evropiane janë përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit, veçanërisht pas mospajtimeve të thella lidhur me luftën në Iran dhe kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së që aleatët të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje.

Sipas burimeve të “Euronews”, Rutte do të paraqesë të dhëna që dëshmojnë një rritje rekord të investimeve ushtarake nga vendet anëtare. Ai pritet të argumentojë se presioni i ushtruar nga vetë Trump ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë rritje financiare, duke theksuar se shpenzimet e përgjithshme të aleancës kanë prekur shifrën prej një trilion dollarësh. Po ashtu, Rutte do të vërë në dukje se rritja e prodhimit ushtarak ka hapur vende të reja pune edhe në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, pakënaqësia e administratës amerikane tashmë është reflektuar në hapa konkretë. Pentagoni ka njoftuar një sërë masash që reduktojnë pjesëmarrjen afatgjatë të SHBA-së në aleancë.

Pas kritikave të hapura të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, ndaj strategjisë ushtarake amerikano-izraelite në Iran, Presidenti Trump njoftoi menjëherë tërheqjen e pesë mijë trupave amerikane nga territori gjerman.

Samiti i ardhshëm i NATO-s, i cili është planifikuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë, pritet të fokusohet kryesisht në sigurinë evropiane dhe atë arktike, si dhe në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit ushtarak. /Euronews/ /E.A/

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Madonna: Filmi biografik për jetën time u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve për buxhetin

Published

on

Këngëtarja e njohur amerikane Madonna ka zbuluar se filmi biografik për jetën e saj u anulua pas mosmarrëveshjeve me studion Universal Pictures lidhur me buxhetin e projektit.

Në një intervistë për revistën Interview, artistja tha se historia e jetës së saj kërkonte një prodhim të madh dhe, rrjedhimisht, një buxhet të konsiderueshëm.

Madonna tregoi se kishte propozuar zhvendosjen e xhirimeve në Serbi për të ulur kostot, por ideja nuk u mbështet nga studioja. Sipas saj, drejtuesit e projektit nuk ishin të bindur se ajo do të qëndronte atje për realizimin e filmit.

Projekti u njoftua fillimisht në vitin 2020, me Madonnën në rolin e regjisores. Aktorja Julia Garner ishte përzgjedhur për të interpretuar këngëtaren pas një procesi të gjatë audicionesh.

Megjithatë, në vitin 2023 u raportua se filmi, i cili mbante titullin e përkohshëm “Who’s That Girl”, ishte anuluar.

Madonna zbuloi gjithashtu se kishte shqyrtuar mundësinë e realizimit të historisë së saj si serial për Netflix, por hasi në pengesa ligjore pasi të drejtat e skenarit mbetën në pronësi të Universal Pictures.

Artistja tha se zhvillimi i një seriali rezultoi më i ndërlikuar sesa kishte parashikuar, duke kërkuar bashkëpunim me skenaristë të shumtë dhe gjetjen e ekipit të duhur krijues për ta çuar projektin përpara./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita e Hazir Rekës kushtuar rezistencës së minatorëve të Kosovës

Published

on

Është hapur ekspozita e fotografit të njohur Hazir Reka, e cila sjell në vëmendje një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, vitet 1988–1989 dhe rezistencën e minatorëve të Trepçës.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit kulturor.

Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë protestat dhe grevat e minatorëve, veçanërisht grevën historike në Stantërg të Trepçës, duke dëshmuar për përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë, dinjitetit dhe barazisë.

Sipas organizatorëve, fotografitë nuk paraqesin vetëm momente historike, por edhe kujtesë të gjallë të sakrificës dhe qëndresës qytetare.

Përmes objektivit të tij, Hazir Reka ka krijuar një arkiv të rëndësishëm të kujtesës kolektive, duke ruajtur dëshmi të vlefshme të rrugëtimit historik të Kosovës.

Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pas Londrës dhe Siçilisë, Dua Lipa dhe Callum Turner mund të martohen edhe në Tiranë

Published

on

Pas raportimeve për martesën e tyre, emrat e këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa dhe aktorit britanik Callum Turner vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të fundit, çifti po shqyrton mundësinë që të organizojë një ceremoni të tretë martesore në Tiranë, në fund të muajit korrik.

Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se, pas një ceremonie private në Londër dhe një feste më të madhe në Siçili, dyshja dëshiron të nderojë rrënjët shqiptare të artistes përmes një ceremonie me elemente tradicionale shqiptare.

Nëse këto raportime konfirmohen, ceremonia në kryeqytetin shqiptar pritet të jetë më intime, me pjesëmarrjen e familjarëve dhe miqve të afërt, duke vënë theksin te traditat dhe kultura shqiptare.

Lajmi ka ngjallur interes të madh në rrjetet sociale, ku fansat kanë reaguar me entuziazëm dhe humor ndaj mundësisë që çifti të festojë martesën me tri ceremoni në vende të ndryshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara