Sport

​Giresse e Rrahmani flasin para sfidës me Burkina Fason

Rrahmani theksoi se kjo ndeshje do të jetë një test i mirë para ndeshjeve të qershorit në Ligën e Kombeve.

Published

on

Ndeshjen e parë nën urdhrat e trajnerit të ri, Alain Giresse, Kosova do ta zhvillojë kundër Burkina Fasos në Prishtinë të enjten, sfidë kjo që ka karakter miqësor.

Në prag të këtij ballafaqimi, para mediave kanë folur trajneri Alain Giresse dhe kapiteni Amir Rrahmani. Me këtë rast, qendërmbrojtësi i Napolit theksoi se kjo ndeshje do të jetë një test i mirë para ndeshjeve të qershorit në Ligën e Kombeve.

“Kemi një ndeshje me Burkina Fason nesër dhe jemi duke u përgatitur për ta treguar atë që trajneri do dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit pasi që pas kësaj ndeshje kemi edhe ndeshjen me Zvicrën, kështu që këto dy ndeshje do të na ndihmojnë për përgatitjet në qershor”, tha Rrahmani.

Ai tutje foli edhe për përshtypjet e para për trajnerin e ri francez në krye të kombëtare së Kosovës në futboll.

“Besoj që më e rëndësishme që mund ta di është pas ndeshjes, sepse pas ndeshjes e shohim çfarë kemi bërë dhe mund ta bëjmë video analizën çfarë mund të bëjmë ndryshe dhe çfarë kërkon trajneri nga ato situata të lojës…Është një person shumë pozitiv dhe shpresoj të ketë kështu gjithmonë sepse na duhet një pozitivitet në ekip”, tha Rrahmani.

Ndërkaq trajneri Giresse bëri të ditur se në këto seancat e para stërvitore është përqendruar te stërvitjet me dhe pa top, për të parë formën e lojtarëve.

“Mbetet punë padyshim për t’u bërë më rastet kur e kemi topin, kur e kemi posedimin mirëpo edhe puna pa top pa dyshim”, tha Giresse.

Më pas ai foli edhe për formacionin për të cilin deklaroi se nuk e ka vendosur ende.

“Atëherë siç e kemi thënë më herët, këto dy lojëra do të përfshihen të gjithë lojtarët që janë në ekip dhe padyshim që ditën e nesërme do të kemi një pamje se si do të duket formacioni për ndeshjen me Burkina Fason… Padyshim ky sesion i trajnimit që do ta kemi sot, i cili është i fundit para ndeshjes së nesërme do të na jep idetë e fundit se si do të shfaqemi para Burkina Fasos”, tha Giresse.

Trajneri francez në fund shtoi se rivali i nesërm ka një stil të veçantë të lojës dhe se Kosova do të provojë që t’i kundërvihet me mënyrën e saj për t’i eliminuar të gjitha rreziqet që vijnë nga kundërshtari.

Sport

Zhegrova ndër golashënuesit më të mirë të Juventusit, pavarësisht minutazhës së kufizuar

Published

on

By

Juventusi po përballet me vështirësi në repartin ofensiv këtë edicion të Serie A, duke u renditur në vendin e 13-të për numrin e golave të shënuar, me vetëm 11 realizime në nëntë ndeshje.

Pavarësisht hapësirës së kufizuar në fushë, futbollisti kosovar Edon Zhegrova është ndër lojtarët më efikasë të skuadrës italiane.

Zhegrova dhe mbrojtësi Bremer kryesojnë listën e golashënuesve të Juventusit me nga dy gola, ndërsa Conceicao, Douglas Luiz, Gatti, Kolo Muani, Koopmeiners, Nico Gonzalez dhe McKennie kanë realizuar nga një herë.

Sipas mediumit “Goal”, shqetësuese mbetet forma e sulmuesve të Juventusit, të cilët së bashku kanë shënuar vetëm një gol në nëntë xhirot e para. Kolo Muani ka realizuar një herë, ndërsa Woltemade ende nuk e ka gjetur rrugën drejt rrjetës.

Mediumi ka kritikuar dyshen sulmuese, duke theksuar se nëse vazhdojnë me këtë ritëm, mund të mbahen mend si një nga dyshet më të dobëta në historinë e klubit.

Ndërkohë, Zhegrova ka regjistruar dy gola dhe një asistim në vetëm 185 minuta lojë, të shpërndara në shtatë paraqitje.

Edhe pse nuk ka pasur minutazh të madh, reprezentuesi i Kosovës vazhdon të dëshmojë efikasitetin e tij, duke kryesuar listën e golashënuesve të “Zonjës së Vjetër” së bashku me Bremerin.

D.L

Continue Reading

Sport

Hoffenheimi eliminohet nga Kupa e Gjermanisë, Asllani shënon, Avdullahu gabon nga penalltia

Published

on

By

Hoffenheimi është eliminuar nga Kupa e Gjermanisë pas humbjes ndaj Holstein Kielit, skuadër e kategorisë së dytë gjermane, me rezultat 4:3 pas ekzekutimit të penalltive.

Ndeshja përfundoi 1:1 në kohën e rregullt, me të dy golat që u shënuan gjatë pjesës së parë. Baraspesha vazhdoi edhe pas vazhdimeve, duke bërë që fituesi të përcaktohej përmes penalltive.

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar për 2:2. Ndërkohë, mesfushori Leon Avdullahu nuk arriti të shënonte penalltinë që do të barazonte rezultatin në 3:3, duke i dhënë përparësi skuadrës vendase.

Penalltinë vendimtare për Hoffenheimin e humbi Mats Rots, duke vulosur eliminimin e skuadrës së Bundesligës.

Avdullahu ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë takimit, ndërsa Asllani u aktivizua në fillim të pjesës së dytë.

Në këtë përballje mungoi mbrojtësi i Kosovës, Albian Hajdari, për shkak të lëndimit, ndërsa mbrojtësi i Përfaqësueses U21 të Kosovës, Leon Parduzi, ishte në fushë deri në minutën e 103-të.

Kështu, Hoffenheimi i jep fund rrugëtimit në Kupën e Gjermanisë, ndërsa Holstein Kieli siguron kalimin në fazën tjetër të garës.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova nis kualifikimet për Evropianin 2028, Ostlund publikon listën e lojtarëve

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të nisë javën e ardhshme rrugëtimin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2028, ku do të përballet me kundërshtarë të fortë në Grupin 4.

Kosova është pjesë e grupit së bashku me Hungarinë, Ishujt Faroe dhe Malin e Zi, ndërsa dy ndeshjet e para do t’i zhvillojë ndaj Ishujve Faroe dhe Hungarisë.

Selektori Jesper Ostlund ka publikuar të mërkurën listën e lojtarëve të ftuar, duke pranuar se Kosova hyn si autsajdere në këto përballje.

Ndeshja e parë zhvillohet më 4 nëntor, nga ora 20:00, në Torshavn ndaj Ishujve Faroe, ndërsa më 8 nëntor, nga ora 17:15, Kosova do të presë Hungarinë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

“I fillojmë kualifikimet për Kampionat Evropian duke u përballur me dy kundërshtarë vërtetë të fortë si Ishujt Faroe dhe Hungaria. Jemi autsajderë të mëdhenj në të dy ndeshjet, por natyrisht shpresojmë të paraqitemi mirë, ndërsa do të bëjmë çdo gjë për të befasuar këto Kombëtare”, ka deklaruar Ostlund për Federatën e Hendbollit të Kosovës.

Kosova do të përballet edhe me mungesa të rëndësishme, pasi kapiteni Valon Dedaj dhe organizatori Leonard Gegaj nuk do të jenë pjesë e grumbullimit. Gegaj mungon për shkak të lëndimit.

Në anën tjetër, pas një periudhe të gjatë, në përfaqësuese rikthehet Endrit Abdullahi, i cili aktualisht luan në Suedi.

“Për fat të keq na mungojnë dy organizatorët e lojës, Leonard Gegaj dhe Valon Dedaj, që e bënë këtë grumbullim goxha sfidues. Në anën tjetër e mirëpresim fundorin Endrit Abdullahi, që po luan shumë mirë aktualisht në ekipin e tij në Suedi”, ka theksuar selektori suedez.

Përfaqësuesja e Kosovës do të udhëtojë të hënën drejt Torshavnit, ndërsa pas ndeshjes së parë do të rikthehet në Ferizaj për t’u përgatitur për përballjen me Hungarinë, që konsiderohet favorite e grupit.

Ostlund ka shprehur gjithashtu shpresën se tifozët kosovarë do të krijojnë atmosferë të zjarrtë në palestrën “Bill Clinton”, e cila në vitet e fundit ka qenë e mbushur në ndeshjet e rëndësishme të Kastriotit.

“Do të jetë entuziazmuese për të parë se çka mund të arrijmë së bashku. Po ashtu shpresoj për atmosferë magjike në ndeshjen tonë në shtëpi në Ferizaj. Kam qenë në atë arenë për të parë top-ndeshjet e ligës kosovare më parë dhe vërtetë shpresoj se do të jetë atmosferë e njëjtë për ndeshjen ndaj Hungarisë”, ka deklaruar Ostlund.

Dy përfaqësueset e para të grupit sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2028, ndërsa mundësi kualifikimi ekziston edhe përmes vendit të tretë.

Megjithatë, Kosova pritet të ketë një rrugëtim sfidues, duke marrë parasysh cilësinë e kundërshtarëve dhe mungesat në përbërjen e saj.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madridi reagon pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë

Published

on

By

Klubi spanjoll Real Madrid ka reaguar përmes një deklarate zyrtare pas aksidentit tragjik hekurudhor në provincën e Toledos, në Spanjë, ku raportohet për viktima dhe persona të lënduar.

Përmes komunikatës, klubi madrilen ka shprehur tronditjen e thellë për ngjarjen, duke përcjellë ngushëllime për familjarët e viktimave dhe mesazhe solidariteti për të gjithë personat e prekur.

“Real Madrid CF dëshiron të shprehë tronditjen e tij më të thellë për aksidentin tragjik hekurudhor që ndodhi në provincën e Toledos”, thuhet në deklaratën e klubit.

Gjiganti spanjoll ka shprehur gjithashtu mbështetjen për personat e lënduar, duke u solidarizuar me familjet që po përballen me pasojat e kësaj tragjedie.

Në reagimin e tij, Real Madridi ka vlerësuar angazhimin e ekipeve të emergjencës dhe të personelit të përfshirë në operacionet e shpëtimit.

Klubi mbretëror ka ritheksuar se qëndron pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë të prekurve në këto momente të vështira.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara