Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, deklaroi këtë të mërkurë se destabilizimi global i shkaktuar nga lufta në Iran e detyron Britaninë të rreshtohet më ngushtë me aleatët evropianë në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë. Ky qëndrim vjen pas kritikave të përsëritura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, raporton mediumi britanik Reuters.
Në një konferencë për media, të thirrur për të zbutur shqetësimet e publikut mbi rritjen e kostove të jetesës, Starmer tha se ndikimi i kësaj lufte do të “na përcaktojë për një gjeneratë” dhe mund të krahasohet me krizën e çmimeve të energjisë të viteve ’70.
Partneritet më i ngushtë me BE-në
Starmer shpalosi planet për një samit të ri me Bashkimin Evropian në javët e ardhshme, me shpresën për të riparuar disa nga “dëmet e thella” të shkaktuara nga Brexit.
“Është gjithnjë e më e qartë se derisa bota vazhdon në këtë rrugë të paqëndrueshme, interesi ynë afatgjatë kombëtar kërkon partneritet më të ngushtë me aleatët tanë në Evropë,” tha Starmer para gazetarëve në “Downing Street”.
Përplasja me Trump
Presidenti Trump kritikoi sërish të martën vendet evropiane që refuzuan t’i bashkohen luftës kundër Iranit, duke veçuar Britaninë dhe Francën. Kjo ka çuar në përkeqësimin e raporteve transatlantike, në një kohë kur konflikti ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë.
Trump i paralajmëroi këto vende të “mësojnë si të luftojnë për veten”, sepse SHBA-ja “nuk do të jetë më aty për t’i ndihmuar”.
Edhe pse pas zgjedhjes së Trump në vitin 2024, Starmer u përpoq të pozicionohej si një urë lidhëse mes Evropës dhe SHBA-së, raportet mes tyre janë krisur publikisht për shkak të refuzimit të Londrës për t’u bërë pjesë e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Interesi Kombëtar mbi Presionin
Ndonëse fillimisht Starmer refuzoi kërkesën e SHBA-së për të përdorur bazat britanike për sulme ndaj Iranit, ai më vonë lejoi ato që i quajti “misione mbrojtëse” për mbrojtjen e qytetarëve në rajon.
I pyetur për kritikat e Trump, Starmer u përgjigj: “SHBA-ja dhe Britania janë aleatë të ngushtë prej një kohe shumë të gjatë. Unë do të veproj në interesin kombëtar britanik, pavarësisht presionit mbi mua.”
Lidhur me krizën energjetike, Starmer nuk njoftoi masa të reja për familjet, por konfirmoi se Britania do të jetë nikoqire e takimeve këtë javë me 35 shtete, me qëllim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. /Reuters/