Lajmet

​I jepet lamtumira e fundit komandantit të UÇK-së, Cen Aliçkaj

Aliçkaj ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare të shtunën.

Published

on

I jepet lamtumira e fundit komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Aliçkaj ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare të shtunën, ndërsa njihet si luftëtar i denjë dhe si zyrtar i lartë i inteligjencës në FSK.

Qindra persona u rreshtuan të hënën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, luftëtarit Aliçkaj. Mes tyre i pranishëm në varrim ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Kujtojmë se, qysh në moshën 14-vjeçare, Aliçkaj ka marrë pjesë në aksione kombëtare, siç ka qenë vendosja e parullave për shkrimet e kohës “Nini rren e Ylli s’rren”. Ai ka qenë aktiv në veprimet kombëtare të viteve 1981, 1982 dhe gjatë gjithë jetës.

Lajmet

​Zgjedhjet e 12 tetorit, Britania e Madhe ndihmon KQZ në sigurinë kibernetike

Published

on

Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, deklaroi se vendi i tij po i ofron mbështetje Komisionit Qendror Zgjedhor përmes një projekti kibernetik, për të siguruar integritetin dhe zhvillim e qetë të zgjedhjeve komunale.

Ai gjatë një takimi sot me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi kanë diskutuar mbi përgatitjet për zgjedhjet e së dielës.

“E falënderova atë dhe ekipin e tij për përpjekjet që po bëjnë për t’i bërë këto zgjedhje gjithëpërfshirëse, transparente dhe efikase, dhe theksova rëndësinë që mediat legjitime të kenë mundësinë të vëzhgojnë procesin zgjedhor në përputhje me ligjet e Kosovës”, ka shkruar Hargreaves në rrjetin X.

Ai ka shtuar se Britania e Madhe ka kënaqësinë të mbështesë KQZ-në, nëpërmjet një projekti kibernetik të financuar nga Qeveria britanike, në punën e saj jetësore për të siguruar integritetin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani vuri theks të veçantë te ndërhyrjet direkte nga Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës.

Osmani ka dënuar ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Trajneri gjerman​: Anglia nuk mund të jetë favorite e Botërorit 2026

Published

on

Ekipi i Anglisë në futboll nuk ka luajtur në finale të Kupës së Botës për një kohë shumë të gjatë dhe për këtë arsye nuk mund të jetë favorit për Kupën e Botës 2026, tha trajneri i saj Thomas Tuchel.

Anglia ende nuk ka siguruar kualifikimin për kampionatin botërore që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, por është shumë afër këtij qëllimi, pasi në grupin kualifikues K, ajo ka 15 pikë. Shqipëria renditet e dyta me tetë.

Herën e fundit që Anglia luajti në finale të Botërorit ishte në vitin 1966, kur fitoi titullin e saj të vetëm.

“Në Kupën e Botës, ku nuk kam asnjë dyshim se do të kualifikohemi, nuk mund të jemi midis favoritëve. Ka kaluar shumë kohë që kur Anglia fitoi garën ose luajti në finale, dhe shumë nga rivalët tanë e kanë bërë pikërisht këtë në dekadat e fundit. Ndoshta mund të presim shansin tonë nga hija, por nuk mund të jemi midis favoritëve”, tha eksperti 52-vjeçar gjerman.

“Është e qartë se Anglisë i mungon një mentalitet i vërtetë fitues. Kjo është ajo që kanë Argjentina, Brazili, Spanja apo Franca. Nuk jemi në të njëjtën situatë me ta për momentin, por mund të jemi nëse udhëtojmë në turne si një ekip homogjen dhe sillemi si një grup cilësor gjatë turneut”, shtoi ai./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​KE mirëpret progresin në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë për qeverisje elektronike

Published

on

Në Prishtinë u mbajt takimi i trembëdhjetë i Grupit të Posaçëm BE-Kosovë për Reformën e Administratës Publike.

Takimi, i cili u bashkëkryesua nga zëvendës ministri në detyrë i Brendshëm Bardhyl Dobra dhe zëvendësshefi i DP të Komisionit Evropian për Zgjerim Julien Crampes, u fokusua në planet dhe progresin e Kosovës drejt sigurimit të një shërbimi civil profesional, përkitazi me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

KE-ja e mirëpriti përparimin e bërë në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë për qeverisje elektronike për ta përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve të orientuara kah qytetarët, si dhe të programit për reduktimin e barrës administrative.

Duke raportuar për përparimin e bërë, Kosova e prezantoi Raportin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për 2024, i cili për herë të parë u publikua në shtator 2025.

Duke u bazuar në këtë raport, Kosova bëri të ditur se rekrutimet e grave dhe të rinjve në vitin 2024 janë rritur krahasuar me 2023, ndërsa procedurat e rekrutimit kanë tërhequr numër më të madh të aplikuesve.

Kosova dhe Komisioni Evropian u pajtuan që ta rrisin më tej bashkëpunimin, përfshirë atë në nivel teknik, në mënyrë që reformat e ndërmarra të zbatohen plotësisht sa më shpejt të jetë e mundur.

Në përputhje me raportin e KE për Kosovën për 2024 dhe zotimet për reforma që Kosova i ka marrë si pjesë e Planit për Reforma dhe Rritje, Komisioni e inkurajoi Kosovën që ta përshpejtojë zbatimin efikas të Strategjive për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhim të Financave Publike, duke përfshirë konsultimet e rregullta me publikun dhe shoqërinë civile.

Me kornizën ligjore të rishikuar për shërbimin publik të Kosovës, me të cilën parashihen një varg reformash gjithëpërfshirëse që po zbatohen gradualisht, përfaqësuesit e KE-së e theksuan rëndësinë e trajtimit të sfidave të vazhdueshme, e veçanërisht lansimin e një sistemi të centralizuar të rekrutimit në shërbimin publik, zvogëlimin e numrit të emërimeve në poste të ushtruesve të detyrave menaxheriale dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e reformës për pagat.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA-ja) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar rregullisht çështje teknike dhe politike lidhur me reformat që kanë të bëjnë me BE-në.

Janë shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nënkomiteteve: për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikën sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit; bujqësinë, peshkimin, pylltarinë, sigurinë ushqimore; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.

Dy fusha të tjera që mbulohen përmes takimeve të grupeve të posaçme janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Takimet e Komitetit dhe Nënkomiteteve të MSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime shoqëruese të dakorduara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. /S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Parandalohet një rast kontrabande në Morinë, arrestohen dy persona

Published

on

Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit F. M. (52) dhe B.L. (55) pasi gjatë kontrollit në automjetet e tyre në Morinë janë gjetur mallra kontrabandë në vlerë mbi gjysmë milionë euro.

Gjatë operacionit Tarifa, në dalje të Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar, automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L. dhe automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. M.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41.000 tableta dhe 2.194 telefona mobilë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues shtetasin B. L., u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë 930 kg.

Mallrat me vlerë rreth 54 milionë e 350 mijë lekë (562 mijë euro), u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me dy automjetet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara