Lajmet

​FOL: Gjykatat zgjidhin vetëm 31% të lëndëve të korrupsionit për vitin 2022

Sipas Albana Hasanit, raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare.

Published

on

Lëvizja FOL me mbështetjen e Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, publikoi sot raportin “Performanca e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit gjatë vitit 2022”, i cili adreson çështjen e performancës së këtyre dy sektorëve në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Albana Hasani, hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL tha se raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2022, ndërsa për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, Lëvizja FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

“Duhet të bëhet e çartë se raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por ajo shtrihet vetëm në matjen kuantitative të tyre”, tha ajo.

Gjetjet kryesore të raportit për sistemin prokurorial:

• Shkalla e parë e sistemit prokurorial të Kosovës gjatë vitit 2022 ka pasur në punë gjithsej 953 lëndë të korrupsionit, numër ky që në raport me vitin 2021 (ku në punë ishin 802 lëndë) ishte rritur për 19%. Prej këtyre lëndëve të korrupsionit në punë, 393 lëndë (apo 41 % e lëndëve në punë) kanë qenë të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 560 lëndë (apo 59% e lëndëve në punë) kanë qenë lëndë të reja të krijuara gjatë vitit 2022.

• Nga 953 lëndët e korrupsionit në punë, shkalla e parë e sistemit prokurorial ka arritur të zgjidh vetëm 430 lëndë, apo vetëm 45% të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë gjatë vitit 2022. Ndërsa pjesa tjetër prej 523 lëndëve, apo 55% të tyre, kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2023.

• Këto shifra, pra, tregojnë së shkalla e parë e sistemit prokurorial ka arritur të zgjidh më pak lëndë të korrupsionit se sa në vitin 2021, ku këto institucione kishin zgjidhur 51 % të lëndëve të korrupsionit që i kanë pasur në punë.

• Prokuroria Speciale dhe shtatë prokurorit themelore gjatë vitit 2022 kanë ngritur aktakuza për 263 persona për kryerjen e veprave penale të korrupsionit. Ky numër i aktakuzave për persona kishte pësuar rënie në krahasim me vitin 2021, ku 335 persona ishin akuzuar për veprat penale të korrupsionit.

• Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit prokurorial gjatë kësaj periudhe ka rezultuar të jetë 77%, pra dukshëm më e ulët se në vitin 2021, kur kjo normë ishte 84%.

• Norma mesatare e qarkullimit të lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit prokurorial ka rezultuar të jetë 0.82, që është gjithashtu normë dukshëm më e vogël se në vitin 2021, ku kjo normë ishte 1.04.

• Nga pasqyra e përgjithshme e statistikave të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, shihet se prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit (pra gjithmonë në aspekt kuantitativ) është PROKURORIA THEMELORE E GJILANIT. Nga 83 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo prokurori, ka arritur të zgjidh 68 lëndë, apo 82% të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë. Me këto shifra, kjo prokurori ka arritur normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve, normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve, kohën më të shkurtër të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara.

• Ndërkaq prokuroria që ka arritur rezultatet me të dobëta në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, (pra gjithmonë bazuar në statistikat e Këshillit Prokurorial të Kosovës), është PROKURORIA THEMELORE E MITROVICËS, e cila nga 155 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë, ka arritur të zgjidh 49 lëndë, apo vetëm 32 % të të gjitha lëndëve. Me këto shifra, kjo prokurori ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve, kohën më të gjatë të nevojshme për zgjidhjen e të gjitha lëndëve që këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara.

Gjetjet kryesore të raportit në lidhje me performancën e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit nga ana e sistemit gjyqësor të Kosovës:

• Shkalla e parë e sistemit gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2022 ka pasur në punë gjithsej 268 lëndë të korrupsionit, numër ky që në raport me vitin 2021 (ku ishin 383 lëndë në punë) ishte zvogëluar për 20 %. Prej këtyre lëndëve të korrupsionit në punë, 59% kanë qenë të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 41% kanë qenë lëndë të reja të krijuara gjatë vitit 2022.

• Nga 268 lëndët e korrupsionit në punë, shkalla e parë e sistemit gjyqësor ka arritur të zgjidh 81 lëndë, apo vetëm 31% të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë gjatë vitit 2022. Ndërsa pjesa tjetër prej 184 lëndëve, apo 69% të tyre, kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2023.

• Këto shifra tregojnë për ulje të nivelit të zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit nga ana e shkallës së parë të sistemit gjyqësor, në krahasim me vitin 2021, ku këto institucione kishin zgjidhur 38% të lëndëve të korrupsionit që i kanë pasur në punë.

• Nga 82 lëndët e zgjidhura gjatë këtij viti, janë nxjerrë 41 aktgjykime fajësuese, 23 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, si dhe 14 lëndë janë zgjidhur në mënyra të tjetra.

• Gjatë kësaj periudhe, 42 persona janë dënuar më burgim, 22 persona janë dënuar me kusht, 31 persona janë dënuar me gjobë, ndërsa për 5 persona është shqiptuar dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

• Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit gjyqësor gjatë kësaj periudhe ka rezultuar të jetë 75%, normë kjo dukshëm më e ulët në krahasim me vitin 2021, ku gjykatat kishin arritur normë të zgjidhjes së lëndëve në 106%.

• Ndërkaq norma mesatare e qarkullimit të lëndëve të korrupsionit në shkallën e parë të sistemit gjyqësor gjatë kësaj periudhe ka rezultuar të jetë 0.44.

• Nga pasqyra e përgjithshme e statistikave të pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, shihet se gjykata që ka arritur rezultatet më të mira në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2022 është GJYKATA THEMELORE E PEJËS. Nga 12 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo gjykatë, ka arritur të zgjidh 6 lëndë, apo 50 % të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë. Me këto shifra, kjo gjykatë ka arritur normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve, kohën më të shkurtër të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara.

• Ndërkaq gjykata që ka arritur rezultatet me të dobëta në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit bazuar në statistikat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është GJYKATA THEMELORE E MITROVICËS, e cila nga 45 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë, ka arritur të zgjidh vetëm 6 lëndë, apo 13 % të të gjitha lëndëve. Me këto shifra, kjo prokurori ka arritur normën më të ulët të zgjidhjes së lëndëve, normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve, kohën më të gjatë të nevojshme për zgjidhjen e të gjitha lëndëve që këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara.

Rajoni

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Aktualitet

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Vendi

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare

Published

on

By

Në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës pas një pauze rreth njëmujore, deputetët ratifikuan shtatë marrëveshje ndërkombëtare nga 12 sa ishin paraparë në rendin e ditës.

Në sallë ishin të pranishëm 81 deputetë, të cilët votuan pro shtatë marrëveshjeve të para. Mirëpo, seanca u përcoll me debate dhe largime, pasi deputetët e PDK-së lëshuan sallën në fillim të punimeve, meqë u refuzua kërkesa e tyre që draft-rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës historike të vendosej si pikë e parë e rendit të ditës.

Nga ana tjetër, edhe pse ishin në sallë, deputetët e Listës Serbe nuk votuan as për prezencë e as për marrëveshjet në fjalë.

Ndërkaq, katër marrëveshjet e mbetura nuk u votuan nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me arsyetimin se ato kishin nevojë për shqyrtim paraprak.

Ndër vendimet më të rëndësishme që kaluan këtë të enjte ishte edhe marrëveshja e kredisë prej 33 milionë eurosh ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, e dedikuar për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Marrëveshjet e ratifikuara:

  • Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
  • Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
  • Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
  • Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
  • Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Continue Reading

Të kërkuara