Lajmet

​Kërkohet që sa më parë të krijohet strategjia për drejtësi tranzicionale, MD thotë se nuk mungon vullneti politik

Haxhiu u shpreh nuk mungon vullneti i Qeverisë së Kosovës për finalizim e strategjisë për drejtësi tranzicionale.

Published

on

Drafi i parë i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale deri në shtator pritet të jetë në diskutim publik, ndërsa edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më shpejt ta hartojë këtë strategji. Kështu u tha me rastin e publikimit të udhëzimit “Drejt një Strategjie Kombëtare të Drejtësisë Tranzicionale për Kosovën”, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK).

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh nuk mungon vullneti i Qeverisë së Kosovës për finalizim e strategjisë për drejtësi tranzicionale. Haxhiu u shpreh se tashmë Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë aktualisht është në diskutim publik dhe së shpejti planifikojnë ta dërgojnë në Qeveri.

“Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në hartimin e një strategjie e cila ka në fokus viktimat dhe nevojat e veçanta të tyre. Andaj konsultimi i vazhdueshëm me të gjithë ata që janë prekur nga lufta duke iu kushtuar vëmendje të veçantë krimeve dhe abuzimeve të kryera ndaj grupeve të margjinalizuara është mënyra më e mirë për t’i njohur pwr së afërmi nevojat e tyre që ato pastaj të pasqyrohen qartë në strategji. Duke qenë pjesë e planit qeverisës padyshim që vullneti politik në finalizimin e kësaj strategjie mbi parimet bazë për drejtësi tranzicionale nuk mungon, në fakt ne jemi më të përkushtuar si asnjëherë më parë që të trajtojmë të kaluarën tonë dhe t’i japim kahje të ardhmes drejtë respektimit dhe garantimit, por po ashtu edhe të drejtave të njeriut. Megjithatë duhet ta pranojmë se hartimi i kësaj strategjie deri tani ka qenë mjaftë sfidues, institucioneve të Kosovës duke se iu mungojnë kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e politikave në drejtësi tranzicionale”, u shpreh Haxhiu.

Kurse shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se publikimi i këtij udhëzuesi do të ndihmojë në zhbllokimin e vonesave për hartim të strategjisë për drejtësi tranzicionale. Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më parë të hartojë draftin e kësaj strategjie.

“Udhëzuesi duhet të ndihmojë në zhbllokimin e vonesave aktuale në hartimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale për Kosovën. Qëllimi i udhëzuesit është që t’ia angazhojmë politikanët dhe popullin që të kërkojnë veprime të qarta nga autoritet dhe të fillojnë diskutimet për drejtësi tranzicionale. Strategjia për drejtësi tranzicionale jo vetëm që do të shpërfaqë zotimin e autoriteteve për tu marr me të kaluarën dhe të mundësojnë edhe një mbyllje, por gjithashtu siguron edhe efektivitet maksimal të punës së drejtë, objektive të përmirësimit të reagimit ligjor dhe politikave ndaj kësaj çështje, Kosova si një shoqëri e larmishme që del nga konflikti ende ka nevojë për transformime shoqërore, bashkëjetesë paqësore dhe pajtim, por pa këtë qasje gjasat për zhvillim pozitiv janë të kufizuara, prandaj BE i bënë thirrje Qeverisë që ta finalizojë draftin e strategjisë për drejtësi tranzicionale. Në strategji Qeveria ka nevojë që të adresojë të gjitha sfidat dhe të marr masa për të siguruar nëse ky proces është gjithëpërfshirës me qartësi në zgjidhje dhe nuk ka diskriminim”, u shpreh shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Udhëheqësi i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale, Baki Svirca u shpreh se në shtator pritet të jetë në diskutim publik drafti i parë formal për strategjinë për drejtësi tranzicionale.

“Ajo që dua ta theksoj është se shumë shpejt do të del drafti i parë I cili do tu shpërndahet anëtarëve të grupit punues dhe besoj që nuk mund ta precizoj por në një afat gogja optimal do të ketë edhe do të vendoset në platformën diskutive paraprake dhe pas asaj do të jenë diskutimet publike. Unë besoj që deri kah shtatori do të jetë në diskutime publike drafti i parë formal i cili ka pastaj mundësi për tu përmbushur dhe plotësuar”, u shpreh Svirca.

Hulumtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Besnik Beqaj tha se qëllimi kryesor i një strategjie të drejtësisë tranzicionale është t’u sigurojë viktimave dhe të mbijetuarve dëmshpërblim për shkeljet e pësuara të të drejtave të njeriut, vendosjen e besimit në legjitimitetin e shtetit dhe funksionin e sundimit të ligjit, vendosjen e kohezionit social të qëndrueshëm dhe kërkimin e pajtimit.

“Masat e drejtësisë tranzicionale duhet të inkurajojnë tranforimin politik, shoqëror dhe ekonomik dhe të avancoj barazinë gjinore në dy objektiva dalluese. Në një konsideron se duhet të arrihet drejtësi për viktimat dhe nën dy konsideron se drejtësia tranzicionale duhet të kontribuoj në krijimin e një shoqërive të drejta, gjithëpërfshirëse dhe paqësore. Në anën tjetër drejtësia tranzicionale karakterizohet nga dy qëllime fillestare që janë ndërrimi i besimit mes qytetarëve dhe njohja e statusit të viktimave, ndërsa si dy qëllime përfundimtare konsideron demokratizime e shoqërive dhe pajtimin në fund…. Ne kemi konsideruar 11 parime bazë që një strategji në draftimin e saj të merret parasysh nga grupi punues në fillim kemi konsideruar që strategjia duhet me marr periudhën kohore për hulumtim dhe fushëveprim të saj nga janari i viti 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000. Sepse përderisa viktimat janë qendër e drejtësisë tranzicionale kemi shumë viktima të cilat ndoshta janë afektuar dhe si pasoj e konfliktit të armatosur dhe janë të ndërlidhura. Nën dy kemi konsideruar se qasja e përqendruar në viktima duhet të jetë pikë qendrore e strategjisë kombëtare”, theksoi ai.

Sipas këtij udhëzimi objektivat strategjike për drejtësi tranzicionale janë: Të mbështes të drejtat e viktimave për dëmshpërblime, duke përfshirë njohjen e përgjegjësisë, kornizën kohore për pranueshmërinë, një përcaktim dhe kategorizim të qartë të të drejtave dhe të llojeve të dëmshpërblimeve, afatin kohor për administrimin e reparacioneve, burimet dhe shpërndarjen e financimit. Legjislacioni duhet të tregojë gjithashtu institucionet përgjegjëse për dëmshpërblimin si dhe organet përgjegjëse për ofrimin e mbikëqyrjes; Të sigurohet që programet e dëmshpërblimit të përfshijnë forma të ndryshme përtej kompensimit, të tilla si masat e kënaqësisë, të kthimit dhe të rehabilitimit si dhe garancitë për mospërsëritje; në shkallën, në të cilën masat janë të dizajnuara dhe të afta për t’i rikthyer viktimat në gjendjen e tyre fillestare përpara se të ndodhnin shkeljet, që është rivendosja e lirive, e punësimit, e pronës dhe e dëmeve morale, siç përkufizohet në dokumentin udhëzues; Të sigurohet se reparacionet zbatohen në mënyrë të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë përfituesit, të lidhura me proceset afatgjata të zhvillimit. Për këtë qëllim, është thelbësore të krijohet një bazë e unifikuar dhe e kategorizuar e të dhënave e të gjithë përfituesve, pavarësisht nga të drejtat ose lloji i kompensimit dhe t’i bëjnë këto të dhëna të qasshme për shqyrtim publik sipas ligjeve dhe procedurave të mandatuara për mbrojtjen e të dhënave; Të sigurohet pranimi i shkeljeve, mbështetja për kërkimin e së vërtetës, kërkimi e personave të zhdukur, gjetja/rivarrimi i mbetjeve njerëzore, kërkimi i faljeve publike dhe ngritja e memorialëve dhe përkujtimet.

Udhëzuesi “Drejt një Strategjie Kombëtare të Drejtësisë Tranzicionale për Kosovën”, me autor Thomas Osorio, i cili nuk kishte pasur mundësi të vijë në Kosovë për ta prezantuar, është mundësuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) dhe Zyrën e BE-së në Kosovë.

Lajmet

Tensione para Kryeministrisë në Shqipëri, protestuesit rrëzojnë karriget e vendosura nga Rama

Published

on

By

Situata para Kryeministrisë në Shqipëri është tensionuar, pasi protestuesit kanë thyer dhe rrëzuar karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur në mënyrë simbolike si ftesë për dialog.

Në mbështetje të studentëve protestues kanë dalë edhe mësimdhënësit universitarë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e procesit mësimor në universitete.

Ata kanë theksuar se do të mbështesin çdo vendim të studentëve, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të dialogut me kryeministrin.

Sipas raportimit të A2 CNN, mësimdhënësit kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00, para korpusit universitar, ndërsa mësimi në universitete nuk do të zhvillohet.

Protesta po shoqërohet me kërkesa për përgjegjësi institucionale, ndërsa studentët dhe mësimdhënësit vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë — e akredituar me pikë të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional

Published

on

By

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.

Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon:

  • Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)
  • Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.

Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa prej 40 € bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).

Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është po ashtu 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.

Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: [email protected].

UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT rangohet i pari në Kosovë nga GreenMetric 2026

Published

on

By

UBT është ranguar i pari në Kosovë nga UI GreenMetric World University Rankings 2026, duke konfirmuar sërish lidershipin në implementimin e praktikave të qëndrueshme institucionale dhe në zhvillimin e modelit universitar që ndërthur arsimin, inovacionin, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit.

Ky rezultat dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të shndërruar qëndrueshmërinë nga një objektiv strategjik në praktika konkrete, të cilat reflektohen në infrastrukturën, menaxhimin e resurseve, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative për të ardhmen.

Në këtë edicion, UBT ka arritur 5,122 pikë nga 10,000 pikë të mundshme, duke u vlerësuar në disa kategori. Ndër rezultatet më të spikatura është kategoria Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, ku UBT ka siguruar 80% të pikëve të mundshme, duke dëshmuar rëndësinë që këto fusha kanë në vlerësimin e performancës së tij institucionale. Rangimi vlerëson institucionet e arsimit të lartë përmes kritereve që përfshijnë infrastrukturën dhe hapësirat universitare, energjinë, menaxhimin e mbeturinave, burimet ujore, transportin, si dhe arsimin, kërkimin shkencor, qeverisjen dhe digjitalizimin.

Në përputhje me vizionin dhe misionin e tij për të avancuar arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, UBT ka ndërtuar një model universitar që ndërthur dijen, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit. Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit.

Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës. Kështu, qëndrueshmëria bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e kampuseve moderne dhe krijimin e zgjidhjeve inovative për sfidat e së ardhmes.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

Continue Reading

Të kërkuara