Lajmet

​Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë, flet dëshmitarja e mbrojtur

Dëgjimi i dëshmitares ka filluar me seancë të mbyllur.

Published

on

Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e cila po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një personi në fshatin Zllashë.

Dëshmitarja është e mbrojtur dhe nuk është bërë i ditur roli i saj në ngjarjen për të cilën thotë të ketë qenë pjesë e saj.

Dëgjimi i dëshmitares ka filluar me seancë të mbyllur ndërsa më vonë në seancë publike prokurorja ka kërkuar nga dëshmitarja që të përshkruajë një zonë në Zllashë ku ajo kishte thënë se ishte e varrosur një viktimë.

“Vendi ku kemi shkuar ka qenë një mal jo shumë i shpeshtë, diku në thellësi të fshatit është ndalë traktori dhe aty kemi zbrit, aty kam takuar edhe persona të tjerë dhe babai i viktimës thotë këtu është trupi i tij dhe këtu duhet ta marrim”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Prokurorja i ka prezantuar disa fotografi dëshmitares, ato nuk u bënë publike.

Dëshmitarja e cila mban kodin W04676 ka thënë se ato tregojnë vend-identifikimin e varrezës dhe procesin e hapjes së varrit.

“Kjo fotografi është bërë në fillim të procesit kur kemi shkuar atje dhe na u ka thënë që këtu supozohet që është vendvarrimi i viktimës…Kjo fotografi e përshkruan vendvarrimin por e marrë nga krahu i djathtë dhe sidomos këto dy degët që kanë qenë përmbi, do të thotë një fotografi e marrë prej anës së djathtë… Është lehtë e identifikuar thellësia e varrit, nuk mund të jetë më shumë se 20 centimetra kjo thellësi, është lehtë e identifikueshme për shkak të ndriçimit që e ka, dielli që i bie direkt dhe ajo thellësia e një varreze që nuk është si çdo varr tjetër kur të hapet në rrethana normale”, ka thënë dëshmitarja e ZPS-së.

Sipas dëshmitares, viktima ka qenë i mbuluar me një batanije ngjyrë të kaltër të mbyllur.

Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka thënë se pranë trupit të cilin sipas saj e kanë zhvarrosur ka qenë edhe një tjetër trup i varrosur, por nuk e kanë hapur atë varr.

“Në momentin kur është identifikuar komplet viktima kanë kërkuar që të mos vazhdohet tutje, sepse është edhe një person tjetër i varrosur afër tij… Një diskutim që është zhvilluar në mesin e personave që e bënin zhvarrimin sipas fotos po dua t’ju orientoj në foto, ishte nga ana e djathtë sepse pjesa e mbetur e qebes ka qenë ende përfundi dheu. Qeben nuk kemi mundur komplet me heq sepse ka qenë nën dhe. Ka qenë insistimi i të tjerëve që të mos groposet më shumë anash sepse ekziston edhe një trup tjetër”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Ajo ka thënë se trupi tjetër ka qenë në anën e djathtë të varrit të cilin e kanë hapur dhe se nuk e di se çka ka ndodhur me të.

“Nuk është zhvarrosë atë ditë, por më vonë çka ka ndodhur nuk e di sepse ishte e panjohur, nuk e dinim kush është”, ka thënë dëshmitarja.

Fotografitë e prezantuara nga prokurorja, dëshmitarja ka thënë se tregojnë edhe procesin e identifikimit të viktimës.

“Është një vrimë por për të cilën askush nuk mundet ta konstatojë se nga çka është kjo vrimë, por është kështu gjendja e trupit të viktimës…. Një vrimë e cila është parë dhe e cila është markuar si e çuditshme në trupin e një kufome, mirëpo për shkak që trupi i kufomës ka qenë në procesin e dekompozimit është bukur vështirë me identifikuar se çka vërtetë kjo vrimë tregon”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Sipas dëshmitares, kufoma është tërhequr nga Zllashi për t’u varrosur, por nuk ka treguar se në cilin vend.

Dëshmitarja ka thënë se dheun e kanë lënë ashtu siç ka qenë ndërsa kufoma tjetër sipas saj ka mbetur aty.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja e mbrojtur W04676 i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, Anni Pues. Ajo e ka pyetur atë nëse dy degë pranë atij varri për të cilin ka folur dëshmitarja, kishin ndonjë kuptim.

“Për këto dy degë të premë, të vendosura njëra mbi tjetrën e kanë kuptimin e identifikimit dhe në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk e kanë kuptimin e fshehjes apo mbulimit të një varri, sepse ka forma dhe mënyra të tjera qysh fshihen gjurmët dhe mbulohet një varr për të mos u identifikuar, por këto dy degë e kishin kuptimin e identifikimit të kësaj varreze”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, ajo ka folur për procese të varrimit.

“Në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur nuk ke kohë dhe duhet shpejt e shpejtë të kryhet një proces i varrimit, atëherë e hap një varr sa për ta mbuluar, por pa asnjë proces dhe asnjë mbulesë tjetër siç ka ndodh me varreza gjithandej gjatë kohës së luftës në Kosovë. Në një rast të tillë, kjo është përshtypja ime, nuk është konstatim, por është një përshtypja ime në të cilën jam bazuar tërë kohën, edhe sot, është që varrimi është kryer nga dikush dhe kufoma është mbështjellë që mos ta lënë mbi dhe e kanë fut nën dhe në atë thellësinë e cekët qysh e thash më herët, se nuk i ka as gjysmë metër thellësia e varrit. Zakonisht një varr në rrethana normale është identifikues për meshkuj dhe për femra, për meshkuj është, varësisht prej gjatësisë, thellësia e varrit është deri në këtë pjesën këtu, ndërsa për femra thellësia për varrit është deri këtu, është bestytni që i takojnë një ceremonia të varrimit, të gjitha varrezat në të cilat unë kam marrë pjesë, qoftë si… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ajo.

Ndërsa pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës kanë filluar me seancë të mbyllur.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

Tensione para Kryeministrisë në Shqipëri, protestuesit rrëzojnë karriget e vendosura nga Rama

Published

on

By

Situata para Kryeministrisë në Shqipëri është tensionuar, pasi protestuesit kanë thyer dhe rrëzuar karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur në mënyrë simbolike si ftesë për dialog.

Në mbështetje të studentëve protestues kanë dalë edhe mësimdhënësit universitarë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e procesit mësimor në universitete.

Ata kanë theksuar se do të mbështesin çdo vendim të studentëve, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të dialogut me kryeministrin.

Sipas raportimit të A2 CNN, mësimdhënësit kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00, para korpusit universitar, ndërsa mësimi në universitete nuk do të zhvillohet.

Protesta po shoqërohet me kërkesa për përgjegjësi institucionale, ndërsa studentët dhe mësimdhënësit vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë — e akredituar me pikë të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional

Published

on

By

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.

Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon:

  • Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)
  • Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.

Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa prej 40 € bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).

Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është po ashtu 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.

Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: [email protected].

UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT rangohet i pari në Kosovë nga GreenMetric 2026

Published

on

By

UBT është ranguar i pari në Kosovë nga UI GreenMetric World University Rankings 2026, duke konfirmuar sërish lidershipin në implementimin e praktikave të qëndrueshme institucionale dhe në zhvillimin e modelit universitar që ndërthur arsimin, inovacionin, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit.

Ky rezultat dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të shndërruar qëndrueshmërinë nga një objektiv strategjik në praktika konkrete, të cilat reflektohen në infrastrukturën, menaxhimin e resurseve, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative për të ardhmen.

Në këtë edicion, UBT ka arritur 5,122 pikë nga 10,000 pikë të mundshme, duke u vlerësuar në disa kategori. Ndër rezultatet më të spikatura është kategoria Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, ku UBT ka siguruar 80% të pikëve të mundshme, duke dëshmuar rëndësinë që këto fusha kanë në vlerësimin e performancës së tij institucionale. Rangimi vlerëson institucionet e arsimit të lartë përmes kritereve që përfshijnë infrastrukturën dhe hapësirat universitare, energjinë, menaxhimin e mbeturinave, burimet ujore, transportin, si dhe arsimin, kërkimin shkencor, qeverisjen dhe digjitalizimin.

Në përputhje me vizionin dhe misionin e tij për të avancuar arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, UBT ka ndërtuar një model universitar që ndërthur dijen, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit. Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit.

Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës. Kështu, qëndrueshmëria bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e kampuseve moderne dhe krijimin e zgjidhjeve inovative për sfidat e së ardhmes.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

Continue Reading

Të kërkuara