Lajmet

​Gjermania mbështet FSK-në edhe me një donacion

Donacioni me pajisjen e ujit është dëshmi për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

Published

on

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar një pajisje për pastrimin e ujit, donacion nga Gjermania, e cila u cilësua si shumë e nevojshme për FSK-në dhe qytetarët e Kosovës. Për të dorëzuar këtë pajisje në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ishte sekretari parlamentar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes në Gjermani, Thomas Silberhorn i cili tha se FSK është në rrugën e duhur drejt transformimit.

Donacioni me pajisjen e ujit, sipas Silberhornm është dëshmi për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe është një mesazh i rëndësishëm jo vetëm për njerëzit e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, se ju jeni në një rrugë të mirë për të transformuar Forcat e Sigurisë të Kosovës në mënyrë që të jeni në gjendje të mbroni njerëzit tuaj. Ky proces i transformimit është në koordinim të mirë dhe koordinim të ngushtë me NATO-n, dhe ne jemi në një proces të vazhdueshëm të projekteve dypalëshe midis Kosovës dhe Gjermanisë, dhe këtë mëngjes ne diskutuam në detaje se si të thellojmë bashkëpunimin tonë dypalësh si në arsim ashtu edhe në pajisjet e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kjo pajisje e trajtimit të ujit është një shembull i mirë i bashkëpunimit tonë dypalësh, që tregon rastet e bashkëpunimit të thellë dypalësh midis Kosovës dhe Gjermanisë, por edhe rolin e Forcave të Sigurisë së Kosovës që është të mbrojë qytetarët kosovarë në rast krize”, ka thënë Silberhorn.

Sekretari gjerman është pritur në takim nga zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral Enver Cikaqi.

Syla ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve do të rritet dhe ekipet e ekspertëve do të konkretizojnë planet që parashihen në memorandum bashkëpunimi.

“Me zotin sekretar kemi diskutuar edhe fazat e zhvillimit të FSK-së dhe përkushtimin e qeverisë sonë që FSK të jetë forcë e pajisur, e trajnuar e ndërvepruese me shtetet anëtare të NATO-s. Ne jemi falënderues qeverisë dhe shtetit gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë dhe çdo herë ka qenë krah i fortë i Republikës së Kosovës. Gjermania është një nga kontribuuesit më të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të forcës së Sigurisë së Kosovës, duke na mbështetur me edukim, trajnim të pjesëtarëve të FSK-së, shkëmbim të përvojave ndërmjet njësive dhe sektorëve, dërgimin e këshilltarëve bilateral, donacione në formë pajisje e fondesh”, ka thënë Syla.

Ndërsa lidhur me pajisjen për pastrimin e ujit, zëvendësministri i Mbrojtjes tha se e njëjta është tejet e nevojshme për FSK-në dhe qytetarët e Kosovës.

Pajisja e dhuruar nga Gjermania përveç qëllimeve ushtarake është e destinuar edhe për raste urgjente civile.

Të tilla pajisje për të trajtuar ujin, Gjermania ka përdorur në korrik të këtij viti kur është përballur me vërshime.

Aktualitet

Presidentja Osmani takon Presidentin e Emirateve, paralajmërohen mbështetje për projekte të reja

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Osmani ka falënderuar Presidentin e Emirateve për lidershipin dhe mbështetjen e treguar për gjithë rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës.

“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtjesorë me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani vlerësoi lartë partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përmendur bashkëpunimin në shumë fusha që kanë ndikuar në zhvillimin e Kosovës.

“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

Në këtë takim Osmani shprehet se ka marrë mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së në Washington, mes liderëve botërorë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington, një ngjarje prestigjioze ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe liderë të lartë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.

Ky manifestim tradicional, i cili organizohet që nga viti 1953, mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore dhe institucionale në SHBA.

Lutjet Nacionale të Mëngjesit mbledhin anëtarë të Kongresit Amerikan, politikanë, liderë ushtarakë, si dhe mysafirë nga mbi njëqind vende të botës.

Pjesëmarrja e Prof. Dr. Edmond Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një moment domethënës për përfaqësimin akademik dhe institucional të Kosovës në një platformë globale me ndikim të veçantë.

Continue Reading

Vendi

Rektori Hajrizi merr pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në SHBA

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Kosovës në SHBA, z. Ilir Dugolli, për delegacionin nga Kosova që po merr pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington.

Gjatë këtij takimi, Rektori Hajrizi pati mundësinë të takohet me deputetë, sipërmarrës, përfaqësues të komunitetit dhe medias, si dhe personalitete të tjera nga jeta akademike dhe institucionale, duke forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar Kosovën në një nivel institucional dhe akademik.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria lejon rihapjen e TikTokut

Published

on

Qeveria e Shqipërisë ka sqaruar vendimin e 3 shkurtit për rikthimin e TikTok pas gati një viti mbylljeje.

Në sqarim thuhet se vendimi u mor pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Qeveria bën me dije se bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare me përfaqësuesit e platformës është institucionalizuar dhe se fokusi është zhvendosur nga ndalimi i aksesit në monitorim aktiv dhe përgjegjësi të përbashkët për sigurinë digjitale.

“Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale”, thuhet në njoftimin e Agjencia për Media dhe Informim .

Njoftimi:

Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok

Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara