Sport

​KOK-u mbyll kampanjën “Jepi paqes një shans”, nënshkruan marrëveshje me “PLAY International”

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tregoi mesazhin që ka përçuar kjo kampanjë me ngritjen e letrave të bardha.

Published

on

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me federatat e sportit si ajo e basketbollit, atletikës, tenisit, karatesë, si dhe Komitetin Paraolimpik të Kosovës organizuan sot aktivitete të ndryshme sportive, në shënimin e mbylljes së kampanjës “Jepi paqes një shans”. Ndërkohë që ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “PLAY International”.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tregoi mesazhin që ka përçuar kjo kampanjë me ngritjen e letrave të bardha, veçanërisht në këtë kohë lufte që po zhvillohet mes agresorit rus dhe Ukrainës.

“Ngritja e letrës së bardhë simbolizon dërgimin e mesazhit të paqes në botë. Ky mesazh si kurrë më parë meritonte të përçohej pikërisht tani, kur bota ka kthyer vëmendjen te lufta në Ukrainë, e cila na kujton më së miri ndjenjën që ne kishim 23 vite më parë”, tha Krasniqi.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha që sportistët janë ata të cilët e dëshmojnë që mund të jesh kundërshtarë i rreptë në arenën sportive dhe të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.

“Sportistët janë ata që dëshmojnë se është e mundshme me qenë kundërshtarë i rreptë në arenën sportive, por njëkohësisht për të jetuar në miqësi, në paqe dhe duke e respektuar njëri-tjetrin. Kjo është zotësia e sportit, për ta ndryshuar botën, për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm e paqe, si dhe solidaritet për të gjithë, e madje do të thosha që ky është misioni i shenjtë i sporteve, me i bashku njerëzit në gara paqësore, që ndonëse i fusin në konkurrencë nga njëra anë, e bashkojnë dhe vëllazërojnë krejt njerëzimin në gjithë diversitetin e vet”, tha Rama.

Në anën tjetër, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës dhe njëkohësisht anëtarë i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (NOC), Morinari Watanabe, u shpreh tejet i kënaqur me pjesëmarrjen e sotme në këtë ceremoni, ndërsa tha që duhet të inkurajohet respekti për njëri-tjetrin në mënyrë që të shmanget çdo konflikt i mundshëm.

“Kombet e Bashkuara përcaktojnë pesë përfitime që mund të arrihen përmes sportit. Përfitimi i parë është zhvillimi dhe forcimi i aftësive të nevojshme të fëmijëve për jetë. E dyta është zhvillimi jo vetëm fizik por edhe mendor. E treta është promovimi i barazisë gjinore. E katërta është rritja e përfshirjes sociale të gjithë njerëzve, pavarësisht nga aftësitë e tyre të kufizuara. E pesta, që mendoj se është ndër më të rëndësishmet, është respektimi i njëri-tjetrit dhe nxitja e solidaritetit. Unë besoj se nëse do të ishim në gjendje të inkurajonim respektin për njëri-tjetrin në botë, sot, kjo mund të shmangte përshkallëzimin që çon në konflikt”, tha Watanabe.

Ambasadorja e Francës në Kosovës, Marie-Christine Butel u shpreh tejet e lumtur që është pjesëmarrëse në aktivitetin e sotëm, ku tha që sporti është gjuhë e fuqishme, qëllimi i së cilës është thyerja e barrierave dhe ofrimi i një jetese plot diversitet.

“Jam e lumtur që sot në ditën ndërkombëtare të sportit për zhvillim dhe paqe, marrë pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga partnerët tanë, ngjarje kjo që ka për qëllim promovimin e vlerave që ka sporti. Sporti është gjuhë e fuqishme, qëllimi i së cilës është thyerja e barrierave dhe ofrimi i një jetese plot diversitet, nga pikëpamja e kulturave të ndryshme, e komuniteteve, mbi vlerat e përbashkëta, dinjitetin njerëzor, respektin, barazinë, e vëllazërinë. Për këtë është e rëndësishme që t’ua mësojmë gjeneratave të reja, vlerat që ka sporti”, tha Butel.

Në fund, presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi së bashku me shefen e organizatës “PLAY International”, Sara Kalachova, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, për të organizuar së bashku aktivitete të ndryshme sportive, ku Kalachova tha që të gjithë së bashku mund të tregojnë se janë pjesë e një komuniteti mbarë botëror që është i vendosur të bëj veprime për të transformuar botën përmes sportit.

Në ceremoninë e sotme, prezent ishin fytyra të shumta publike, ndër ta presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës dhe njëkohësisht anëtarë i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, Morinari Ëatanabe, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel dhe shefja e organizatës “PLAY International”, Sara Kalachova.

Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe me sloganin “Jepi paqes një shans” filloi aktivitetet e saj më datën 6 prill deri më sot, respektivisht më 13 prill, dhe kishte për synim promovimin e paqes dhe të sportit.

Sport

“Prishtina Open 2026” rikthehet për edicionin e katërt, mbi 300 pingpongistë priten në kryeqytet

Published

on

By

Prishtina do të jetë nikoqire, për herë të katërt radhazi, e turneut ndërkombëtar të pingpongut “Prishtina Open 2026”, i cili do të zhvillohet nga 28 deri më 30 gusht.

Edicioni i sivjetmë pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë deri më tani, me mbi 300 pingpongistë që pritet të marrin pjesë në garat që do të zhvillohen në kryeqytetin e Kosovës.

“Prishtina Open” tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për pingpongun kosovar, duke u ofruar sportistëve mundësinë të përballen me garues nga vende të ndryshme dhe të fitojnë përvojë në arenën ndërkombëtare.

Turneu do të zgjasë tri ditë dhe është i regjistruar edhe në kalendarin e Unionit Evropian të Pingpongut (ETTU), duke i dhënë aktivitetit një dimension të rëndësishëm ndërkombëtar.

Organizimi i edicionit të katërt vjen si vazhdimësi e suksesshme e turneve të mëparshme, me synimin për të promovuar pingpongun në Kosovë dhe për ta konsoliduar Prishtinën si një pikëtakim të rëndësishëm të sportistëve nga rajoni dhe më gjerë.

“Prishtina Open 2026” organizohet nga Klubi i Pingpongut Priping, në bashkëpunim me Federatën e Pingpongut të Kosovës, ndërsa mbështetet nga Ministria e Sportit dhe Rinisë dhe Drejtoria e Sportit e Komunës së Prishtinës.

Me pjesëmarrjen e mbi 300 sportistëve, edicioni i sivjetmë pritet të sjellë konkurrencë të fortë, përballje interesante dhe spektakël për adhuruesit e pingpongut, duke e bërë “Prishtina Open 2026” një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij sporti në Kosovë.

D.L

Continue Reading

Sport

Myrto Uzuni shkëlqen me “hat-trick” për Austinin në Leagues Cup

Published

on

By

Myrto Uzuni ka zhvilluar një paraqitje fantastike me Austin FC në Leagues Cup, duke shënuar tre gola në fitoren bindëse 3:0 ndaj skuadrës meksikane Puebla.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ishte protagonisti kryesor i ndeshjes së zhvilluar në orët e para të së hënës, duke realizuar një “hat-trick” për t’i dhënë skuadrës amerikane një fitore të rëndësishme.

Uzuni e zhbllokoi ndeshjen me një goditje dënimi, ndërsa golin e dytë e realizoi pas një aksioni të rrjedhshëm të ekipit. Për të kompletuar paraqitjen e tij fantastike, shqiptari shënoi edhe golin e tretë me një volej spektakolar.

Pas ndeshjes, Uzuni u shpreh i lumtur për realizimin e parë të tre golave me fanellën e Austinit.

“Jam shumë i lumtur për ‘hat-trickun’ e parë me Austin. I falënderoj shumë tifozët”, deklaroi Uzuni.

Sulmuesi shqiptar vazhdoi festën edhe pas përfundimit të ndeshjes, duke iu bashkuar tifozëve dhe duke udhëhequr festën me daulle në tribunat e stadiumit.

Leagues Cup është një garë ku përballen klubet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madridi interesohet për Zubimendin, Arsenali kërkon 90 milionë euro

Published

on

By

Real Madridi ka kthyer vëmendjen nga Martin Zubimendi, të cilin e sheh si një alternativë për përforcimin e mesfushës, pasi nuk ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri.

Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, gjiganti spanjoll po shqyrton mundësinë e transferimit të Zubimendit, i cili pas vetëm një sezoni te Arsenali është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.

Megjithatë, një transferim i mundshëm nuk do të jetë i lehtë. Arsenali nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e mesfushorit spanjoll për më pak se 90 milionë euro, duke vendosur një çmim të lartë për një prej pjesëtarëve kryesorë të repartit të mesfushës.

Zubimendi iu bashkua Arsenalit nga Real Sociedad dhe ka arritur të përshtatet shpejt me futbollin anglez. Para tij, Real Madridi kishte tentuar të afronte Rodrin si një prej objektivave kryesorë për mesfushën, por interesimi për fituesin e Topit të Artë nuk është konkretizuar.

Në rast se transferimi te Real Madridi realizohet, Zubimendi do të rikthehej në La Liga pas vetëm një sezoni në Premier League, këtë herë për të veshur fanellën e një prej klubeve më të mëdha në Evropë.

Për momentin, Arsenali mbetet i vendosur në kërkesën prej 90 milionë eurosh, ndërsa tash i takon Real Madridit të vendosë nëse është i gatshëm të bëjë investimin për transferimin e mesfushorit spanjoll.

D.L

Continue Reading

Sport

KFF Mitrovica shkruan histori, siguron kualifikimin në UEFA Women’s Europa Cup

Published

on

By

KFF Mitrovica ka arritur një sukses të madh në arenën evropiane, duke siguruar kualifikimin në UEFA Women’s Europa Cup pas fitores 2:1 ndaj Ferencvárosit.

Skuadra mitrovicase zhvilloi një ndeshje të fortë, ndërsa protagonistja kryesore ishte Aurora Mulliqi, e cila me dy golat e saj në minutat 76 dhe 81 i dha Mitrovicës një përmbysje të madhe dhe një fitore historike.

Ky rezultat përbën një tjetër kapitull të rëndësishëm për KFF Mitrovicën dhe një arritje të veçantë për futbollin e femrave në Kosovë, duke siguruar vazhdimin e garimit në skenën evropiane.

Për këtë sukses, meritat shkojnë për futbollistet, stafin teknik të udhëhequr nga Shpëtim Idrizi, drejtuesit e klubit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim.

Federata e Futbollit e Kosovës ka uruar KFF Mitrovicën për këtë sukses, duke i dëshiruar klubit shumë fat dhe suksese në vazhdim të aventurës evropiane.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara