Lajmet

​KMDLNj: Marrëveshja për trafikim të të burgosurve me Danimarkën është raciste

KMDLNj në reagim thekson se në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave.

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar sërish lidhur me marrëveshjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të Danimarkës, duke thënë se të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze.

KMDLNj në reagim thekson se në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes.

“Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit. Do të kenë problem të komunikimit me stafin sikur edhe të përshtatjes në një mjedis tjetër social. Do të jetë problem i shfrytëzimit të beneficioneve dhe probleme tjera”, thuhet në reagim.

Reagim i KMDLNj – së:

Rikujtim i KMDLNj-së për deputetët e Kuvendit të Kosovës

MARRËVESHJA PËR TRAFIKIM TË TË BURGOSURVE ME DANIMARKËN ËSHTË DISKRIMINUESE DHE RACISTE!

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, i shoqëruar me Komisionin për Legjislacion të atij vendi ishte për vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit për të vizituar vendin ku, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më parë, do të vendosen mbi 300 të burgosur dhe të dënuar nga Danimarka, asnjë nga ta nuk është shtetas i Danimarkës por nga shtetet e treta e që janë dënuar në Danimarkë por se ky shtet, nga pozitat e trajtimit puro racist i dërgon në një shtet tjetër duke mos bërë përpjekje fare t’i risocializojë ata. Arsyetimi i Danimarkës është mashtrues sepse, sipas tyre nuk paska kapacitete të mjaftueshme për t’i vendosur dhe ekzekutuar dënimet për shtetasit e shteteve të treta kurse, po në të njëjtën kohë paska kapacitete të mjaftueshme të mbajnë në institucionet korrektuese të gjithë shtetasit e Danimarkës. Prej kohës kur është nënshkruar marrëveshja midis Danimarkës dhe Kosovës, autoritetet daneze kanë pasur kohë të mjaftueshme sikur edhe mundësi të mëdha materiale ta ndërtojnë një burg në Danimarkë apo të përshtatin një objekt ku do t’i vendosnin të dënuarit, asnjëri nga ta shtetas i Danimarkës. Por qëllimi është se qartazi nuk duan të merren me ta prandaj ua shesin Kosovës për një afat 10 vjeçar, me një kompensim 210 milionë euro që kur të përpjesëtohet dhe hiqen investimet del të jetë një shumë e papërfillshme.

Arsyetimi tjetër ishte dhe është politik; se Danimarka e paska njohur Kosovën që në fillim, se Hans Hakerup paska qenë kryeadministrator i Kosovës dhe broçkulla tjera kurse, dje, ministri danez i drejtësisë tha se Danimarka do ta ndihmojë Kosovën në proceset integruese në BE–e dhe anëtarësim në Këshill të Evropës gjëra që nuk kanë fare të bëjnë me të burgosurit nga Danimarka që do të transferohen në Kosovë. Madje, po të ishte Kosova anëtare e Këshillit të Evropës kjo marrëveshje as që do të jetësohej shkaku se shkelë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria në baza etnike dhe racore. Nuk është e vërtetë se trajtimi i të burgosurve ka qenë përcaktues që Danimarka ka vendosur për Kosovën e jo për ndonjë shtet tjetër. E vërteta është se asnjë shtet nuk ka pranuar as të bisedojë për këtë çështje sepse kjo marrëveshje, ashtu siç është e përligj trafikimin me qenie njerëzore sikur edhe krijimin e një sistemi paralel korrektues brenda një shteti. Në rastin konkret në Kosovë do të kemi dy sisteme korrektuese, ai që është aktualisht në fuqi sipas Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Kosovës dhe sistemi paralel korrektues për Burgun e Gjilanit që punon sipas Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Danimarkës. Të burgosurit e importuar nga Danimarka do të trajtohen sipas ligjeve të Danimarkës ku standardet janë shumë më të larta se në Kosovë, në të gjitha aspektet; shëndetësorë, ushqimit, trajtimit, kushteve fizike, beneficioneve, vizitave, aktiviteteve sportive dhe kulturore etj. Nga Ministria e Drejtësisë doli një “zotim“ se të burgosurit nga Danimarka do të trajtohen mirë në Kosovë në kohën që këta nuk do të pyeten për asgjë sepse ligjet e Kosovës vdesin brenda Burgut të Gjilanit ku do të jenë në fuqi ligjet e Danimarkës. Është ndoshta paradoksale por të burgosurit që i janë shitur Kosovës nga Danimarka do të kenë trajtim shumë më të mirë dhe kushte më të mira se që do t’i kenë oficerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Mos të flasim për krahasim me të privuarit nga liria kosovarë dhe të huaj që e vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës.

Me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë që, as përsëafërmi nuk do të trajtohen sikur të burgosurit e importuar nga Danimarka, në asnjë aspekt. Në aspektin afatgjatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë humbës i padiskutueshëm sepse për shkak të dallimeve jonormale të trajtimt brenda një sistemi unik juridik të një vendi, këta do të përballen me revolten e të dënuarve vendas. Pastaj, të burgosurit nga Burgu i Gjilanit duhet të vendosen në qendra të tjera që e ruajtjen e një mjedisi social përmes vizitave dhe takimeve me familjarë. Brenda SHKK –së, nuk po ka guxim të kundërshtohet kjo marrëveshje shkaku se mund t’i humbin vendet e punës sikur që në skenë tani është një garniturë karrieristësh që nuk marrin fare vesh me punën e Shërbimit Korrektues prandaj po favorizojnë bashkëpunëtorë me një të kaluar aspak të mirë e që shumë e kanë dëmtuar Shërbimin Korrektues të Kosovës, i cili, përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, ka qenë shërbim shumë i mirë dhe i suksesshëm, krahasuar me vendet e rajonit. Tash, ndërhyrjet politike në punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë kapitale.

Të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze. Në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes. Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit. Do të kenë problem të komunikimit me stafin sikur edhe të përshtatjes në një mjedis tjetër social. Do të jetë problem i shfrytëzimit të beneficioneve dhe probleme tjera.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës po mundohet të bind deputetët e Kuvendit të Kosovës se kjo është marrëveshje ndërkombëtare, se është e dobishme për Kosovën prandaj duhet ta votojnë pa asnjë kundërshtim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se kjo marrëveshje legalizon një sistem tjetër, të një shteti tjetër të Ligjit për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të të cilin nuk do ta pranonte asnjë shtet normal. Duket se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë të qartë se çka po votojnë dhe se çfarë dëmi po i shkaktojnë Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe se me votimin e kësaj Marrëveshjeje ata, në fakt po e legalizojnë një trajtim racist të personave të privuar nga liria duke i trajtuar të burgosurit e Kosovës si të burgosur të rendit të dytë krahasuar me ata të Danimarkës. Në këtë mënyrë do të bëhen pjesë aktive e shkeljes së të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Në fund të fundit, gjatë zgjedhjeve deputetët nuk e kërkojnë votën e të burgosurve nga Danimarka por votën e të burgosurve nga Kosova prandaj edhe përfaqësojnë dhe duhet t’i mbrojnë interesat e votuesve të tyre, të burgosurve nga Kosova.

Nuk ka shtet në botë që ka funksionuar një marrëveshje e tillë. Madje, edhe një marrëveshje e dy shteteve nordike që kanë vlera të njëjta demokratike në trajtimin e personave të privuar nga liria ka zgjatur vetëm një vit e gjysmë.

KMDLNj–ë e kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje dhe, në një kohë të përshtatshme do t’i drejtohet të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur edhe autoriteve daneze.

Vota për këtë Marrëveshje është votë për racizmin dhe për diskriminimin e personave të privuar nga liria. Prandaj, analizojeni mirë këtë marrëveshje, sidomos pasojat që do të jenë të pashmangshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për të privuarit dhe të dënuarit kosovarë.

Nëse votohet kjo marrëveshje, atëherë do të jetë legalizim i Zajednicës daneze në sistemin Korrektues të Kosovës ku do të kemi dy sovranitete korrektuese brenda një shteti të vetëm.

Vendi

Asambleja e Përgjithshme e EOQ-së mbahet në UBT, në fokus Kongresi i 67-të në Kosovë

Published

on

By

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ) është mbajtur në UBT, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e 67-të të kësaj organizate, i cili mbahet në Kosovë më 21–23 tetor 2026. Ky organizim merr rëndësi të veçantë pasi përkon me 70-vjetorin e themelimit të EOQ-së dhe 20-vjetorin e organizatës “Quality Kosova”, duke e vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare në fushën e cilësisë.

Gjatë Asamblesë, përfaqësuesit e organizatave kombëtare anëtare diskutuan për përgatitjet dhe koordinimin e kongresit, i cili do të mbledhë ekspertë, akademikë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Takimi shërbeu gjithashtu për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e cilësisë.

Kongresi i 67-të i EOQ-së do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nën temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”. Diskutimet do të përqendrohen në rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe transformimin digjital, me theks të veçantë në ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e besimit e të vlerave njerëzore.

Për EOQ-në, ky vit shënon 70 vjet nga themelimi i saj në vitin 1956. Gjatë këtyre dekadave, organizata ka kontribuar në avancimin e standardeve, zhvillimin e kulturës së cilësisë dhe ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar të ekspertëve dhe organizatave profesionale.

Në të njëjtën kohë, 20-vjetori i “Quality Kosova” shënon dy dekada angazhim në promovimin e cilësisë në Kosovë dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin evropian të kësaj fushe. Organizimi i kongresit në vend përbën një mundësi për të rritur dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për të prezantuar kapacitetet e saj në cilësi, inovacion dhe zhvillim institucional.

Continue Reading

Aktualitet

REL: “Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi

Published

on

By

Shkurtimisht

  • Në prag të zgjedhjeve në Serbi, punonjësve të institucioneve që funksionojnë nën autoritetin e Beogradit në Kosovë u bëhet presion të votojnë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), sipas dëshmive të katër burimeve të Radios Evropa e Lirë.
  • Ata flasin në kushte anonimiteti, duke thënë se druhen se do ta humbasin vendin e punës nëse nuk votojnë për SNS-në.
  • Sipas tyre, në presionet ndaj votuesve përfshihen edhe zyrtarë të Listës Serbe, partisë që qeveris në të dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd.
  • As Lista Serbe, as Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigjën këtyre akuzave deri në publikimin e këtij artikulli.

“Votoj në zgjedhjet në Serbi nën presion [për Partinë Përparimtare Serbe], jo me vullnetin tim të lirë”.

Kështu e nis rrëfimin e saj një qytetare nga Kosova, e punësuar në një institucion arsimor në një zonë të banuar me serbë.

Identiteti i saj, si dhe vendi ku jeton dhe punon, janë të njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (REL).

Ajo pranoi të flasë për presionet ndaj votuesve nga Kosova në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, me kusht që të mbetet anonime, pasi druhet se mund ta humbasë vendin e punës.

Rrëfimin e saj e konfirmojnë, në mënyrë të pavarur, edhe tri burime të tjera me të cilat bisedoi REL-i.

Në mesin e 6.45 milionë qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve të Serbisë, më shumë se 115 mijë kanë adresa në Kosovë.

Ata do të mund të votojnë në 60 vendvotime në katër komuna pranë kufirit me Kosovën: Vranjë, Rashkë, Tutin dhe Kurshumli.

Në këto zgjedhje marrin pjesë kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb, i cili mbështetet te Qeveria në Beograd.

Në zonat e banuara me serbë në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë institucione arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë, ndërsa institucionet e tjera të këtij sistemi janë zhvendosur në qytete pranë kufirit, në territorin e Serbisë.

Ato financohen nga buxheti shtetëror i Serbisë.

Kështu, shteti serb mbetet punëdhënësi më i madh në zonat e banuara me serbë në Kosovë, me më shumë se 30 mijë të punësuar.

E pyetur se çfarë rrezikon nëse nuk u bindet kërkesave, bashkëbiseduesja e REL-it thotë se vendi i punës dhe jetesa e saj do të viheshin në rrezik nëse nuk voton për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), përkatësisht për listën e saj “Serbia e Bashkuar”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, SNS-ja nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me pretendimet se u bën presion qytetarëve për të votuar për të. Në të kaluarën, ajo i ka hedhur poshtë akuza të ngjashme.

Presionet ndaj votuesve janë të dënueshme me ligj.

Kodi Penal i Serbisë parashikon dënim nga tre muaj deri në tre vjet burgim për ata që ndikojnë në votim përmes “forcës ose kërcënimit”.

Për ata që ofrojnë “shpërblim, dhuratë ose çfarëdo përfitimi tjetër” në këmbim të votës, parashikohet gjobë ose dënim deri në tre vjet burgim.

Zgjedhjet në Serbi mbahen në një atmosferë tensionesh të larta dhe polarizimi të thellë shoqëror. SNS-ja, e udhëhequr nga presidenti i deridjeshëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon ta ruajë pushtetin pas protestave masive antiqeveritare.

Rivalja e saj kryesore është Lista Studentore, e lindur nga vala e protestave kundër korrupsionit.

“Urdhër nga drejtori”

Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare ndërkombëtare, sundimi 14-vjeçar i partisë së Vuçiqit është karakterizuar nga kontrolli i fortë mbi aparatin shtetëror dhe dobësimi i demokracisë.

Ndërkohë që Vuçiqi refuzonte ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe negocionte me Prishtinën zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve, me mbështetjen e SNS-së në Kosovë u formua Lista Serbe. Kjo parti, e cila konsiderohet satelit i SNS-së, është në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shumë zyrtarë të Listës Serbe drejtojnë edhe institucione të financuara nga Serbia.

“Të punësuarit marrin ‘urdhër’ nga drejtorët e tyre [se për kë duhet të votojnë] dhe askush nuk guxon të thotë jo, sepse dihet se çfarë pason në të kundërtën”, thotë bashkëbiseduesja e REL-it.

Sipas saj, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme: në zgjedhjet në Kosovë votojnë për Listën Serbe, ndërsa në ato në Serbi për SNS-në.

As Lista Serbe nuk iu përgjigj këtyre pretendimeve deri në publikimin e artikullit.

Bashkëbiseduesja e REL-it thotë se nuk ka marrë para për të votuar dhe as nuk i janë ofruar. Ajo thekson se nuk është anëtare as e Listës Serbe, as e SNS-së. Megjithatë, udhëzimet për votimin e 25 tetorit, sipas saj, tashmë kanë nisur të mbërrijnë. Në vendvotime do të shkojë në mënyrë të organizuar, së bashku me kolegët dhe banorë të tjerë të komunës ku jeton në Kosovë. Transportin drejt vendvotimeve në Serbi, thotë ajo, e organizon Lista Serbe.

Udhëtimi i organizuar për të votuar ka qenë praktikë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Kjo praktikë nisi më 2022, pasi autoritetet në Kosovë refuzuan të lejonin hapjen e vendvotimeve në zonat e banuara me shumicë serbe për zgjedhjet e organizuara nga Beogradi. Që atëherë, në ditët e zgjedhjeve, autobusët nga Kosova niseshin drejt vendvotimeve në Serbi që në orët e hershme të paradites, çdo një orë. Kolonave të autobusëve dhe veturave u prinin përfaqësues të Listës Serbe. Mes udhëtarëve ishin edhe qindra të punësuar në institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Institucionet e tjera, si organet komunale dhe degët e postës, u mbyllën nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të hapave për shtrirjen e autoritetit të saj në këto zona.

Prishtina zyrtare i cilësoi këto institucione të paligjshme, ndërsa komuniteti serb i përshkruan mbylljet si formë represioni.

Pas mbylljes në Kosovë, këto institucione vazhdojnë të funksionojnë në qytete pranë kufirit, në Serbi. Atje shkojnë edhe punonjësit e tyre për t’i marrë pagat.

“Vota të sigurta për SNS-në”

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it thotë se, gjatë shtatorit, në selinë e një institucioni pranë një vendkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, mori një formular të SNS-së për mbledhjen e “votave të sigurta” në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas saj, aktivistët e kësaj partie i kërkuan të siguronte emrat, adresat dhe numrat e telefonit të 30 qytetarëve, për të cilët do të garantonte se do ta votonin listën e Vuçiqit më 25 tetor.

Edhe kjo bashkëbiseduese punon në një institucion të financuar nga Beogradi, me kontratë me afat të caktuar.

Ajo flet në kushte anonimiteti nga frika se mund ta humbë vendin e punës. Është e bindur se kontrata nuk do t’i vazhdohej nëse do t’i publikohej identiteti.

Për përvoja të ngjashme flasin edhe dy bashkëbisedues të tjerë që folën në kushte anonimiteti, të cilët i thanë REL-it se janë regjistruar në listën e “votave të sigurta” të SNS-së.

“I dhashë të dhënat e mia për këtë qëllim [për ‘votat e sigurta’], sepse personin që m’i kërkoi e kam të afërt dhe kjo e ndihmon ta mbajë vendin e punës”, thotë njëri prej tyre.

Sipas raporteve të vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve, kjo praktikë është e përhapur gjerësisht në prag të votimit të 25 tetorit.

Organizata joqeveritare CRTA thotë se ka regjistruar pretendime për presione të drejtpërdrejta politike në vendin e punës në të paktën 16 qytete dhe komuna të Serbisë.

“Presionet përfshinin kërkesa për nënshkrime në mbështetje, mbledhje të ‘votave të sigurta’ dhe pjesëmarrje në fushatë, si dhe kërcënime me pasoja në punësim për shkak të bindjeve politike ose refuzimit të detyrave partiake”, thuhet në raportin për fushatën gjatë shtatorit.

Sipas CRTA-s, të gjitha rastet lidhen me SNS-në dhe listën “Serbia e Bashkuar”.

Për presionet ndaj votuesve paralajmëron vazhdimisht edhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila vëzhgon zgjedhjet.

Në raportin paraprak për zgjedhjet e 25 tetorit, ODIHR-i thekson se nuk janë zbatuar rekomandimet e tij nga zgjedhjet e mëparshme për parandalimin e frikësimit dhe presioneve ndaj votuesve.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv, i përshkruan presionet ndaj votuesve nga Kosova për të mbështetur pushtetin në Serbi si “model të rrënjosur”.

“Pothuajse në çdo cikël zgjedhor shohim të njëjtën pamje: organizimin e punonjësve të institucioneve publike, shkuarjen në grup për të votuar, transportin e organizuar dhe drejtorët që luajnë rol shumë aktiv në mobilizimin e punonjësve”, thotë Saviq.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, pjesëmarrja e votuesve nga Kosova nuk kaloi 25 për qind. Megjithatë, shumica dërrmuese e atyre që votuan mbështetën koalicionin qeverisës.

Nga 23.878 votues që morën pjesë, më shumë se 19 mijë, apo rreth 80 për qind, votuan për të.

Edhe për këto zgjedhje parlamentare, Lista Serbe u ka bërë thirrje publike votuesve nga Kosova që ta mbështesin SNS-në.

Në anën tjetër, rivalen kryesore të SNS-së, Listën Studentore, e kanë mbështetur disa organizata joqeveritare, lëvizje dhe parti opozitare të komunitetit serb në Kosovë.

Mes kandidatëve të Listës Studentore janë edhe katër profesorë të Universitetit të Prishtinës, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Transport të organizuar drejt vendvotimeve në Serbi u ka ofruar mbështetësve të tij edhe ministri në Qeverinë e Albin Kurtit, Nenad Rashiq, i cili ka mbështetur lëvizjen studentore.

Si është votuar deri më tani?

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia organizoi në zonat e banuara me serbë në Kosovë u mbajtën më 21 qershor 2020.

Ato u zhvilluan sipas praktikës së mëparshme, me misionin e OSBE-së në Kosovë që mblidhte votat.

Fletëvotimet më pas numëroheshin në Serbi, në Rashkë dhe Vranjë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i dha fund praktikës së hapjes së vendvotimeve në këto zona më 2022. Atëherë, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë kundër mbajtjes në Kosovë të votimeve të organizuara nga Serbia.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje disa herë Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për t’u mundësuar qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e Serbisë.

Megjithatë, për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës, Prishtina kërkon një kërkesë të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, pa ndërmjetësimin e OSBE-së.

Serbia e ka refuzuar këtë, duke pretenduar se një hap i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Botë

REL: Bashkëpunimi Serbi-Iran në fushën e IA-së mund të nxisë reagimin e SHBA-së

Published

on

By

Teksa në Senatin amerikan diskutohet një nismë për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, Beogradi zyrtar po thellon lidhjet me Teheranin në fushën e inteligjencës artificiale (IA) dhe të teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Në shkurt të vitit 2025, Serbia dhe Irani nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë. Që atëherë, dy vendet janë pajtuar për krijimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e tij, ndërsa dy ministra të Qeverisë së Serbisë janë takuar me homologët iranianë për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit.

Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Iranin që nga 28 shkurti, teksa Teherani zyrtar është gjithashtu nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE), anëtarësimin në të cilin e synon Serbia.

Një nismë dypartiake për miratimin e një ligji për Serbinë është paraqitur së fundi në Senatin amerikan. Nisma propozon edhe vendosjen e sanksioneve për vizat dhe atyre financiare ndaj zyrtarëve serbë.

“Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të gjera që SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë vendosur Iranit”, thuhet, ndër të tjera, në tekstin e paraqitur nga senatori republikan Chuck Grassley dhe kolegu i tij demokrat, Richard Blumenthal.

Megjithatë, në Serbi operojnë kompani të mëdha amerikane në fushën e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Në fillim të tetorit, Beogradi zyrtar nënshkroi në Kombet e Bashkuara Deklaratën e Përbashkët për Partneritetin për Mundësitë në Fushën e Inteligjencës Artificiale, duke iu bashkuar partneritetit të udhëhequr nga SHBA-ja.

“Nuk e di se çfarë mund t’i ofrojë Irani Serbisë në aspektin teknologjik përmes këtij bashkëpunimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) eksperti i inteligjencës artificiale, Aleksandar Linc Gjorgjeviq.

Për çfarë bisedoi ministri serb në Teheran?

Në fund të shkurtit të vitit 2025, Serbinë e vizitoi ministri iranian i Telekomunikacionit, Seyed Sattar Hashemi.

Gjatë kësaj vizite, ai nënshkroi me ministrin e atëhershëm të Informacionit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Dejan Ristiq, Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK).

Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, dokumenti përfshin teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, sigurinë e informacionit, tregtinë elektronike, qeverisjen elektronike dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ristiq theksoi veçanërisht rëndësinë e veprimit të përbashkët të kompanive të të dyja vendeve në tregjet e treta.

Pala iraniane e paraqiti bashkëpunimin me synime edhe më ambicioze: përmendi teknologjinë 5G, infrastrukturën digjitale, sigurinë kibernetike, qeverisjen elektronike, transferimin e të dhënave, ndërmarrjet e reja teknologjike, laboratorët e përbashkët kërkimorë dhe shkëmbimin e ekspertëve.

Pak më shumë se një vit më vonë, ministri aktual i Informacionit dhe Telekomunikacionit i Serbisë, Boris Bratina, u takua me homologun e tij iranian, Hashemi, në Teheran. Ata ranë dakord për formimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive.

Takimi u mbajt në fillim të korrikut, gjatë vizitës së ministrit serb në Teheran, që nxiti polemika në Perëndim. Atje, ai përfaqësoi qeverinë e vendit të tij në funeralin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në sulmet me raketa amerikane.

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë iraniane, Hashemi propozoi shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, përfshirë qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

“Irani është i gatshëm të ndajë me Serbinë përvojën e tij në prodhimin e pajisjeve të veta harduerike, zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe të infrastrukturës në ‘cloud’, si dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e inteligjencës artificiale”, tha Hashemi.

Si një nga detyrat më të rëndësishme, ministri iranian përmendi “krijimin e një korridori për transmetimin e të dhënave ndërmjet Iranit dhe rajonit të Ballkanit”.

Deklarata të ngjashme dha edhe homologu i tij serb, Boris Bratina. Ai theksoi se “realizimi i projekteve që lidhen me rrjetet optike, inteligjencën artificiale, mësimin elektronik dhe industrinë e video-lojërave bën pjesë në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”.

Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse është shënuar ndonjë përparim i mëtejshëm në bashkëpunimin me Iranin dhe çfarë do të përfshinte konkretisht ky bashkëpunim.

“Akrobaci diplomatike”

Aleksandar Linc Gjorgjeviq, ekspert i teknologjisë dhe drejtor i konferencës “Data Science Conference”, nuk pret hapa konkretë në bashkëpunimin serbo-iranian.

“Ne kemi një konflikt të hapur ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, shumica e kompanive që zhvillojnë inteligjencën artificiale në Serbi janë amerikane ose punojnë për tregun amerikan. Pyetja është se si mund të bashkëpunoni në një kontekst të tillë me një vend që është nën sanksione ndërkombëtare”, thotë Linc Gjorgjeviq.

Sipas të dhënave të Dhomës Amerikane të Tregtisë, në fushën e inteligjencës artificiale në Serbi operojnë gjigantët amerikanë të teknologjisë IBM, Microsoft dhe Oracle.

Në mars të vitit 2026, Zyra për Teknologjinë e Informacionit dhe Qeverisjen Elektronike pranë Qeverisë së Serbisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale me përfaqësues të kompanisë IBM.

Sipas Aleksandar Linc Gjorgjeviqit, përfshirja e Iranit në sistemin e informacionit dhe komunikimit të Serbisë mund të shihet si rrezik për kompanitë amerikane.

“Ato, me të drejtë të plotë, mund ta shohin një hap të tillë si sinjal negativ. Nëse bashkëpunimi me Iranin fillon të zbatohet në praktikë, jam i sigurt se administrata amerikane do të reagojë me pasoja të caktuara, duke pasur parasysh se Uashingtoni e ka ngritur çështjen e inteligjencës artificiale në nivelin më të lartë të mundshëm”, vlerëson Linc Gjorgjeviq.

Bashkëpunimin e Serbisë me Iranin në këtë fushë, bashkëbiseduesi i REL-it e sheh si një “akrobaci diplomatike” të Beogradit zyrtar, në përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të mira në disa fronte njëkohësisht.

“Më duket se në Serbi askush nuk merret me çështjet në nivel strategjik, por gjërat bëhen në mënyrë ad hoc”, shton ai.

Çfarë kapacitetesh kanë Serbia dhe Irani në fushën e inteligjencës artificiale?

Për shkak të izolimit ndërkombëtar dhe qasjes së kufizuar në teknologjinë perëndimore, Irani prej vitesh është i detyruar të zhvillojë kapacitetet e veta vendore.

Një analizë e kompanisë amerikane “Recorded Future”, e cila merret me sigurinë kibernetike, thotë se Teherani po përpiqet të ndërtojë një ekosistem vendor të inteligjencës artificiale dhe kapacitete kërkimore, por pikërisht izolimi ekonomik ia kufizon qasjen në teknologji dhe kapital njerëzor.

Në nëntor të vitit 2021, udhëheqësi i atëhershëm suprem i Iranit, Ali Khamenei, e quajti inteligjencën artificiale “një çështje të rëndësishme që lidhet me të ardhmen”, e cila do të “luajë rol në qeverisjen e ardhshme të botës”. Ai i bëri thirrje Iranit që të bëhej një nga dhjetë vendet kryesore në fushën e inteligjencës artificiale.

Pas kësaj, Irani nisi hartimin e një udhërrëfyesi kombëtar për inteligjencën artificiale, në kuadër të të cilit u analizuan “dokumentet strategjike” të 23 vendeve në këtë fushë. U hartua gjithashtu një plan për realizimin e synimit të Khameneit deri në vitin 2032.

Objektivat e përcaktuara në këtë dokument parashikonin që “80 për qind e kërkimeve të orientoheshin drejt përmbushjes së nevojave të vendit, inteligjenca artificiale të zbatohej në 45 për qind të sektorëve industrialë, në këtë fushë të investoheshin tetë miliardë dollarë dhe pjesa e inteligjencës artificiale në Prodhimin e Brendshëm Bruto të arrinte në 12 për qind”, thuhet në raportin e kompanisë “Recorded Future”.

Serbia aktualisht nuk ka një ligj që rregullon fushën e inteligjencës artificiale. Në fuqi është Strategjia për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale për periudhën 2025-2030, si dhe Udhëzimet Etike për Zhvillimin dhe Përdorimin e IA-së, të cilat nuk janë ligjërisht të detyrueshme.

Aleksandar Linc Gjorgjeviq thotë se Serbia ka kapacitete të mira teknologjike në fushën e inteligjencës artificiale.

“Serbia renditet veçanërisht mirë sa i përket kompetencave të inxhinierëve”, thotë ai.

Në fund të vitit 2021, në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevc, në Serbinë qendrore, nisi punën Platforma Kombëtare për Inteligjencën Artificiale.

Sipas burimeve zyrtare, kjo platformë është një superkompjuter i gjeneratës së fundit, me performancë të lartë, i aftë të përpunojë sasi të mëdha të dhënash brenda një kohe të shkurtër.

Me kë bashkëpunojnë Serbia dhe Irani në fushën e TIK-ut?

Përveç Iranit, Beogradi zyrtar ka nënshkruar gjatë periudhës së fundit marrëveshje dypalëshe në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, telekomunikacionit, sigurisë së informacionit ose inteligjencës artificiale me rreth dhjetë vende të tjera.

Mes tyre janë Kina, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli, Egjipti, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Burundi dhe Angola.

Që nga viti 2019, Serbia e ka intensifikuar bashkëpunimin me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale. Në vitin 2026, përfaqësuesit e dy vendeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë, si dhe një marrëveshje për themelimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në Fushën e Inteligjencës Artificiale.

Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është vënë në shënjestër të kritikave nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Komisioni Evropian, i cili në një përgjigje të mëhershme për REL-in rikujtoi se Serbia është zotuar të harmonizohet me rregulloret e Brukselit, përfshirë kuadrin evropian për rregullimin e inteligjencës artificiale dhe Aktin e miratuar të BE-së për inteligjencën artificiale.

Nga ana tjetër, sipas dokumenteve që janë të qasshme publikisht, Ministria iraniane e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit ka marrëveshje bashkëpunimi që përfshijnë shprehimisht inteligjencën artificiale me Serbinë, Irakun dhe Rusinë.

Përveç kësaj, Irani ka edhe marrëveshje bashkëpunimi teknologjik me Kinën, ndërsa burimet zyrtare iraniane e përmendin inteligjencën artificiale si një nga fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare

Published

on

By

UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Stomatologjike, e cila do të mbledhë studiues, stomatologë, teknikë dentarë dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, inovacionet teknologjike dhe sfidat bashkëkohore në fushën e shëndetit oral.

Nën temën “Artificial Intelligence and Digital Dentistry: Smart Solutions for Better Clinical Outcomes – Redefining Diagnosis, Treatment Planning, and Clinical Excellence”, konferenca do të fokusohet në rolin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në diagnostikim, planifikimin e trajtimeve dhe avancimin e praktikës klinike.

Programi përfshin fusha të ndryshme të stomatologjisë, si ortodoncia, implantologjia, protetika, endodoncia, stomatologjia pediatrike dhe shëndeti publik oral. Koordinatorja e Konferencës së Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Asst. Dr. Miranda Sejdiu Abazi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në avancimin e njohurive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës.

“Përmes konferencës shkencore për stomatologji dhe teknikë dentare, synojmë të krijojmë një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave klinike, duke lidhur zhvillimet më të reja teknologjike me sfidat konkrete të praktikës ditore. Pjesëmarrja e studiuesve dhe profesionistëve vendorë e ndërkombëtarë krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, zhvillim profesional dhe promovim të trajtimeve të sigurta, të individualizuara dhe të bazuara në evidencë shkencore”, u shpreh ajo

Një element i rëndësishëm i këtij edicioni është akreditimi i konferencës nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë 15 pikë kredituese për pjesëmarrje pasive dhe 20 pikë për pjesëmarrje aktive, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e shëndetësisë. Konferenca do të përfshijë gjithashtu prezantime të hulumtimeve nga Kosova dhe vende të tjera, ndërsa ligjëruese kryesore do të jetë dekania e Fakultetit të Stomatologjisë në Tiranë, Prof. Dr. Edit Xhajanka.

Pjesëmarrja e ekspertëve ndërkombëtarë nga vende si Rumania, Gjermania dhe Austria do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me qasjet bashkëkohore në stomatologji. Përmes organizimit të Konferencës Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke kontribuar në avancimin e praktikave profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për shëndetin oral.

Continue Reading

Të kërkuara