Lajmet

​Fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë, seanca në Hagë po zhvillohet e mbyllur

Thaçi, Veseli dhe Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Krasniqi po e përcjell këtë proces përmes videolidhjes.

Published

on

Në seancë të mbyllur për publikun ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Jakup Krasniqi po e përcjell këtë proces përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë.

Para se dëshmitari të arrijë në gjykatore, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të lëshojë një urdhër me gojë për komentet lidhur me pyetjet që dje gjykatësit i kanë bërë dëshmitarit në fund të seancës.

Përmes këtij urdhri, ai ka theksuar se turpi gjykues e ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje. Por mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe ka kërkuar leje që të përfundojnë parashtrimin e tyre dhe më pas të kërkohen argumentet e trupi gjykues.

“Do të kërkonim leje që të përfundonim parashtrimin tonë pastaj të kërkonim argumentet me gojë të gjykatës, para se të merret ndonjë vendim, kjo është një çështje që i përfshinë të gjithë dëshmitarët por sidomos dëshmitarët ‘viva voce, besoj që kemi goxha dëshmitarë ‘viva voqe që do të fillojnë seancën e radhës dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe do të donim të kishim mundësi të dorëzonim një kërkesë të përbashkët për trupin gjykues dhe pastaj të nxirrni urdhrin me gojë lidhur me këtë”, ka thënë Kehoe.

Megjithatë kryegjykatësi Charles L. Smith ka thënë se thënë se trupi gjykues i ka dëgjuar parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit dhe Selimit dje, sa i takon pyetjeve të bëra nga trupi gjykues për dëshmitarin e dytë të ZPS-së.

“Nuk është e përshtatshme për gjykatësit që të shohin deklarata të papranuara të dëshmitarëve për të nxjerrë pista të reja hetimi. Gjykata e Apelit të Kosovës ka konstatuar që një dokument që është diskutuar me dëshmitarin nga trupi gjykues, nuk ishte autentik dhe mbrojtja do të ketë drejtën të rifillojë pyetjet e veta bazuar në pyetjet që janë drejtuar dëshmitarit, deklaratat e mëparshme të dëshmitarit që shërbejnë dhe janë edhe baza e pyetjeve nga trupi gjykues ishin edhe në listën e prezantimeve për këtë dëshmitar”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se trupi gjykues kur bënë pyetje nuk kufizohet vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin.

“Trupi gjykues i bëri pyetje dëshmitarit dje lidhur me pjesë të transkriptove të intervistave që dëshmitari i kishte dhënë ZPS-së dhe që ZPS i kishte përfshirë në prezantimet e veta dhe që janë përdorur disa herë nga ekipet e mbrojtjes kur bënë kundërpyetjet veta. Për më tej, i paraqet apo i bënë pyetje dëshmitarit lidhur me një dokument që ishte i përfshirë në listën e prezantime të ZPS-së. Po ashtu, mbrojtja bëri të qartë njoftimin e vet sa i takon relevancës së këtyre dokumenteve apo provave të dëshmitarëve në fjalë dhe e dini se këto dokumente mund të diskutoheshin nga dëshmitari. Asnjë cenim nuk u shkaktua lidhur me këto pyetje. Trupi gjykues nuk kufizohet kur u bën pyetje dëshmitarëve vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin. Fushëveprimi i pyetjeve gjyqësore është i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm në një fushë të caktuar, sipas rregullës 127 3, gjykatësi në do fazë mund t’i drejtojë pyetje dëshmitarit”, ka thënë Smith.

Smith ka thënë se palët nuk duhet të supozojnë se trupi gjykues ka bërë ndonjë paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se turpi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit.

“Trupi gjykues kërkon në përputhje me rregullën 137 (2) të vlerësohen lirisht të gjitha provat që janë dorëzuar paraprakisht për të përcaktuar pranueshmërinë dhe rëndësinë e tyre në përfundim të gjykimit. Palët kujtohen të mos supozojnë se trupi gjykues ka bërë një paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme në lidhje me këto. Sa i takon autenticitetit, turi gjykues duhet, sipas rregullës 138, të sigurojë që çdo provë e pranuar të jetë autentike. Paragrafi 47 i urdhrit mbi zhvillimin e procesit gjyqësor parashikon që palët mund ta kundërshtojnë një provë materiale, ta bëjnë këtë kundërshtim të qartë në momentin kur kjo provë kërkohet që të pranohet si provë. Trupi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit dhe këtë do ta bëjë në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe se trupi gjykues duhet të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, Kodi i procedurës penale në Kosovë përcakton që krahas provave të propozuara nga palët dhe palët e dëmtuara, trupi gjykues ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të nevojshme dhe të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

“Trupi gjykues rikujton se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Trupi gjykues duhet të gjykojë dhe funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe burimeve të tjera që janë përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji. Trupi gjykues nuk ka juri, ata janë të mbështetur në fakt dhe në ligj dhe janë gjykatës profesionistë që në mënyrë që të dalin me konstatimet e duhura mund të ndërmarrin të gjitha hapat që gjykohen të nevojshme për të zbuluar të vërtetën, për të bërë këtë turpi gjykues në bazë të nenit 40(9) pika 6 e ligjit, urdhëron nxjerrjen e dëshmive krahas atyre që janë mbledhur paraprakisht apo janë prezantuar para trupit gjykues nga palët”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të këtij urdhri, prokurorja Silvia D’Ascoli ka kërkuar që të merret vendim lidhur me një kërkesë të cilën ka theksuar se e kanë përcjellur përmes postës elektronike, por këtu seanca ka vijuar me redaktime dhe pastaj e mbyllur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin W04421 është dëshmitari i tretë i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Përveç një pjesë të shkurtër të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara