Lajmet

​“Gratë në Energji”, një hap më afër kapërcimit të hendekut gjinor në sektorin e energjisë në Kosovë

Kështu u tha të hënën me rastin e përfundimit të programit 5-vjeçar “Gratë në Energji”.

Published

on

Qindra gra kanë përfituar drejtpërdrejt nga programi “Gratë në Energji”, përmes një qasjeje inovative dhe të ndërthurur të bursave, punës praktike, si dhe granteve për bizneset e grave kosovare në sektorin e energjisë.

Kështu u tha të hënën me rastin e përfundimit të programit 5-vjeçar “Gratë në Energji”, program ky që po kontribuon drejt kapërcimit të hendekut të madh gjinor në sektorin e energjisë në Kosovë.

Me këtë rast, përfaqësues nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Uashington, Ambasada Amerikane në Kosovë, institucionet e Kosovës, organizatat kryesore vendore dhe ndërkombëtare, si dhe qindra gra-përfituese të programit ‘Gratë në Energji’, vlerësuan lartë të arriturat nga ky program.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për profesionistë të sektorit të energjisë pasi vendi po përballet me sfida energjetike.

E para e vendit, Osmani tha se pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë ende është e ulët, prandaj nevojitet një fuqizim edhe më i madh i grave në këtë sektor.

“Programi Gratë në energji, jo vetëm që ka ndihmuar jetën e grave perfituese, mirëpo ka ndërruar edhe dizajnin dhe fatin e sektorit të energjisë në Kosovë… E dimë që nuk ka qenë fare e lehtë dhe do të jetë sfiduese kohë pas kohe puna, por ne kemi nevojë për profesionistë të sektorit të energjisë meqenëse ne ballafaqohemi me sfida të energjisë globale… Për fat të keq Kosova nuk ka shumë dallim nga pjesa tjetër e botës, sepse pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë është tejet e ulët, ne ende jemi me shifra dyshifrore”, tha Osmani.

Nicholas J. Giacobbe, zëvëndësambasador në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, theksoi se programi ka qenë efektiv dhe ka ndihmuar Kosovën të marrë veprime fillestare në sektorin e energjisë në pronësi të grave.

“Programi për Gratë në energji ka qenë efektiv dhe ka ndihmuar Kosovën në diversitetin gjinor në sektorin e energjisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare në arritjen e programit të grave në energji. Ky program ka krijuar mundësi të reja dhe rrugë për karrierë për shumë gra të reja kosovare dhe tani gjithashtu kontribuon një gjithëpërfshirëse në sektorin e energjisë. Qindra gra kanë përfituar drejtpërdrejt nga programi, ndërsa 26 gra kosovare kanë pranuar bursa në lidhje me energjinë në ShBA”, theksoi ai.

Edhe Alicia Phillips Mandaville, zëvëndëspresidente e Korporates së Sfidave të Mijëvjecarit (MCC), tha se pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë është më e ulëta në botë. Ajo theksoi se programi ka një inspirim për gratë që të bëhen lidere në sektorin e energjisë.

“235 gra janë punësuar në praktika të energjisë për të fituar aftësi të mjaftueshme për të krijuar një karrierë. Kjo për perspektivën e programit i ka tejkaluar pritjet tona dhe kjo po ashtu tregon që mundësitë për përcaktimin e grave në fushën e dominuar nga burrat”, theksoi ajo.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe Diella Shabani, ish-studente e Programit të Bursave në kuadër të Programit “Gratë në Energji”.

“Jam e lumtur që kam pasur rastin të jem pjesë e bursës së Grave në energji për shkak se përfshihen dy tema të rëndësishme ajo për fuqizimin e grave dhe kontributi në ruajtjen e planetit tonë”, theksoi Shabani.

Ndërsa, Sarah Olmstead, drejtoreshë për Kosovë në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, theksoi se ka pasur një entuziazëm nga gratë kosovare për përfshirjen në sektorin e energjisë.

“Një prej gjërave më të rëndësishme që do të theksoja është që ka shumë entuziazëm nga gjithë komuniteti dhe kjo është diçka që na ka befasuar qoftë për bizneset e grave në energji që kemi mbështetur dhe në kuptimin e praktikës dhe pastaj të bursave”, tha ajo.

Kurse, Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv në Fondacionin e Mileniumit të Kosovës, shpreson që edukimi nga ky program do ta ushqejë edhe më tej angazhimin MCC-së për edukimin në sektorin e energjisë.

“Kemi filluar me 3 bursa, por pastaj pamë që qindra gra që ishin shumë të suksesshme…Shpresoj që një pjesë të edukimit që kemi marrë nga ky Program do ta ushqejë këtë angazhim të mëtutjeshëm të MCC me Qeverinë e Kosovës. Po ashtu, shpresojmë që donatorët të arrijnë të marrin materialet e raportet”, tha ai.

26 gra kosovare morën bursa për të studiuar fusha të lidhura me energjinë në Ioëa, ShBA; mbi 200 gra u kyçën në sektorin e energjisë përmes punës praktike me pagesë; dhe mbi 400 biznese në pronësi të grave u mbështetën financiarisht për të investuar në efiçiencën e energjisë. Të gjitha këto aktivitete kanë çuar në pjesëmarrje më të madhe të grave kosovare në sektorin e energjisë.

Fondacioni i Mileniumit të Kosovës i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit (MCC) dhe në partneritet me organizatat kryesore vendore dhe ndërkombëtare, ka implementuar një program 5-vjecar me qëllim që përvojat e fituara dhe mësimet e nxjerra deri tani, të shërbejnë për hartimin e projekteve të ngjashme në të ardhmen, nga komuniteti i donatorëve si dhe institucionet qeveritare të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

36 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Published

on

By

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje ndaj Sllobodan Millosheviqit për vetë emërimin si ‘kral’ i të gjithë serbëve në Fushë-Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm, por për atdheun, shkruan KosovaPress.

Kjo rini e shëndoshë, pa hezitim, timonin e pajtimit ia dhuroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbarë trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anembanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte krisur ora e madhe e historisë sonë. Fryma e faljes dhe e pajtimit të gjaqeve, e nisur atëherë, mbetet e gjallë edhe sot, në disa raste. /Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Borxhi në banka, mbi 600 milionë euro mbitërheqje nga qytetarët dhe bizneset

Published

on

By

Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën 655 milionë euro.

Sipas të dhënave të reviduara (verifikuara) nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), stoku i mbitërheqjeve apo overdrafteve në fund të vitit 2025 ka arritur vlerën prej 655 milionë eurove, një rritje prej 11.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, të publikuara nga Instituti GAP, raporton KosovaPress.

Pjesën më të madhe të kësaj vlere e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat në vitin 2025 janë rritur për rreth 49 milionë euro apo 10 për qind.

Sipas një publikimi nga Instituti GAP, norma mesatare efektive (e ponderuar) e interesit e aplikuar në këto overdrafte gjatë vitit 2025 ishte 7 për qind.

“Ndërkaq, overdraftet e ekonomive familjare kapin vlerën prej 115.9 milionë euro, që përbën një rritje rreth 18 milionë euro apo 19% krahasuar me vitin paraprak. Norma mesatare efektive e interesit (e ponderuar) e aplikuar në overdraftet e ekonomive familjare gjatë vitit 2025 ishte 12.3 për qind”, thuhet në njoftimin e Institutit GAP, transmeton KosovaPress.

Grafika për mbitërheqjet bankare në Kosovë, 2015-2025:

 

Continue Reading

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Të kërkuara