Lajmet

​Ismajli takon mësimdhënësit: Do ta fuqizojmë edhe më shumë sektorin e arsimit

Ismajli tha se arsimi është i fuqishëm në komunën që po udhëheq që katër mandate.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës po shprehet e bindur në fitore edhe për një mandat në komunën e Shtimes. Kandidati i cili ka udhëhequr për katër mandate me këtë komunë tha se gjatë kësaj kohe u kanë ofruar mundësi prodhuesve dhe është arritur cilësi në arsim. Ai gjatë pasdites së sotme është takuar me mësimdhënësit e Shtimes, ku ka premtuar edhe bursa për nxënës e studentë.

Kandidati për kryetar të Shtimes, Naim Ismajli ka thënë se 99 për qind e mësimdhënësve nga cikli i ulët deri më të lartë janë të kualifikuar. Ai tha se arsimi është i fuqishëm në komunën që po udhëheq që katër mandate.

“Ne i kemi dhënë institucioneve qendrore njerëz të artit, kulturës, të arsimit, politikës, të institucioneve më të larta. Ky është kualiteti sepse është produkt i arsimit. Njerëz nga Shtimja udhëheqin në Prishtinë. Komuna e Shtimes ka treguar nivelin e sakrificës edhe për pjesën e lirisë. Të gjitha këto nuk mund të demantohen nga njerëz te caktuar në fushatës, sepse faktet më të mëdha janë se gënjeshtrat e ditës”, u shpreh ai.

Ismajli shtoi se në Shtime mungojnë vetëm edhe dy shkolla, por që 80 për qind e tyre që janë ekzistuese janë të pajisura me kabinete.

Më tej, ai u zotua se komunën që ka udhëhequr ka pasur përfshirje të njëjtë të grave dhe burrave dhe se ka përkrahur prodhuesit.

“Komuna e Shtimes ka prodhuar dhe prodhon çdo vit ndërmarrës të fuqishëm, nga te cilët përfiton shoqëria. Bizneset tona janë të fuqishme përtej komunës së Shtimes… Ne jemi përpjek si institucione që të kenë mbështetjen tonë në infrastrukturë dhe mbështetjen tjetër se cilat janë potencialet. Ne deri sot qytetarëve tanë u kemi marrë 10 për qind të taksës në investimin e përgjithshëm. Nëse ne kemi marrë 400 mijë taksa në vit, investimet kanë ndodhë 4 milionë”, ka shtuar ai.

E, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku para mësimdhënësve në Shtime ka kërkuar përkrahje për Ismajlin, duke theksuar se çdo projekt madhor në 20 vjetët e fundit ka vulën e PDK-së. Ajo u shpreh e bindur se kjo parti do të ketë rikthim në shumë komuna.

“Unë të dy prindërit i kam profesorë në universitet dhe dita më e lumtur e jetës sime pas shpalljen së pavarësisë ka qenë kur kam shkuar në shtëpi si ministre, kam pirë kafe me prindërit e mi edhe atë ditë si profesorë universiteti e kanë pasur rrogën më të madhe se unë. Falë vendimeve të guximshme që ka marrë PDK. Unë nuk kam ardh me ju bind me votua Naimin, se ju e njihni më mirë se unë. Unë kam ardhur të ju tregoj që unë krenohem me Naimin dhe me punën qe ka bërë në komunën e Shtimes. Është lehtë me shkëlqye në një komunë të madhe me shumë banorë, por shumë më problem dhe sfiduese me shkëlqye dhe me qenë kryetar në këtë komunë”, ka deklaruar ajo.

Në takimin me mësimdhënësit kanë qenë të pranishëm edhe anëtarët e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, Fehmi Mujota dhe anëtarë të degës në Shtime.

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara