Sport

​Katër vjet pa legjendën e futbollit

Për nder të veprimtarisë së Vokrrit, nga ora 10:30 do të bëhen homazhe pranë varrit të tij.

Published

on

Sot bëhen katër vjet nga ndarja prej jetës e legjendës shqiptare të futbollit, Fadil Vokrri. Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate.

Mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.

Lamtumira e fundit Vokrrit iu dha me nderimet më të larta shtetërore të nesërmen, më 10 qershor, ndërsa ajo ditë ishte ditë zie kombëtare.

Për nder të veprimtarisë së Vokrrit, nga ora 10:30 do të bëhen homazhe pranë varrit të tij.

Sport

Donjeta Sadiku në ring për medalje në Kupën Botërore të Boksit

Published

on

Në kuadër të “World Boxing Cup”, që po mbahet në Foz do Iguaçu nga 20 deri më 27 prill 2026, nesër  në ring do të ngjitet boksierja e njohur kosovare Donjeta Sadiku, medaliste botërore dhe evropiane.

Sadiku, e cila garon në kategorinë deri në 60 kilogramë, do të përballet me boksieren nga Polonia, Aneta Elżbieta Rygielska, në një duel vendimtar për sigurimin e medaljes në këtë kompeticion prestigjioz. Trajnerja e saj, Marjola Sallauka, është shprehur optimiste për paraqitjen e sportistes kosovare, duke besuar se Sadiku do të arrijë fitore dhe do të sigurojë medaljen. Megjithatë, synimi kryesor i ekipit mbetet medalja e artë.

Kjo Kupë Botërore ka rëndësi të veçantë në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, pasi pikët e grumbulluara ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen ndërkombëtare dhe rrugën drejt kualifikimit olimpik.

Continue Reading

Lajmet

Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të boksit

Published

on

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.

Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Sport

Chelsea shkarkon Liam Rosenior pas serisë së rezultateve negative

Published

on

Chelsea ka shkarkuar trajnerin Liam Rosenior pas humbjes së thellë 3-0 të martën mbrëma ndaj Brighton në Premier League.

Kjo humbje ishte e pesta radhazi për klubin londinez në kampionat, pa arritur të shënojë asnjë gol, duke shënuar serinë më të dobët të klubit në 114 vjet. Vendimi vjen vetëm tre muaj e gjysmë pas emërimit të Rosenior, i cili kishte nënshkruar një kontratë pesëvjeçare e gjysmë si pasardhës i Enzo Maresca-s.

Në komunikatën zyrtare, Chelsea bëri të ditur se vendimi nuk ishte i lehtë, por u mor për shkak të rezultateve dhe performancave që kanë rënë nën standardet e kërkuara. Klubi gjithashtu e falënderoi Rosenior dhe stafin e tij për profesionalizmin dhe integritetin e treguar gjatë periudhës në krye të ekipit, duke i uruar suksese në të ardhmen.

Rosenior ishte emëruar më 6 janar dhe qëndroi në stolin e “Stamford Bridge” për 106 ditë.

Continue Reading

Lajmet

Bashkimi shpallet kampion pas finales dramatike ndaj Pejës 03

Published

on

Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në basketboll për femra, duke e fituar titullin e kampionit të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Në praninë e një numri të madh shikuesish, prizrenaset e mposhtën Pejën 03 me rezultat 71:61 në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare të finales, duke e mbyllur serinë 4:3. Ky është titulli i katërt radhazi dhe i dhjeti në histori për Bashkimin.

Skuadra mysafire dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes, duke fituar çerekun e parë 23:17 dhe të dytin 19:7. Peja 03 tentoi rikthimin në pjesën e dytë dhe u afrua në rezultat, por Bashkimi arriti ta ruajë epërsinë deri në fund, pavarësisht presionit. Më e dalluara te Bashkimi ishte Alexis Mead me 26 pikë, 8 asistime dhe 4 kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Saranda Daci me 16 pikë e 8 kërcime dhe Dontavia Waggoner me 12 pikë e 6 kërcime. Te Peja 03, Paige Powell realizoi 21 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa Adrienne Godbold shtoi 17 pikë, 10 kërcime dhe 4 asistime.

Bashkimi këtë edicion ka fituar edhe Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike, ndërsa Peja 03 e përfundon sezonin me trofeun e Superkupës.

Continue Reading

Të kërkuara