Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.
KRU “Prishtina” thekson se nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit, ngase kompania ka një kosto të lartë të trajtimit të ujit dhe shpërndarjes përmes tubacioneve primare, sekondare e terciare deri te konsumatorët.
“Nga dita e nesërme, 19 korrik 2023, duke filluar nga ora 10:00 do të rifillojmë me aksion intensiv me disa ekipe të shkyçjes, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha. Nesër, me asistencë të Policisë së Kosovës, shkyçjet do realizohen në një ndër lagjet më të mëdha të Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Profesoresha e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Fatbardha Qehaja – Osmani, së bashku me bashkëautoren Elma Berisha, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare Child Neuropsychology, revistë e specializuar në zhvillimin normal dhe jo-normal të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Studimi me titull “Working memory, updating and vocabulary development in Albanian-speaking children aged 8 and 10: the primacy of socioeconomic status” trajton marrëdhënien ndërmjet zhvillimit të fjalorit, kujtesës punuese, aftësisë për përditësimin e informacionit, dhe statusit socioekonomik te fëmijët që flasin shqip.
Studimi tregon se zhvillimi i fjalorit receptiv te fëmijët shqipfolës ndikohet si nga faktorët kognitiv, ashtu edhe nga faktorët mjedisorë. Statusi socio-ekonomik (SES) doli të ishte faktori më i rëndësishëm, duke treguar se mjedisi familjar, ekspozimi ndaj gjuhës dhe mundësitë për arsimim luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fjalorit.
Kujtesa punuese pati një ndikim më të kufizuar në zhvillimin e fjalorit dhe ky ndikim ndryshonte në varësi të statusit socio-ekonomik. Gjetjet sugjerojnë se aftësia e kujtesës punuese nuk është e mjaftueshme për të nxitur zhvillimin e fjalorit nëse mjedisi socio-ekonomik kufizon mundësitë e fëmijës për ekspozim dhe përvojë gjuhësore.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, Blanca Hereza Atienza, e cila shoqërohej nga delegacioni i saj.
Fokus i këtij takimi ishin zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, situata aktuale, si dhe rëndësia e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës Veriatlantike.
Gjatë bisedës, ministri Maqedonci vlerësoi lart bashkëpunimin dypalësh dhe rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e më gjerë.
Ai ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij partneriteti dhe për të dhënë kontributin e saj me kapacitetet ekzistuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. /E.A/
Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.
Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke renditur disa prova dhe dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë kryerjen e veprës penale, raporton”Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Avni Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Sveçla aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Sipas Namanit, pas përhapjes së gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokuroria ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, ku, sipas saj, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në raportin e vendit të ngjarjes janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke pretenduar se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa sipas tij, edhe pamjet e video-incizimeve nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm.
Në fjalën e tij përfundimtare, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin po gjykohet ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se territori që, sipas tij, ishte kërkuar të mbrohej nuk është më pjesë e territorit të Kosovës.
Përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë përcjellë sot nga afër zhvillimet brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.
Aty u mblodhën deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas kërkesës së sërishme për vazhdimin e seancës konstituive.
Pavarësisht pronisë së diplomatisë ndërkombëtare dhe deputetëve opozitarë, përpjekja mbeti pa rezultat. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u paraqitën në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e thirri vazhdimin e saj. /E.A/