Lajmet

​Kurti: Isha në Shtëpinë e Bardhë, qëllimi i vizitës në ShBA ishin siguria dhe investimet

Kurti tha se në Amerikë ka kërkuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Published

on

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti ka thënë të premten se qëllimi i vizitës dyjavore ka qenë siguria dhe investimet në Kosovë. Shefi i ekzekutivit qëndroi jashtë vendit 20 ditë pasi u ndal edhe në Zvicër pas vizitën në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri Kurti duke iu përgjigjur kritikave që nuk takoi asnjë zyrtar të lartë në Amerikë, tha se ka qëndruar në Shtëpinë e Bardhë dhe ka takuar këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

“Dy qëllime kryesore kanë qenë të kësaj vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e para është investimet në Kosovë, e dyta është siguria për Kosovën. Shumicën dërmuese të takimeve i kam pasur me kompanitë e ndryshme, të cilët i kam njoftuar për progresin në Kosovë për shanset në investime dhe kam kërkuar kontributin e tyre përmes përfitimeve të dyanshme dhe tjetra ka qenë siguria për Kosovën në dritën e problemeve të cilat i kemi në Ballkan, e këto probleme kanë një burim kryesor e që është Beogradi zyrtar dhe së fundmi edhe lidhja e ngushtë e tyre me një shtet që ndodhet në luftë si puna e Federatës Ruse, dhe agresionit të saj të pajustifikuar, të paligjshëm, të paprovokuar në Ukrainë”, theksoi Kurti.

Në një prononcim të shkurtër për media, kryeministri Kurti tha se në Amerikë ka kërkuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe në NATO që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim Këshillin e Evropës ku tashmë kemi aplikuar, aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit, përveç shteteve anëtare, e në mesin e të cilave duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithashtu kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Kurti foli edhe për kritikat nga opozita dhe shoqëria civile që nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë duke thënë se kjo nuk është e vërtetë.

“Që do të qëndroj gjatë unë e kam paralajmëruar me kohë nuk ka të befasuar, përveç atyre që nuk i ndjekin zhvillimet politike. Kam thënë se sa pyesni se kur po shkon në Amerikë, së shpejti do të pyesni se kur po kthehesh. Dhe saktësisht ashtu ka ndodhur dhe së dyti unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë, dhe takimi që është mbajtur aty ka qenë me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, që është pikërisht takim në funksion të një qëllimi tjetër përveç investimeve në Kosovë, ajo është siguria për Kosovën. Sullivan është një person i informuar”, tha ai.

Këto komente Kurti i bëri pas hapjes së Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, i cili tha se Beogradi duhet të ndryshojë.

“Është përmendur edhe dialogu Kosovë-Serbi me ç’rast qëndrimi dhe qëllimi është i palëkundshëm. Pra, Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me ç’rast në qendër duhet të jetë njohja reciproke”, theksoi Kurti.

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pacolli: Vazhdon rrënimi i objekteve pa leje në Ujman, deri tani 17 objekte janë shembur

Published

on

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se po vazhdon aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike përreth Liqenit të Ujmanit.

Përmes një njoftimi, Pacolli ka bërë të ditur se deri tani janë rrënuar 17 objekte dhe vila në këtë zonë.

Ajo ka theksuar se aksioni do të vazhdojë edhe më tej dhe do të shtrihet në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit.

“Ky aksion do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit”, ka shkruar Pacolli.

Aksionet për lirimin e pronave publike në zonën e Ujmanit kanë përfshirë edhe rrënimin e objekteve të tjera të ndërtuara pa leje, përfshirë vila dhe objekte të shfrytëzuara në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.

Ndryshe sot, është rrënuar hoteli “Jezero”, i cili ndodhej në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” përreth Liqenit të Ujmanit.

Aksioni i rrënimit u realizua nga përfaqësues të “Ibër-Lepencit”, me asistimin e Policisë së Kosovës. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara