Lajmet

​Kurti: Jam optimist se do të arrihet marrëveshja në Ohër, por s’varet vetëm prej meje

Takimi do të mbahet më 18 mars.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se plani i zbatimit për propozimin evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër. Por ai u shpreh optimist se do të arrihet marrëveshja në takimin e 18 marsit, megjithatë theksoi se kjo nuk varet vetëm nga ai.

“Ne e dimë qëndrimin e Serbisë, por unë duhet t’i referohem asaj që jemi marr vesh…Plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër…Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam, ofruar që edhe në 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme dhe as e interesuar.. Nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, tha Kurti.

Kurti nënvizoi se në takimet që ai ka mbajtur me palën serbe, ka qenë gjithmonë i përkushtuar.

“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian, me iniciativë franko-gjermane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia dhe aty janë pesë fjali në preambulë, janë 11 nene gjithsej, le ta diskutojmë planin e zbatimit… Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo Zajednicës siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve, në fakt kur kam shikuar tash së fundmi, bashkë me konkluzione që janë vënë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011 deri më 25 gusht të vitit 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe përbën 6 pikat e para të një marrëveshje 15-pikëshe e cila është e 16-ta prej 39”, potencoi Kurti.

Shefi i ekzekutivi kosovar, Albin Kurti tregoi edhe për përgatitje që bënë zakonisht para një takimi të rëndësishëm siç është ai i 18 marsit në Ohër.

“Me krejt çka mundem përgatitem duke i lexuar dokumentet e deri tanishme por gjithashtu duke lexuar edhe literaturë sa i përket bisedimeve dhe negociatave”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër do të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Gjatë ditëve të fundit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar për implementimin e planit nga propozimi evropian.

Lajmet

Diskutim i hapur në UBT me Christopher Hyland mbi trendet globale dhe implikimet për Kosovën

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, studentët e Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, së bashku me stafin akademik, patën mundësinë të bashkëbisedojnë me Christopher Hyland, një njohës i proceseve ndërkombëtare dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të ligjëratës “Current Global Developments and Their Implications for Kosovo”, u diskutuan zhvillimet më të fundit globale, sfidat gjeopolitike dhe ndikimi i tyre në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë ligjëratës, Hyland ndau përvojën e tij shumëvjeçare në analizimin e proceseve ndërkombëtare dhe angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai foli për rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve afatgjata, dialogut ndërkombëtar dhe kuptimit të drejtë të proceseve historike e politike që kanë ndikuar në fatin e popujve dhe shteteve.

Duke reflektuar mbi ndikimin e mentorëve dhe përvojave të tij akademike, Hyland theksoi rëndësinë e krijimit të lidhjeve njerëzore dhe profesionale që ndërtohen mbi besimin dhe vlerat e përbashkëta.

“Nëse takon individë me të cilët ndërton miqësi dhe mirëkuptim të sinqertë, ato marrëdhënie mund të zgjasin për vite të tëra dhe të krijojnë ura bashkëpunimi që tejkalojnë kufijtë dhe dallimet”, tha Hyland.

Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te përvoja e tij personale në njohjen e realitetit të Kosovës gjatë viteve të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke theksuar se studimi i zhvillimeve në terren e kishte shtyrë të shihte situatën përtej narrativave të zakonshme të kohës.

“Sa më shumë që e studioja situatën, aq më shumë kuptoja se qytetarët e Kosovës po përballeshin me shtypje të rëndë nga qeveria qendrore në Jugosllavi. Historia ishte shumë më ndryshe nga ajo që paraqitej në atë kohë”, u shpreh ai.

Hyland diskutoi me studentët mbi transformimet aktuale politike dhe ekonomike në botë, sfidat e sigurisë ndërkombëtare, rolin e aleancave strategjike dhe rëndësinë e pozicionimit të Kosovës në një mjedis global gjithnjë e më dinamik.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive dhe shkëmbim idesh, duke konfirmuar edhe një herë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme e debatit akademik, inovacionit dhe analizës së çështjeve me rëndësi globale.

Continue Reading

Lajmet

Karl Stefanovic drejt largimit nga Nine Entertainment pas reagimeve për podcastin

Published

on

Njëri nga prezantuesit më të njohur televizivë në Australi, Karl Stefanovic, raportohet se është pranë largimit nga rrjeti Nine Entertainment, pas reagimeve të forta ndaj podcastit të tij, veçanërisht pas një interviste me aktivistin britanik të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.

Stefanovic, i njohur prej vitesh si prezantuesi kryesor i programit të mëngjesit Today, kishte nisur në janar një podcast të pavarur ku ka intervistuar figura të ndryshme kontroverse. Megjithatë, episodi i fundit me Robinson është tërhequr nga platformat online vetëm disa orë pas publikimit, pas reagimeve negative të publikut dhe reklamuesve në Australi.

Sipas mediave lokale, Nine Entertainment është në negociata për përfundimin e kontratës së tij, e cila ishte paraparë të skadonte në fund të vitit. Edhe pse kompania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht largimin, ajo është distancuar publikisht nga përmbajtja e podcastit, duke theksuar se bëhet fjalë për një prodhim të pavarur.

Gjatë intervistës 55-minutëshe, Stefanovic deklaroi se e admironte “vendosmërinë” dhe “guximin” e Robinsonit për të mbrojtur bindjet e tij. Në materialin promovues të episodit, ai u pa gjithashtu duke e përqafuar Robinsonin dhe duke përdorur një term ofendues ndaj kryeministrit britanik në largim, Keir Starmer.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta në Australi, ku gazetarë të Nine dhe disa reklamues kanë shprehur shqetësime për ndikimin e podcastit në reputacionin editorial të rrjetit.

Stefanovic ka pasur edhe më herët momente kontroverse gjatë karrierës së tij të gjatë në televizion, përfshirë një paraqitje në transmetim live pas konsumimit të alkoolit dhe një incident ku u detyrua të kërkonte falje për komente të bëra ndaj një kolegeje.

Ai u tërhoq nga emisioni Today në vitin 2018 për shkak të rënies së shikueshmërisë dhe vëmendjes mediatike rreth jetës së tij personale, por u rikthye një vit më vonë.

Pavarësisht polemikave, Stefanovic mbetet një nga figurat më të njohura të televizionit australian.

Burimi: BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis shpërndarja e 100 eurove për studentët

Published

on

By

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se është bërë ekzekutimi i 100 eurove për studentët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Ai ka njoftuar se sot është finalizuar dhe dorëzuar lista e studentëve të kualifikuar për mbështetjen me 100 euro.

“Pas pranimit të verifikimeve të nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë, komisioni verifikues sot ka finalizuar dhe dorëzuar listën e studentëve që janë kualifikuar për mbështetjen e njëhershme me 100 euro”, ka thenë Murati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria shpall “non-grata” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti

Published

on

By

Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi është marrë nga autoritetet shtetërore në kuadër të masave për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, ky hap u ndërmor bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial. Ndaj Hudutit rëndojnë dyshime për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri tashmë i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit e migracionit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai deklaroi se Huduti ka qenë e përfshirë si “e infiltruar” në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.

Nga ana tjetër, vetë Igballe Berisha-Huduti i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe akuzat e autoriteteve. Përmes një reagimi, ajo ka theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër të fshehur. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara