Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës pas publikimit të listës së lojtarëve për ndeshjet e javës së ardhshme ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Takimet i takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të Hendbollit 2027. Ndeshja e parë do të zhvillohet të enjten në Tuzla, ndërsa takimi i kthimit është programuar të dielën në Prishtinë.
Në Kombëtare janë rikthyer disa lojtarë kyç, ndërsa emër i ri në listë është Olt Kabashi. Megjithatë, disa mungesa janë konfirmuar.
“Kemi disa mungesa, por mendoj se ende kemi ekip që mund ta sfidojë Bosnjën në një ditë të mirë,” ka deklaruar Ostlund.
Nëse Kosova eliminon Bosnjë-Hercegovinën, Kombëtarja do të ketë vetëm një pengesë tjetër drejt Botërorit. “Mendoj se kemi shansa të avancojmë. Bosnja natyrisht është favorite, por kam besim të fortë në ekipin tim dhe do të bëjmë çdo gjë të mundur,” shtoi përzgjedhësi suedez.
Në raundin e parë kualifikues, Kosova eliminoi Britaninë e Madhe, por Bosnjë-Hercegovina përfaqëson një nivel më të lartë evropian. “Është ekip fizik, me lojtarë që luajnë në skuadra të mëdha dhe me një grup të gjerë. Do të jetë një sfidë e vërtetë ta mposhtim Bosnjën,” tha Ostlund.
Ky grumbullim do të jetë i treti i suedezit me Kombëtaren e Kosovës. “Jam i kënaqur. Herën e parë kur takova ekipin e mposhtëm Britaninë e Madhe dy herë. Ishte hera ime e parë me një ekip nga Ballkani dhe e kam shijuar shumë. Në kampin e dytë kishim dhjetë lojtarë të lënduar, kështu që pata mundësinë të shoh dhe testoj shumë lojtarë të rinj,” përfundoi Ostlund.
Kosova synon të tregojë forcën e saj dhe të marrë avantazhin për fazën finale të kualifikimeve për Botërorin 2027.