Lajmet

​Hoti: Serbia ka shtuar paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, s’i pranojmë

Sipas Hotit, Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.

Published

on

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili pretendohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të dialogut të Brukselit. E në këtë formë, ky draft është i papranueshëm thotë Hoti, sipas së cilit, Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.

Muajin që shkoi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bëri të ditur se nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka pranuar një draft të dokumentit, i cili synohet të nënshkruhet për çështjen e të pagjeturve.

Bislimi kishte deklaruar se dokumenti, për të cilin thuhej se mund të nënshkruhej gjatë muajit janar në Bruksel, nëse do të ketë takim të nivelit të lartë, do të shqyrtohet fillimisht nga Andin Hoti.

Lidhur me këtë, Hoti thotë se sa herë afrohet mundësia për nënshkrimin e një dokumenti për të pagjeturit, Serbia vendosë kërkesa të reja që janë të paarsyeshme.

Sipas tij, një dokument i tillë, me kërkesat e reja të Serbisë, e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, kanë shti një apo dy paragrafë të tjerë Serbia, e thash vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty tashmë ekziston aty, nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranoj të tilla dhe besoj që nëse largohen ato uroj të nënshkruhet, nuk e di nëse do të nënshkruhet… (Paragrafët) janë të panevojshëm, janë jashtë realitetit me atë çka ka ndodhur në Kosovë, nuk preket realiteti në Kosovë dhe janë të paarsyeshëm që do të na fuste më një rrugë tjetër që e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë të luftës së fundit në Kosovë”, thotë ai.

Hoti bën të ditur se Kosova është e gatshme të nënshkruaj dokumentin, por pa kërkesat e reja të Serbisë. Ai thotë se kanë hartuar opinionin të cilin pret që ta shqyrtojë Lajçak apo të diskutohet në takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk e di nëse do të nënshkruhet tani, pas asaj të gushtit Serbia për me prolongu këtë proces, me prolongu këtë deklaratë, ka qit kërkesa të reja, ka qit paragrafë të rinj, që për ne janë të papranueshme. Unë në diskutim me zotin Bislimi, e kemi hartuar opinionin tonë që kërkesat e reja që kanë dalë pas asaj janë komplet të panevojshme dhe besoj që ato do të shqyrtohen nga zoti Lajçak ose në takimin e radhës kur do ta kenë, dhe nëse do të ketë tash në janar një takim në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, nëse do të nënshkruhet pa to, do të nënshkruhet, me to nuk besoj që do të nënshkruhet”, shton ai.

Një përpjekje për të nënshkruar një deklaratë për të pagjeturit ishte bërë edhe në gusht të vitit 2022, me ndërmjetësimin Bashkimit Evropian.

Serbia kishte shfaqur kundërshtim sa i përket termit “persona të zhdukur me forcë”, për të cilin pala kosovare nuk ka hequr dorë.

Kryetari i Komisionit për Personat e zhdukur, Andin Hoti thotë se ky term është i vetmi që bazohet në konventë ndërkombëtare të OKB-së dhe që e bën obliguese deklaratën edhe në anën juridike.

Gjithashtu, në deklaratë përfshihet paragrafi ku shtetet zotohen për hapjen e të gjitha dokumentacioneve që i kanë nga lufta e fundit në Kosovë, edhe ato të klasifikuara.

Hoti thotë se hapja e arkivave në Beograd, do të lehtësonte procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“Edhe në vitin 2022, edhe në vitin 2021 ne kemi pasur disa dëshmitarë që na kanë treguar për lokacione të ndryshme, ata kanë filluar edhe të largohet, për shkak të frikësimeve të ndryshme që po hasin prej Serbisë, po do të jetë goxha më sfiduese por çka mundet me lehtësu procesin dhe ne çka aludojmë që do lehtësojë në masë të madhe, nuk do ta përfundojë çështjen e personave të zhdukur, do ta lehtësojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, janë pikërisht dokumentet që i kam përmend më herët, arkivat në Beograd, arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe, ato që janë të klasifikuara dhe që ne nuk po arrijmë me i marr ende, Serbia nuk po i jep”, thotë ai.

Megjithatë, Serbia nuk duket e interesuar për ndonjë dakordim, marrë parasysh tensionet që i provokoi në veri të Kosovës kohët e fundit.

Prej 10 dhjetorit, disa grupe të serbëve në veri të vendit për 20 ditë kishin vendosur 14 barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë.

Gjithashtu barrikada ishin vendosur edhe pranë pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë.

Krejt ato zhvillime ndikojnë edhe në procesin e personave të pagjetur, thotë i biri i veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hotit.

“Unë jam familjar përveç që jam kryetar i komisionit, dhe ne sikur po na kthehet viti 1999, sikur po e shohim edhe një herë luftën në Kosovë në vitin 1999, është i njëjti Vuçiq që ka qenë edhe në atë kohë bashkë me Millosheviqin. Ne edhe pas 23 vitesh po vazhdojmë të kërkojmë eshtra, apo njerëzit në çfarëdo lloj forme, të zhdukur pikërisht nga këto forca, pas 23 vitesh, presidenti i Serbisë Vuçiq del dhe kërcënon prapë me futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, me një formë thotë kemi me iu vra, ne vazhdojmë me i kërku eshtrat para 23 vitesh, ai kërcënon me na vra prapë, natyrisht që ndikon, natyrisht që humb besueshmëria, kjo është indirekt, por edhe direkt ndikon sepse ne gjatë muajit dhjetor takimet e parapara që i kemi pasur me palën serbe nuk kemi mundur me i mbajt, mes grupeve punues”, thotë Hoti.

Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajmet

Kryeministri Rama përsërit ftesën për dialog në ditën e 18-të të protestave

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur sot ftesën e tij drejtuar protestuesve për të hyrë në dialog. Në ditën e 18-të të tubimeve para godinës së Kryeministrisë, ai ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet tryeza e betonit e vendosur për përfaqësuesit e protestës.

Pavarësisht një rënieje në numrin e pjesëmarrësve gjatë ditëve të fundit, tubimet po vazhdojnë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit. Nga ana e tij, Rama ka bërë të ditur se mbetet i hapur për të diskutuar kërkesat, por deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga organizatorët e protestës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Prishtinë i dënuari për keqpërdorim të besimit

Published

on

By

Njësitë e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë arrestuar një 36-vjeçar të kërkuar nga drejtësia.

Personi me inicialet V. R. kërkohej për veprën penale “Keqpërdorim i besimit”, për të cilën është dënuar me një vit burgim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i arrestuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit në përputhje me vendimin e gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

Liverpooli refuzon ofertën e Bayernit prej 60 milionë funtesh për Rio Ngumohan

Published

on

By

Liverpooli ka shprehur vendosmëri të plotë për të mos lejuar largimin e talentit të tij, Rio Ngumoha, pavarësisht interesimit të madh nga Bayern Munichu. Sipas raportimeve nga gazetari i The Telegraph, Sam Dean, gjiganti gjerman ishte i gatshëm të ofronte rreth 60 milionë funte për shërbimet e futbollistit.

Klubi anglez ka refuzuar çdo mundësi për hapjen e negociatave, duke e konsideruar Ngumohan si një pjesë kyçe të projektit të tij afatgjatë. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, por Liverpooli po punon për t’i blinduar shërbimet e tij.

Aktualisht, përfaqësuesit e lojtarit janë në bisedime me drejtuesit e klubit nga “Anfield” për nënshkrimin e një kontrate të re. Kjo marrëveshje do të pasqyronte statusin e tij në rritje dhe do t’i mbyllte përfundimisht dyert për interesimin nga skuadrat e tjera.

/D.L/

Continue Reading

Të kërkuara