Lajmet

​Gjilani miraton vendimin për rrënimin e objekteve të institucioneve publike, ruhet një pjesë e burgut

Published

on

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane.

Opozita (PDK, LVV, Nisma, Vatra), e cila dje e braktisi seancën shkaku i këtij vendimi, pas insistimit që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, nuk mori pjesë as sot në seancë.

Festa Shabani tha se ndërtimi i administratës komunale është një projekt i shkëlqyeshëm dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos përkrahet, meqë realisht e lehtëson jetën e qytetarëve të Gjilanit, të cilët për një dokument duhet të bëjnë 3-4 kilometra rrugë nëpër qytet, duke u endur nëpër qendra të ndryshme, meqë administrata është e shpërndarë në disa objekte.

“E di se edhe qytetarët janë të interesuar për të marrë shërbime në një administratë të vetme dhe për t`u zgjeruar sheshi, siç parashihet te pika 2 e këtij vendimi”, ka thënë Shabani, thuhet në komunikatën për media nga Komuna e Gjilanit.

Shabani tha se nuk pajtohet me pikën ku thuhet se rrënohet objekti i policisë dhe pjesa e burgut dhe si kusht për ta votuar, kërkoi që te vendimi të bëhet një riformulim në formë të shkruar, ku thuhet se ruhet dhe konservohet një pjesë e burgut, pjesa që ka të bëjë me dhomat e burgut, që shpërfaq një histori nga e kaluara jonë.

Edhe Arta Haziri (AAK) tha se i mbështet projektet e mëdha që janë në interes të qytetarëve të Gjilanit, por pa e përfshirë rrënimin e tërësishëm të objektit të burgut, që shpërfaq gjurmë historike nga e kaluara e popullit shqiptar, i cili këtu ka përjetuar tortura gjatë okupimit serb.

Drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami tha se dekorohet me propozimet për ta riformuluar vendimin dhe sqaroi se projekti për ndërtimin e administratës së re, në të vërtetë e përfshin edhe konservimin e burgut.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini konstatoi se ky vendim hidhet në votim me plotësimin, ku thuhet se ruhet ose konservohet një pjesë e rëndësishme e burgut të Gjilanit, i cili tregon histori nga e kaluara e popullit shqiptar, veçanërisht dhomat e burgut.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe memorandumin e mirëkuptimit në mes të Komunave Gjilan, Kamenicë e Viti dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Gjilan, derisa kërkesën për zëvendësime në Komitetin për Bashkëpunim Ndërkufitar dhe Komitetin për Kulturë, Rini dhe Sport i shtyu për seancën tjetër, meqë përfaqësuesi i subjektit Vatra, nuk ishte i pranishëm në seancë për të dhënë arsyetimin.

Aktualitet

UBT sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar vizionarit dhe inxhinierit Karl Gega

Published

on

UBT do të sjell për herë të parë në Kosovë ekspozitën kushtuar jetës dhe veprës së inxhinierit të njohur të shekullit XIX, Karl Gega – një figurë kyçe e historisë evropiane të inxhinierisë dhe ndërlidhjes ndërkulturore.

Ekspozita do të hapet, nesër, më 15 korrik, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan, duke filluar nga ora 17:00, duke shënuar një moment të rëndësishëm kulturor dhe shkencor për vendin dhe mbarë rajonin.

E realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Musei Civici di Venezia, kjo ekspozitë sjell në vëmendje trashëgiminë evropiane të Karl Gegës si një inxhinier që bashkoi kulturat dhe ndërlidhi komunitetet përmes projekteve të tij vizionare.

Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka theksuar se kjo ekspozitë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërinstitucional dhe dëshmi e përkushtimit të UBT-së për të promovuar dijen, kulturën dhe trashëgiminë përmes një qasjeje akademike dhe inovative.

Kontributi i studentëve dhe stafit të Fakulteteve të Artit dhe Medias Digjitale, Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Dizajnit të Integruar, ka qenë thelbësor në përgatitjen dhe realizimin e kësaj ekspozite.

Ekspozita përfshin dokumente arkivore, plane inxhinierike, vizatime origjinale dhe materiale multimediale, duke e shndërruar në një përvojë edukative dhe vizuale që ndërlidh të kaluarën me të ardhmen, shkencën me artin, dhe trashëgiminë me inovacionin.

Përmes këtij organizimi, UBT dëshmon rolin e vet si institucion lider në krijimin e urave ndërmjet kulturave dhe shkencave të ndryshme, si dhe angazhimin e tij për të sjellë në Kosovë aktivitete me përmbajtje ndërkombëtare dhe vlerë të lartë arsimore dhe kulturore.

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit

Published

on

By

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Prishtinë u arrestua një grua nën dyshimin se ushtoi dhunë psikike ndaj anëtarve të familjes.

Është arrestuar e dyshuara kosovare për shkak se e njëjta dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes së saj. Pas inicimit të rastit e dyshuara në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në rastin e parë në Gjakovë një person është arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka shkaktuar dhunë psikike e fizike ndaj tri grave.

Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se në gjendje të dehur i ka shkaktuar dhunë psikike dhe fizike 3 viktimave femra kosovare. Pas inicimit të rastit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në rastin e dytë në Gjakovë, u arrestua një grua nën dyshimin se kishte rrahur një tjetër.

Është arrestuar e dyshuara kosovare për shkak se e njëjta dyshohet se kishte rrahur viktimën femër kosovare. Pas inicimit të rastit e dyshuara në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurse, në rastin tjetër në Gjakovë, u arresua një grua nën dyshimin se ushtroi dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje tjetër.

Është arrestuar e dyshuara femër kosovare e cila pas një mosmarrëveshje kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me urdhër të prokurorit e dyshuara pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurse, në Malishevë u arrestua një burrë pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj një gruaje.

Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se  kishte shkaktuar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Continue Reading

Lajmet

Pritjet në kufi deri në 10 minuta

Published

on

By

Diaspora ka nisur të vijë në Kosovë, e pritjet nëpër kufijtë e vendit mund të jenë më të gjata.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Jarinjë, ku qytetarët po presin deri në 10 minuta për të hyrë në vend.

Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të mëdha, me fluks dukshëm më të ulët.

Autoritetet kufitare mbeten në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e pritshëm në ditët në vijim, ndërsa mërgimtarët vazhdojnë të kthehen për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.

Continue Reading

Lajmet

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën

Published

on

By

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpall sot aktgjykimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte, të kryera në vitin 1999.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave.

Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.

Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.

Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

Continue Reading

Të kërkuara