Shëndeti

​Këto janë sëmundjet që ju shkakton lagështira në shtëpi

Llojet e dëmshme të mykut mund të shkaktojnë alergji, helmim ose infeksione patogjene, shkruan meteokosova.

Published

on

Sasi të vogla të mykut ndodhen kudo, në ajër ose në sipërfaqe të ndryshme.

Lavamanët që kanë rrjedhje, dritaret e izoluara dobët, kuzhina, bodrumi dhe dushi janë disa nga vendet më të zakonshme ku krijohet myku.

Llojet e dëmshme të mykut mund të shkaktojnë alergji, helmim ose infeksione patogjene, shkruan meteokosova.

Si ndikon myku në trupin tuaj?

Simptomat më të shpeshta të lidhura me mykun, janë alergjitë dhe astma. Simptomat e ekspozimit ndaj mykut varen nga personi, gjatësia e ekspozimit dhe llojet e mykut.

Gjithashtu ato ndryshojnë nga njëri person në tjetrin, sepse gjenetika individuale luan një rol në mënyrën se si trupi juaj reagon kur ekspozoheni ndaj tij. Por mbetet e vështirë t’i atribuohet çdo simptomë vetëm pranisë së lagështirës dhe mykut.

Kjo për shkak se ekspozimi ndaj mykut mund të shoqërohet njëkohësisht me ekspozimin ndaj mikrobeve ose baktereve, të cilat mund të shkaktojnë probleme më vete, ose mund të përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese. Kjo është arsyeja se pse mund të jetë sfiduese marrja e një diagnoze.

Sidoqoftë, studime të ndryshme kanë zbuluar lidhje të mundshme midis simptomave të mëposhtme dhe ekspozimit ndaj mykut.

Probleme me frymëmarrjen dhe mushkëritë

Kollitja, rrjedhja e hundëve, ethet ose gulçimi shoqërohen zakonisht me ekspozimin e mykut të të gjitha llojeve.

Kujtesë e dobët

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mykut në ambientet e banimit ose të punës, mund të dobësojnë kujtesën tuaj dhe të përkeqësojnë sëmundje të tilla si ajo e Alzheimerit. Megjithatë studimet ende nuk kanë dalë në përfundime të sigurta.

Lodhje kronike

Sindroma e lodhjes kronike, ka një lidhje të fortë mes pranisë së baktereve ose mikrobeve dhe ekspozimin ndaj mykut. Një studim i vitit 2013 zbuloi se 93% e atyre me lodhje kronike rezultuan pozitivë për praninë e tyre në organizëm.

Probleme me sistemin tretës

Të vjellat, diarreja dhe dhimbjet e barkut janë simptoma të problemeve me tretjen, që lidhen edhe me ekspozimin ndaj ambienteve me prani të mykut.

Sa më gjatë të jetoni ose të punoni në ambiente ku ka prani të mykut, aq më serioze mund të bëhen simptomat tuaja. Nëse keni prani të mykut në shtëpi, duhet të merrni masat e duhura paraprake dhe të kuptoni që ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tij, mund të shkaktojë probleme shëndetësore ose të përkeqësojë ato aktualet.

Shëndeti

Çfarë ndodh me yndyrën në gjak kur konsumohen vezë çdo ditë?

Published

on

Konsumimi ose jo i vezëve krijon konfuzion: herë konsiderohen të shëndetshme për zemrën, herë jo. Por, për shumicën e njerëzve, ato mund të jenë pjesë e një diete të balancuar.

“Vezët janë burim i mirë e ekonomik i proteinës cilësore dhe vitaminave si A, D, E, K dhe vitaminave B, si dhe luteinës dhe kolinës”, tha dietologia Susan White, e specializuar në shëndetin e zemrës, ka raportuar EatingWell.

Vezët përmbajnë edhe kolesterol ushqyes, dhe trupi i secilit njeri e përthith ndryshe. Ndikimi i vezëve te kolesteroli apo yndyra në gjak ndryshon nga personi në person.

3 mënyra si vezët ndikojnë në kolesterol:

Trupi i secilit përthith ndryshe kolesterolin e vezëve.

Një vezë e madhe ka rreth 206 mg kolesterol.

“Prodhimi i kolesterolit nga vetë trupi ynë ka ndikimin më të madh te nivelet e kolesterolit në gjak. Trupi prodhon mes 800 dhe 1,000 mg kolesterol në ditë, në varësi të gjeneve dhe funksionit të mëlçisë”, ka shpjeguar White.

Disa njerëz përthithin 20 për qind të kolesterolit nga ushqimi, ndërsa të tjerë deri 80 për qind. Pra, nëse je nga ata që përthithin pak, vezët nuk do të kenë ndikim të madh. Por nëse përthithja është e lartë, një vezë çdo ditë mund të rrisë kolesterolin.

Vezët kanë pak yndyrë të ngopur

Niveli i kolesterolit në gjak ndikohet shumë edhe nga yndyrat e ngopura, që rrisin kolesterolin e keq dhe rrezikun për sëmundje të zemrës.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që yndyrat e ngopura të mos kalojnë 6 për qind të kalorive ditore (11-13 gramë në ditë për një person që konsumon 2000 kalori). Një vezë ka vetëm 1.6 gram yndyrë të ngopur, ndërsa pjesa tjetër e yndyrave janë të shëndetshme.

Mund të ndihmojnë në menaxhimin e peshës

Mbipesha rrit rrezikun për kolesterol të lartë, humbja e peshës e ul. Një vezë ka 70 kalori e 6 gramë proteina, që ndihmojnë të ndihesh i ngopur. Studimet tregojnë se vezët, kur kombinohen me plan ushqimor që nuk përmban shumë kalori, ulin indeksin e masës trupore.

Sa vezë mund t’i hash pa rrezik?

Dikur këshillohej të mos kalohej 300 mg kolesterol në ditë, por sot nuk ka kufi të qartë.

“Mund të lexosh një studim që thotë se nuk ka problem të hash vezë, dhe një tjetër që sugjeron vetëm një në ditë,” ka thënë White.

Nëse ke diabet a tension të lartë, dietologët rekomandojnë jo më shumë se 3 të verdha vezësh në javë. Të bardhat nuk përmbajnë kolesterol dhe mund të hahen lirshëm. Nëse nuk ke faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare, një vezë në ditë është përgjithësisht e sigurt.

Madje një studim i gjerë nuk gjeti dallime në rrezikun e vdekshmërisë mes atyre që hanin një vezë në ditë dhe atyre që nuk hanin fare.

“Nuk kemi ende prova të forta klinike që më shumë se dy vezë në ditë janë të sigurta për shëndetin”, ka shtuar White.

Si t’i hash vezët në mënyrë të shëndetshme?

Ha më shumë ushqim bimor: Sipas White dieta e pasur me ushqime bimore lidhet me më pak sëmundje kardiovaskulare.

Balanco vaktin: kombino vezët me fruta, perime, arra e drithëra.

Shto të bardhat: për më shumë proteina, përziej një ose dy të bardha me një vezë të plotë.

Zgjedh metoda më të shëndetshme gatimi: vezë të ziera, jo të skuqura me gjalpë apo dhjam.

Continue Reading

Shëndeti

Sekreti i frutave të thata për trup më të fortë dhe mendje më të kthjellët

Published

on

Frutat e thata janë një burim i madh antioksidantësh që kontribuojnë në shëndetin tonë afatgjatë.

Më poshtë do të gjeni 4 frutat e thata më të mira që sjellin përfitimet më të shumta për shëndetin.

Arra – Janë të pasura me hekur, kalcium, magnez, vitaminë E, vitaminë B dhe elemente gjurmësh. Ato përmbajnë antioksidantë të fuqishëm që përfitojnë shëndetin e zemrës, trurit dhe zorrëve. Përveç kësaj, arrat përmbajnë melatonin, që ndihmon në luftimin e pagjumësisë, dhe antioksidantët e tyre forcojnë ekuilibrin e hormoneve.

Lajthitë – Të pasura me proteina e ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq. Ato kanë efekt pozitiv në shëndetin kardiovaskular, duke ulur kolesterolin LDL dhe duke forcuar shëndetin e përgjithshëm të trupit.

Bajame – Bajamet janë të shkëlqyera për shëndetin e kockave për shkak të përmbajtjes së lartë të fosforit e kalciumit, rrisin mineralizimin e kockave dhe i mbajnë të forta në afat të gjatë. Burim i shkëlqyer kalciumi për ata që janë intolerantë ndaj qumështit ose vegjetarianë.

Kikirikë – Të pasur me vitaminë B6, e cila është thelbësore për rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe krijimin e hemoglobinës. Kantë vitaminë E dhe minerale si kaliumi, magnezi dhe fosfori, të cilat nxisin shëndetin e mirë kardiovaskular. Kikirikët kanë më pak kalori se çdo frut tjetër të thatë dhe përmbajnë antioksidantë që mbrojnë qelizat nga dëmtimi oksidativ.

 

Continue Reading

Shëndeti

Shkencëtarët gjejnë arsyet pse njerëzit po konsumojnë gjithnjë e më shumë sheqer

Published

on

Akulloret, ëmbëlsirat e ngrira dhe pijet e gazuara tepër të ftohta marrin një tërheqje të re në vapën e verës. Ndërsa ndryshimet klimatike sjellin temperatura të larta, amerikanët po i konsumojnë gjithnjë e më shumë, zbulon një kërkim i ri, me pasoja shqetësuese për shëndetin.

Ka mjaft dëshmi që ndryshimet klimatike do të ndikojnë në disponueshmërinë dhe cilësinë e ushqimit, duke çuar në mungesa, rritje çmimesh dhe madje duke ndikuar në vlerën ushqyese, tha Pan He, autore e studimit dhe ligjëruese e shkencave mjedisore dhe qëndrueshmërisë në Universitetin e Cardiff. Por shumë më pak dihet për efektet e tyre në atë çfarë zgjedhim të hamë dhe pijmë, tha ajo për CNN.

Studiuesit analizuan të dhënat e blerjeve ushqimore të familjeve amerikane mes viteve 2004 deri 2019, gjë që u lejoi të ndiqnin të njëjtat familje për një kohë të gjatë. Ata krahasuan vendimet e blerjes me të dhënat rajonale të motit, përfshirë temperaturën dhe lagështinë.

Me rritjen e temperaturave, njerëzit konsumonin më shumë sheqer, në formën e pijeve të ëmbëlsuara me sheqer si pijet e gazuara dhe lëngjet, sipas studimit të botuar në revistën Nature Climate Change.

Për çdo 1.8 gradë Fahrenheit ngrohje, konsumi i sheqerit të shtuar u rrit 0.7 gram për person në ditë, me një rritje të dukshme ndërsa temperaturat arritën mes 68 dhe 86 gradë Fahrenheit.

Moti më i nxehtë bën që trupat të humbin më shumë ujë, duke bërë që njerëzit të duan hidratim dhe freskim. Efekti është i theksuar në familjet me të ardhura më të ulëta ose nivele të ulëta arsimimi.

Grupet më pak të favorizuara kanë prirje të kenë nivele më të larta të konsumit të sheqerit, pasi ky ushqim mund të jetë më i lirë dhe më i arritshëm, duke i bërë më të predispozuar të zgjedhin produkte në vapë. Ata mund të kalojnë më pak kohë në hapësira me ajër të kondicionuar, sipas kërkimit.

Studimi parashikon se konsumi i sheqerit mund të rritet me 3 gramë në ditë deri në vitin 2095, nëse ndotja që ngroh planetin vazhdon pa kontroll, me grupet vulnerabël në rrezikun më të lartë.

Shumë sheqer mund të sjellë një sërë pasojash negative, përfshirë rritje të rrezikut për obezitet, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon kufizimin e sheqernave të shtuara në jo më shumë se 6% të totalit të kalorive që njerëzit konsumojnë: jo më shumë se 36 gramë për burrat dhe 26 gramë për gratë.

Continue Reading

Shëndeti

Si të kontrollojmë të ngrënit emocional gjatë stresit?

Published

on

Është normale të ndjejmë frustrim, zemërim apo frikë, por është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për shkaqet e këtyre emocioneve dhe të kërkojmë zgjidhje.

Stresi mund të na motivojë, por shpesh çon në ankth, depresion dhe të ngrënit emocional — kur hamë ushqim të yndyrshëm ose të ëmbël për të ngushëlluar veten.

Ekspertët dallojnë dy forma: të ngrënit nën stres (pas ngjarjeve që na tensionojnë) dhe të ngrënit emocional (për të përballuar emocione të ndryshme, edhe pozitive). Ky zakon mund të shkaktojë ndjenja faji, turpi dhe humbje kontrolli.

Këshilla për të kontrolluar ngrënien emocional:

Pini ujë – ndjenja e etjes ngatërrohet me urinë.

Shkruani problemet – identifikoni burimin e stresit.

Pini çaj relaksues – si kamomili ose me kanellë.

Bëni aktivitet fizik – shëtitje 20 minuta për të qetësuar mendjen.

Shijoni banjë relaksuese – qetëson trupin e mendjen.

Mbani mendjen të zënë – vizatoni, ngjyrosni, bëni punë shtëpie.

Zgjidhni ushqime të lehta dhe të shëndetshme – si fruta, perime ose kombinime proteine-embelsirë.

Nëse episodat e të ngrënit të tepërt janë të shpeshta dhe shoqërohen me ndjenja të rënda, këshillohet të kërkoni ndihmë profesionale.

Continue Reading

Të kërkuara