Qeveria amerikane është gati të blejë aksione në kompanitë australiane të minierave si pjesë e një pakete për të financuar furnizimet me minerale dhe për të zvogëluar varësinë nga Kina, thanë udhëheqësit e biznesit australian pas një vizite në Uashington.
Oferta e qeverisë amerikane është pjesë e një plani për të krijuar zinxhirë furnizimi alternativë pas kufizimeve të eksportit të Kinës, raportojnë mediat amerikane.
Mineralet kryesore të teknologjisë përfshijnë litiumin, kobaltin dhe metalet e rralla të tokës, të nevojshme nga një gamë e gjerë industrish, duke përfshirë energjinë e pastër, gjysmëpërçuesit dhe armët.
Zyrtarët e qeverisë amerikane u kanë thënë kompanive të paraqesin oferta, duke vënë në dukje se kanë ndërmend të financojnë blerjen përmes kanaleve dhe programeve të ndryshme, tha Andrew Worland, drejtor ekzekutiv i International Graphite, e cila po ndërton një minierë dhe një fabrikë përpunimi në Australi.
Në shtator, përfaqësuesit e 15 kompanive australiane në sektorin kryesor të mineraleve, përfshirë Worland, vizituan Uashingtonin dhe Nju Jorkun për t’u takuar me zyrtarë amerikanë.
Ata u takuan gjithashtu me ish-drejtorin ekzekutiv të kompanisë minerare Newmont, David Copley, dhe Joshua Kroon, zëvendësndihmës sekretar për mineralet dhe metalet kryesore në Agjencinë e Tregtisë Ndërkombëtare të Departamentit të Tregtisë të SHBA-së.
Departamenti i Energjisë i SHBA-së bleu dje një aksion prej 5 për qind në Lithium Americas të Kanadasë dhe gjithashtu u bë pronar i një aksioni prej 5% në një minierë litiumi që kompania kanadeze po zhvillon në Nevada.
Australia është e gatshme t’u shesë aksione aleatëve, përfshirë Britaninë, aksione në rezervat e reja strategjike të mineraleve kryesore, për t’u lejuar atyre të zvogëlojnë varësinë e tyre nga Kina.
Qeveria australiane njoftoi krijimin e rezervave në fund të prillit, duke vënë në dukje se do të investojë 1.2 miliardë dollarë australianë (670 milionë euro) në këtë projekt me qëllim krijimin e një zinxhiri të ri furnizimi që mund të konkurrojë me Kinën dominuese.
Kina është prodhuesi kryesor në botë i 30 nga 50 mineralet e konsideruara si kryesore nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së. Australia, nga ana tjetër, ka depozita që janë ndër më të mëdhatë në botë.
Pritet që këto rezerva të jenë temë kryesore e negociatave midis kryeministrit australian Anthony Albanese dhe presidentit amerikan Donald Trump më 20 tetor në Uashington./S.K/KP/