Lajmet

​Familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën

1 mijë e 621 persona janë të zhdukur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Published

on

Në Ditën Kombëtare të Kosovës të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) rikonfirmon përkushtimin dhe obligimin e tij për ta mbështetur përmbushjen e të drejtës së familjeve të 1 mijë e 621 personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.

Për ta bërë këtë, EULEX-i dhe OJQ Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH), janë duke i organizuar një varg sesionesh informuese në mbarë Kosovën me anëtarët e familjeve të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe pas saj.

Sipas një komunikate të EULEX, këto sesione të ndërmjetësuara nga QBPZH-ja shërbejnë si një platformë për të afërmit e personave të zhdukur dhe ekspertët e EULEX-it që të diskutojnë hapur mandatin e kaluar dhe aktual të Misionit, punën e ekspertëve të ndryshëm të mjekësisë ligjore, sfidat kryesore me të cilat përballen ekspertët e mjekësisë ligjore gjatë kërkimit për personat e zhdukur, si dhe mbështetjen të cilën ua jep EULEX-i homologëve të tij vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për gjetjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre.

“Familjet duhet ta dinë të vërtetën dhe askush nuk ka të drejtë që t’ua mohojë këtë. Kjo është mundësia që familjet të marrin disa përgjigje”, tha Bajram Qerkinaj, drejtor ekzekutiv i QBPZH-së. Ndërsa, Negovan Mavriq, zëvendësdrejtor i QBPZH-së theksoi se çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë. Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Duke theksuar të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën, këshilltarja për të Drejtat e Njeriut në EULEX, Valentina Vitali tha se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të kërkojnë informacion nga institucionet përkatëse për rastet e tyre, duke shtuar se këto institucione e kanë për obligim që të ofrojnë informacion me kusht që kjo të mos komprometojë hetimet.

Zëvendësdrejtori i IML-së dhe arkeologu mjeko-ligjor i EULEX-it, Javier Santana, foli për sfidat me të cilat ballafaqohen ekspertët e mjekësisë ligjore në procesin e përcaktimit të fatit të personave të zhdukur në Kosovë: (a) faktin që një numër i konsiderueshëm i personave të zhdukur janë varrosur në varre të vogla, klandestine apo edhe në varreza nga autorët për ta vështirësuar kërkimin për personat e zhdukur dhe për t’i fshehur provat e këtyre krimeve, (b) mungesën e informatave të reja dhe të besueshme për vendndodhjen e varreve (c) faktin se jo të gjithë familjarët e personave të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut për analizën e ADN-së, duke ua bërë kështu më të vështirë ekspertëve identifikimin e mbetjeve mortore dhe (d) çështjen e identifikimit të gabuar. Pas luftës, kufomat u identifikuan në mënyrë të shpejtë pa hollësi, për shembull përmes fotografive ose rrobave, duke rezultuar në gabime të cilat sot janë të vështira për t’i gjetur dhe korrigjuar.

Antropologia Forenzike e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se që nga fillimi i mandatit të tij, ekspertët e EULEX-it kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, të cilat kanë rezultuar në identifikimin e 332 personave të zhdukur.

“Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t’u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, përfundoi Marinho.

Për ta ndarë dhimbjen dhe errësirën në të cilën janë duke jetuar familjarët e 1 mijë e 621 personave të zhdukur tash e më shumë se 23 vjet, EULEX-i do t’i bashkohet iniciativës së disa OJQ-ve të Kosovës dhe do t’i fikë dritat sonte në selinë qendrore të tij për pesë minuta në orën 20:30. 

Vendi

Vitia pranon mungesën e barnave onkologjike gjatë verës, njofton masa disiplinore ndaj zyrtarëve të vonuar

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës se në Klinikën e Onkologjisë ka pasur mungesë të medikamentit “Palbociclib” gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, si dhe vonesa në furnizimin me disa barna të tjera esenciale.

Duke sqaruar situatën, Vitia bëri të ditur se “Palbociclib” ishte futur në Listën Esenciale në vitin 2025 me planifikim fillestar për 40 pacientë, por dyfishimi i kërkesave bëri që kontrata të shpenzohej në masën 130% brenda nëntë muajsh. Sipas tij, pamundësia për të hapur procedura të reja pa miratimin e buxhetit dhe dështimi i tenderit të parë për mungesë ofertuesish shtynë furnizimin deri më 18 gusht, pas lidhjes së kontratës së përshpejtuar më 30 korrik 2026.

Bilanci i mungesave dhe masat disiplinore

Ministri pranoi se furnizimi i sivjetshëm në Onkologji nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025, duke paraqitur të dhënat mbi shtrirjen e mungesave:

Palbociclib: Mungoi për gati 9 javë, duke prekur 70 pacientë (dy cikle trajtimi).

Bevacizumab (Avastin): Mungoi për rreth 13 javë, duke prekur 70 pacientë.

Bicalutamide: Mungoi për 12 javë, duke prekur rreth 70 pacientë.

Dabrafenib: Mungoi për 20 javë, duke prekur 12 pacientë.

Sorafenib: Mungesa preku 14 pacientë.

Si shkaqe kryesore ai përmendi mungesën e autorizimeve të marketingut dhe vonesat procedurale. Vitia njoftoi se pas një auditimi të brendshëm janë iniciuar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve që nuk kanë reaguar me kohë, ndërsa shtoi se tashmë janë nënshkruar kontrata afatgjata për stabilizimin e furnizimit.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përzgjedhësi i Izraelit, Ben Shimon: Kosova ka ekip të mirë, jemi në nivel të përafërt

Published

on

By

Përzgjedhësi i Kombëtares së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës në konferencën për media para përballjes së nesërme ndërmjet dy kombëtareve, duke deklaruar se të dyja ekipet kanë nivel të përafërt.

Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një kundërshtar cilësor, ndërsa shtoi se bilanci i takimeve të kaluara nuk do të luajë rol përcaktues në këtë sfidë.

“Mendoj që Kosova dhe Izraeli pak a shumë e kanë nivelin e njëjtë. Mund të them që të dyja janë ekipe relativisht të vogla. Sa i përket rezultateve të së kaluarës, nuk bazohemi te historia. Kosova me të vërtetë ka një ekip të mirë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Ben Shimon.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit zhvillohet nesër, ku të dyja përfaqësueset synojnë rezultat pozitiv. Deri më tani, nga tri përballjet e ndërsjella, Kosova ka arritur të shënojë një fitore. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara