Lajmet

​Hoti: I papranueshëm vlerësimi i tatimit në pronë, të shtyhet për vitin 2024

Sipas Hotit, është e rëndësishme që qytetarëve t’iu bëhet e ditur mënyra se si llogaritet tatimi në pronë.

Published

on

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se është e papranueshme që qytetarët të pranojnë faturat e reja të tatimit në pronë dyfish më shumë se që i kanë pasur. Ai thekson se do të kërkojë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa të nxjerrë rekomandim për Qeverinë Kurti që vlerësimi i pronave në fatura të shtyhet për vitin 2024.

Sipas Hotit, është e rëndësishme që qytetarëve t’iu bëhet e ditur mënyra se si llogaritet tatimi në pronë.

“Besoj se është informatë e paarsyeshme, nuk ka asnjë arsyeshmëri, nuk ka asnjë bazë që qytetarët pa prit e kujtu të pranojnë faturat e reja dyfish më shumë siç i kanë pasur të vjetrat. Është mirë të sqarohet mënyra si llogaritet tatimi në pronë, janë normat tatimore të tatimit në pronë dhe është vlerësimi i pronës. Normat përcaktohen me ligj për tatimin në pronë, i cili i përcakton kufirin e poshtëm dhe kufirin e lartë të tatimit në pronë dhe mandej komunat kanë diskrecion që të caktojnë normën e tatimit në pronë brenda kufijve që i cakton ligji. …Ndërkaq, Ministria e Financave bënë vlerësimin e vlerës së tregut të pronave dhe në bazë të saj llogaritet tatimi në pronë. Normalisht që në bazë të ligjit, kohë pas kohe bëhet vlerësimi i pronave, vlerës së tregut të pronave dhe kur ajo shumëzohet me normën tatimore, i jep ngarkesën tatimore. Ajo që është e papranueshme është që qytetarët tanë tash në janar, pas datës 23 janar kur fillojnë të gjenerohen këto futura, kuptojnë që do të kenë rritje të ngarkesës tatimore për pronat e tyre”, theksoi Hoti.

Deputeti i LDK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, tregon se çfarë hapa do të duhej të merrte paraprakisht Qeveria e Kosovës.

“Unë besoj se kjo është e paarsyeshme, është dashtë të zhvillohet një fushatë shumë më e gjatë e informimit të qytetarëve për vlerësimin e ri të pronave që po bëhet, i cili pastaj do të reflektohet në faturën e tatimit në pronë. Pavarësisht a ka drejtë apo jo në këtë rast, Ministria e Financave, Qeveria në këtë vlerësim që ka bërë, sepse është procedurë mbase do të bëhet vlerësimi, koha kur zbatohet në faturat për qytetarët, duhet marrë parasysh edhe kontekstin ekonomik, social dhe tash kur jemi në dijeni se çfarë rritje të çmimeve kemi pas gjatë vitit 2022, që është rritja më e madhe ndoshta në 15 vite, ndërkohë që nuk ka pas rritje të pagave, rritje substanciale të pensioneve dhe të ardhurave tjera qytetare, besoj se është momenti më i keq për të fut në fuqi vlerësimin e ri të pronave dhe dyfishimin e tatimit në pronë”, tha Hoti.

Sipas tij, vlerësimi i tatimit të pronave në fatura duhet të shtyhet së paku deri në janar të vitit 2024.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara