Lajmet

​Komunat rrezikojnë të mbesin pa buxhet, hesht Ministria e Financave

Pasojat që mund të dalin në realizimin e projekteve.

Published

on

Përveç opozitës, edhe kryetarë të komunave dhe shoqëria civile kërkojnë nga Qeveria e Kosovës zhbllokimin e buxhetit për komunat ose publikimin e Qarkores së dytë Buxhetore.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini thotë për KosovaPress se vonesa e lëshimit të Qarkores së dytë buxhetore shkakton probleme në përgatitjen e buxhetit për vitin 2023.

Kryetari Gjini tha se komunat po rrezikohen të mbesin pa buxhet. Derisa në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk janë përgjigjur për Kosovapress, se kur pritet të lëshohet kjo qarkore ose pse nuk është publikuar deri tash.

“Patjetër që mund të shndërrohet në problem, për shkak se sivjet kemi pasur vonesa për buxhet. Ndërsa, nëse vonohet, mund të ketë vonesa për buxhetin e vitit 2023, këto mandej shkaktojnë edhe vonesa për gjithçka tjetër… A mund të rrezikohet komunat për Buxhet? Patjetër. Megjithatë ende ka kohë, mendoj se mundet me ndodhur këto ditë, brenda afateve optimale qarkorja e dytë, mirëpo nëse vonohet patjetër se na nxjerrë problem”, thotë Gjini.

Hulumtuesi në Iniciativa për Progres (INPO), Diell Haxhimusa ka ftuar Ministrinë e Financave që sa më parë të publikojë Qarkoren e dytë buxhetore, për arsye se kjo lidhet ngushtë me funksionimin e mirëfilltë të komunave për buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Ftoj ministrinë që sa më shpejt të publikojë qarkoren e dytë, për arsye se lidhen ngushtë me funksionimin e mirëfilltë të komunave për buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas ligjit, më 1 shtator bëhet votimi në asambletë komunale për buxhetin e ardhshëm dhe gjithçka përfundon aty me komunën. Ndërsa, tash jemi në gusht, mirëpo Ministria ende nuk e ka publikuar qarkoren e dytë për komunat”, thekson ai.

Hulumtuesi Haxhimusa ka treguar edhe pasojat që mund të dalin në realizimin e projekteve. Sipas tij, edhe vitin e kaluar është publikuar me vonesë Qarkorja e dytë, më 12 gusht, për çka ka pasur probleme në konsolidimin e buxheteve të tyre.

“Si pasojë e kësaj vonese, komunat mund të fusin projekte të paplanifikuara mirë ose mund të bëjnë veprime të paplanifikuara mirë, të cilat bien ndesh me ligjin për planifikimin e projekteve, të cilat nuk janë reale me nevojat e qytetarëve. Këto ndryshime pastaj mund të prodhojnë pasoja për vitin e ardhshëm”, thotë ai.

Gjatë ditës ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se për inate politike Qeveria Kurti po i sjell qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre.

“Tani, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave – ajo me qëllim po e zvarritë realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, dje ka kërkuar urgjentisht nga ministri i Financave dhe Tranfereve Hekuran Murati që të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore, e cila iu mundëson komunave të Kosovës të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

“Si proces është shumë i vonuar dhe i rrezikon komunat të mos kenë mundësi teknike ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave, me saktësisht më datën 1 shtator që është obligim ligjor që buxheti t’i dorëzohet Kuvendit të Komunës”, thuhet në reagim.

Po ashtu, potencohet se mos dorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator i kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës dhe si i tillë i penalizon komunat nga përfitimet financiare nga granti i performancës.

Lajmet

PDK dërgon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit, kërkon masë të menjëhershme të përkohshme

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave dhe vendimeve që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa është dorëzuar fizikisht nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

Përmes këtij hapi, opozita konteston zyrtarisht tri vendime të ditëve të fundit: vendimin e 9 shtatorit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimin procedural të 11 shtatorit lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimin e 13 shtatorit që shpallte të konstituar Legjislaturën XI. PDK kërkon nga Gjykata që t’i vlerësojë këto procese dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve që pretendohet se janë bërë.

Gjatë dorëzimit të lëndës, përfaqësuesit e PDK-së deklaruan se ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur renditjen kushtetuese nga kalkulimet politike. Arian Tahiri theksoi se institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës duhet ta thotë fjalën e vet përfundimtare, ndërsa deputeti Përparim Gruda shtoi se rregullat në Kosovë duhet t’i përcaktojë Kushtetuta dhe jo vullneti i një partie politike.

Krahas kërkesës kryesore, avokati Faton Fetahu bëri me dije se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë menjëherë një masë të përkohshme. Kjo masë synon pezullimin e pasojave të mëtejshme juridike dhe parandalimin e krijimit të fakteve të reja institucionale derisa të merret një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të dërgojë në Kushtetuese edhe një lëndë tjetër të veçantë, e cila ka të bëjë me procesin e formimit të Qeverisë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Në vitin 1962, një burrë bleu një pikturë për 4 dollarë në treg dhe më vonë u zbulua se ishte një kopje origjinale e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së me vlerë miliona.
  2. Ka një hotel në Suedi që ndërtohet çdo vit krejtësisht nga akulli dhe shkrihet përsëri në pranverë.
  3. Shkencëtarët kanë zbuluar se lopët kanë “shoqe të ngushta” dhe stresohen kur ndahen prej tyre.
  4. Në Korenë e Jugut ekziston një ditë e quajtur “Black Day”, ku beqarët mblidhen dhe hanë petë me salcë të zezë.
  5. Një burrë në Japoni u bë i famshëm duke mos bërë asgjë — njerëzit e paguajnë vetëm që t’i shoqërojë në heshtje.

Continue Reading

Lajmet

“Die Fledermaus” rikthehet në skenën e TKOBAP-së më 25, 26 dhe 27 shtator

Published

on

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të sjellë në skenë operetën e njohur “Die Fledermaus” të kompozitorit Johann Strauss II, më 25, 26 dhe 27 shtator.

E cilësuar si një nga veprat më të dashura të repertorit të operetës, “Die Fledermaus” sjell një histori plot keqkuptime, identitete të rreme, flirt, sekrete dhe situata komike.

Ngjarjet zhvillohen rreth një feste me maska, ku një hakmarrje shndërrohet në një seri episodesh të papritura, të shoqëruara nga ritmet karakteristike të valsit vjenez.

Me humor, elegancë dhe atmosferë festive, shfaqja premton muzikë dhe argëtim, ndërsa maskat bien njëra pas tjetrës dhe sekretet dalin në dritë.

Biletat mund të blihen pranë biletarisë së TKOBAP-së, nga e hëna deri të dielën, në oraret 10:00–14:00 dhe 16:00–20:00. Në ditët e shfaqjeve, biletaria do të jetë e hapur nga ora 10:00 deri në 14:00 dhe nga 16:00 deri në 19:30.

“Die Fledermaus” fton publikun të përjetojë një festë ku asgjë nuk është ashtu siç duket dhe ku, deri në fund, askujt nuk mund t’i besohet plotësisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Justin Bieber feston tetëvjetorin e martesës me Hailey-n: “Tetë vjet deri në pafundësi”

Published

on

Justin Bieber ka shënuar tetëvjetorin e martesës me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, duke ndarë një seri fotografish romantike në Instagram.

Këngëtari 32-vjeçar publikoi momente të ndryshme me Hailey-n, duke përfshirë pamje teksa luajnë bilardo, përqafohen dhe puthen.

“Tetë vjet deri në pafundësi. Fillime të reja. Të dua, zemër. Gëzuar përvjetorin”, shkroi Bieber në përshkrimin e postimit, të cilin e ndau me ndjekësit e tij në Instagram.

Edhe Hailey reagoi me humor ndaj postimit të bashkëshortit. “Tetë vjet që luajta në bilardo, për fat të keq”, shkroi ajo në koment, duke shoqëruar fjalët me emoji puthjesh. Më pas, ajo e shpërndau postimin e Justin-it edhe në story.

Çifti u martua në shtator të vitit 2018, vetëm disa muaj pasi u fejuan. Justin i kishte propozuar Hailey-t gjatë një udhëtimi në Bahamas.

Dyshja njiheshin prej vitesh përpara se lidhja e tyre të bëhej romantike. Mediat nisën t’i lidhin për herë të parë në vitin 2014, ndërsa marrëdhënia e tyre kaloi në disa faza para se të riktheheshin bashkë në vitin 2018.

Në maj të vitit 2024, Justin dhe Hailey njoftuan se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Lajmin e bënë publik përmes fotografive dhe një videoje nga rinovimi i premtimeve të tyre në Hawaii, ku Hailey shfaqej shtatzënë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara