Lajmet

​Konjufca: Ka vullnet të shumë shteteve ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës

Ai u shpreh optimist për dorëzimin e aplikacionit dhe anëtarësimin në këtë institucion të BE-së.

Published

on

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi sot se ka vullnet të shumë shteteve ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Ai u shpreh optimist për dorëzimin e aplikacionit dhe anëtarësimin në këtë institucion të BE-së.

“Për shkak të atij kontributi të gjatë dhe që është fokusuar, mendoj se viti i duhur është këtë vit për të aplikuar Kosova në Këshill të Evropës, aq më shumë se ka pas një ndryshim të rrethanave ndërkombëtare, pas invazionit të paprovokuar të Rusisë mbi Ukrainën. Po ashtu edhe vullneti i shumë shteteve që e kanë njohur Kosovës është që të na mbështesin drejtpërdrejt, bile e kanë dhënë tashmë, siç ishte Gjermania, deklarata e fundit e kancelarit Scholz para Vuçiqit për përkrahjen e Kosovës në Këshill të Evropës. Kjo na bënë optimistë se është e mundshme dhe duhet të ia dalim në këtë drejtim”, tha ai.

Kryeparlamentari tha se përgjatë 1 viti është bërë punë e madhe për dorëzimin e aplikacionit, por nuk ia hoqi meritat edhe ish-qeverive të kaluara.

“Kemi bërë gjithçka çka është e mundshme me të gjitha institucionet e Kosovës, kemi edhe delegacionin tonë atje që është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit dhe merr pjesë rregullisht në asamblenë e Këshillit të Evropës. Është bërë punë e madhe së paku në një vit, por puna ka qenë edhe në kuadër të qeverive të mëhershme, kurrë nuk është ndalur ajo punë. Edhe vet kur kam qenë në opozitë kam qenë në kuadër të delegacionit në Këshill të Evropës dhe kemi punuar të gjithë së bashku, pavarësisht partive politike, pasi ky është sukses i Kosovës dhe jo i ndonjë partie të veçantë”, shtoi Konjufca.

Këto komente Konjufca i bëri pas homazheve te varri i heroit, Agron Rrahmani në 24-vjetorin e rënies së tij.

“Është njëra prej figurave që ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë dhe të madh që populli jonë sot të jetojë i lirë në Kosovën tonë. Ai ishte bashkëpunëtor edhe me Bahri Fazliun dhe veprimtarë të tjerë të cilët u bashkuan në UÇK-në”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme elektronike veçse miratoi nismën për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Lajmet

Dizajnerët kosovarë prezantojnë Kosovën në Eurovision përmes modës

Published

on

Kosova është e pranishme në Eurovision përmes krijimtarisë së dizajnerëve të saj, ndonëse nuk merr pjesë si shtet në garë.

Dy dizajnerët kosovarë, Valdrin Sahiti dhe Drenusha Xharra, kanë veshur prezantuesen e finales së Eurovision Song Contest 2025, Victoria Swarovski, në skenën që u mbajt në Vjenë.

Sipas mediave ndërkombëtare, Sahiti ka dizajnuar një fustan në ngjyrë smerald-jeshile me detaje që theksojnë siluetën, ndërsa Xharra është autore e një fustani ngjyrë vjollcë të veshur gjatë mbrëmjes finale.

Kjo prani vlerësohet si një përfaqësim i rëndësishëm i dizajnit kosovar në një nga skenat më të mëdha ndërkombëtare të muzikës dhe televizionit.

Continue Reading

Lajmet

Alis drithëron skenën e finales së Eurovision 2026 me “Nan”

Published

on

Këngëtari nga Shkodra, Alis Kallaçi, ka dhuruar një performancë të fuqishme dhe plot emocion në finalen e Eurovision 2026, ku u ngjit i pesti në renditje me këngën “Nan”.

Pas paraqitjes së suksesshme në gjysmëfinale, Alis performoi edhe njëherë në skenën madhështore në Vjenë, duke sjellë një interpretim që kombinoi emocionin, energjinë dhe një prezantim unik artistik. Pjesë e performancës ishte sërish aktorja Rajmonda Bulku, e cila me praninë e saj i dha këngës një dimension simbolik dhe emocional, duke theksuar mesazhin për figurën e nënës shqiptare.

Performanca u shoqërua me flamurin kuqezi dhe një atmosferë elektrizuese në sallë, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje dhe brohoritje të shumta. Ekspertët e Eurovisionit e kanë cilësuar Alisin si një nga vokalet më të spikatura të këtij edicioni.

Paraqitja e Shqipërisë në finalen e madhe u konsiderua një moment krenarie për publikun shqiptar dhe një nga performancat më emocionale të natës.

Continue Reading

Lajmet

“Inside Politics with Anisa” sjell diskutim të thellë mbi gjeopolitikën dhe sfidat globale me profesorin Alfred Marleku

Published

on

By

Në episodin më të ri të podcastit “Inside Politics with Anisa”, i ftuar ishte profesori i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, Alfred Marleku, me të cilin u zhvillua një debat i gjerë dhe aktual mbi zhvillimet globale, sigurinë ndërkombëtare dhe pozicionin e Kosovës në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

Ky episod solli një analizë të thelluar të sfidave gjeopolitike që po tronditin botën, duke u fokusuar në ndikimin e luftës në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, rivalitetin mes fuqive të mëdha dhe reflektimin e tyre në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë.

Profesori Marleku foli për sinjalet shqetësuese që po shfaqen në rajon, duke theksuar se Ballkani vazhdon të mbetet një hapësirë me rëndësi strategjike për interesat globale. Ai analizoi ndryshimet në arkitekturën e sigurisë pas luftës në Ukrainë, duke vlerësuar se rajoni po hyn në një periudhë të re sfidash, ku ndikimet politike, ekonomike dhe ushtarake mund të ndihen më fuqishëm se më parë.

Në diskutim u trajtua edhe tensioni mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësia që përshkallëzimi i konflikteve globale të ketë pasoja direkte për Evropën dhe Ballkanin. Profesori Marleku vlerësoi se shtetet e vogla, përfshirë Kosovën, duhet të jenë shumë më të përgatitura institucionalisht për t’u përballur me krizat e reja ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua politikës së jashtme të Kosovës, sfidave të saj strategjike dhe nevojës për një qasje më të koordinuar në raport me partnerët ndërkombëtarë. U diskutua edhe mbi neutralitetin politik në kohë krizash globale, ku profesori Marleku theksoi se në një botë të polarizuar, aleancat strategjike mbeten jetike për sigurinë dhe stabilitetin.

Po ashtu, në podcast u analizuan çështjet e sigurisë energjetike dhe ekonomike, duke ngritur pyetjen se sa e ekspozuar mbetet Kosova ndaj krizave globale dhe çfarë hapash duhet të ndërmerren për të rritur qëndrueshmërinë institucionale dhe kombëtare.

Podcasti “Inside Politics with Anisa” vazhdon të sjellë diskutime dhe analiza profesionale mbi politikën, shoqërinë dhe zhvillimet globale, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe debati për çështjet më të rëndësishme të kohës.

Continue Reading

Lajmet

Caktohen numrat e partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur shortin për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Sipas shortit të tërhequr nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje në fletëvotim do ta ketë numrin 116, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të garojë me numrin 125.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë numrin 113, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të paraqitet me numrin 128. Ndërkaq, Partia Socialdemokrate në zgjedhje do të garojë me numrin 129.

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor të këtij viti.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës do të garojnë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë.

Continue Reading

Të kërkuara