Lajmet

​Ekspozohen punimet e prindërve me fëmijë të prekur nga leukemia

Këto mjete do të dhurohen për repartin e Hemato-Onkologjisë pranë Pediatrisë.

Published

on

Dhimbjet e vuajtjet për fëmijët e tyre po i shndërrojnë në art. Shumë nëna nga Kosova, të cilat po sfidohen me më të shtrenjtit e tyre, kanë nisur ekspozimin e punimeve shumëngjyrëshe në Prishtinë.

Në pak metra katror, afër sheshit kryesor në kryeqytet, për tre muaj radhazi do të shiten punime në ndihmë të fëmijëve të sëmurë nga leukemia.

Këto mjete do të dhurohen për repartin e Hemato-Onkologjisë pranë Pediatrisë.

Nga momenti i diagnostikimit me leukemi, fëmijët të shoqëruar nga prindërit qëndrojnë nëntë javë për trajtim në QKUK. Në bashkëpunim me organizatën “Cure 2 Children” të hënën ka filluar aktiviteti për shitjen e punimeve të ndryshme të punuara nga vet duart e prindërve.

Drejtoresha e kësaj organizate, Leonora Bajraktari tregon se kjo shtëpizë më këto punime-dore do të jetë e hapur për tre muaj.

Duke na lejuar këtë hapësirë, këtë shtëpizë që të mundemi nëpërmjet gjërave që i punojnë nënat e së bashku me mua dhe nënave tjerave që kemi qenë të prekura me fëmijë tanë, që të sjellin ato punëdore dhe t’i shesin. Por, në të njëjtën kohë edhe të ndihmojmë dhe të motivojmë nëpërmjet një hapësire, me një palë rruaza të bukura t’ia bëjë dikujt dhuratë, por edhe ta ndihmojë”, tregon Bajraktari.

Punimet shumëngjyrëshe të punuara nga duart e nënave, janë ekspozuar në fillim të sheshit “Edit Durham” në Prishtinë.

Kjo shtëpizë do të qëndrojë e hapur për tre muaj dhe është lëshuar për shfrytëzim nga Drejtoria për Shërbime Publike të Komunës së Prishtinës.

Bajraktari pret nga qytetarët të tregojnë anën humane dhe të mblidhen mjete për fëmijët nga punëdoret që nuk kanë çmim.

Patjetër që shkojnë të gjitha, me përgjegjësi shumë të plot në atë repart për ata fëmijë. Sikur për pjesën që mungojnë të barnave, ose një rimbursim të një fature jashtë që bëhet një analizë private. Një festim i datëlindjes, një lodër, një festim i fundit të terapisë. Gjithçka është brenda reparti, ne i qëndrojmë afër dhe i rimbursojmë këto gjëra”, shton ajo.

15 vjet më parë, A.M i cili ishte 14-vjeçar humbi betejën me sëmundjen e leukemisë. Që nga ajo ditë, në po të njëjtën datë shënohen aktivitete për nder të tij.

22 gushti për mua do të thotë shumë. Një fëmijë para shumë vitesh nuk ka mund t’ia dalë, e ka humbur betejën me këtë sëmundje. Edhe gjithmonë e kam përkrahjen e nënës së tij që në këtë datë, është për neve shumë datë e madhe. Edhe pse nuk ka mund ai t’ia dalë, por prindërit gjithmonë më kanë motivuar që unë të vazhdojë me këtë punë dhe t’i ndihmojë familjarët e tjerë”, rrëfen Bajrakari.

Bajraktari flet edhe për vështirësitë e trajtimit të kësaj sëmundjeje.

Gjendja e tyre gjithmonë është më e rënduar, por fatmirësisht shërimi është duke shkuar në nivelin e duhur dhe gjithë fëmijët po ja dalin të shërohen nga kjo sëmundje…Fëmijët janë shumë të vogël, ndonjëherë nuk e dinë rëndësinë e sëmundjes, ose sa e rëndë është. Ne jemi afër prindërve, mundohemi të jemi afër dhe të kemi përkrahjen tonë si me asistencë sociale, me këshilla, si me anën psikologjike”, tha Bajraktari.

Pothuajse çdo vit në Kosovë diagnostikohen rreth 60 fëmijë me sëmundjen e leukemisë.

Numri për një vit i fëmijëve që diagnostikohen në Kosovë është 60. Nuk ka ndryshim të madh, viti prej vitit. Edhe pse pandemia e ka bërë të vetën, vështirësitë janë shumë të mëdha dhe ka shkuar në shtimin e rasteve. Ndërsa, nga viti 2008 është një numër shumë i madh në regjistrat tona të cilat i kemi ndihmuar dhe ju kemi ofruar përkrahje të vazhdueshme”, shtoi ajo.

Ani pse një numër i madh arrijnë të shërohen, shumë fëmijë nuk e fitojnë betejën me këtë sëmundje.

80 për qind të fëmijëve që diagnostikohen me këtë numër 60, e gjejnë shërimin në repartin e Pediatrisë në QKUK. Ata tjerët të cilët janë më të rrezikuar dhe sëmundja është më e avancuar, ata shkojnë jashtë vendit. Kështu që unë mendoj dhe besoj që të gjithë ia dalin, është një numër shumë i vogël që jashtëzakonisht është mangësi me vetëdijesim të prindërve që e sjellin me vonesë prindërit. Përndryshe, terapia po e bën të veten së bashku me doktorët tanë. Është avancuar gjithçka edhe terapia edhe mjekët dhe një pesë për qind, është numër i madh, por nuk dua të shpalos dhimbjet e atyre prindërve që i kanë humbur fëmijët”, tha ajo.

Gjatë ditës janë organizuar edhe shumë aktivitete për fëmijët me këtë sëmundje.

Lajmet

Specialja cakton datat për deklaratat përmbyllëse në rastin e Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve për pengim të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar mesin e muajit shtator për mbajtjen e seancave të deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit të gjykatës, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se, në periudhën nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, kanë tentuar të ndikojnë te dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në procesin gjyqësor për krime lufte kundër Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërkaq, ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut është ngritur nga një akuzë për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars.

Ndërkohë, aktgjykimi në rastin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pritet të shpallet më 16 shtator.

Ata akuzohen për vrasje, torturë, përndjekje dhe vepra të tjera që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm për veprat që lidhen me rreth 155 viktima.

Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të shpallet fajtor dhe të dënohet me nga 45 vjet burgim.

Gjatë procesit, mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar para trupit gjykues, ndërsa janë pranuar edhe 160 deklarata me shkrim të dëshmitarëve të tjerë. Gjyqi përfundoi në muajin shkurt, ndërsa të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë, ku shumë e kanë cilësuar atë si të njëanshëm, duke argumentuar se nuk trajton krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar protesta dhe janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër” në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë”, të mbajtur më 17 shkurt të këtij viti në Prishtinë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë përcillej me interes të madh në Kosovë (Sarajeva)

6 gusht 1993

Shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të drejtat që i gëzojnë edhe malazezët

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, me kërkesën e tij, u takua në Ulqin me prof. dr.Slobodan Vujaçiq, ish-anëtar i Kryesisë së Malit të Zi dhe tash anëtar i Këshillit Republikan për Mbrojtjen e të Drejtave të pjestarëve të grupeve etnike e nacionale, të cilin e formoi Kuvendi i Malit të Zi në mbledhjen e fundit.

Vujaçiqi u interesua për qëndrimin e Lidhjes Demokratike për këtë Këshill, duke thënë se kjo është një iniciativë e mirë dhe njëherësh tregon vullnetin e pushtetit republikan për mbrojtjen e të drejtave të grupeve etnike e nacionale.

Kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, theksoi se formimi i këtij Këshilli pa konsultimin e LD në MZ, të vetmes parti legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi dhe pa përfaqësuesit e vërtetë legjitim të shqiptarëve në Mal të Zi, është për të satën herë deri tash, veprim për të mashtruar shqiptarët në Mal të Zi dhe opinionin e gjerë.

Që në qershor të vitit 1992, kur u zhvilluan bisedimet me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe me Qeverinë së Malit të Zi, me ç’rast partitë opozitare parlamentare në Malin e Zi, në mesin e tyre edhe Lidhja Demokratike, kërkuan nga Qeveria dhe partia në pushtet që të formohet qeveria e bashkimit qytetar. Qeveria e Malit të Zi, në fakt, partia në pushtet, si përgjigje dhe për të qetësuar opozitën, para së gjithash shqiptarët dhe myslimanët dhe për të kënaqur opinionin ndërkombëtar, propozoi që të formohet Këshilli Republikan i Malit të Zi për paqë e qetësi qytetare dhe barazi nacionale, si trup këshillues. Që atëherë Lidhja Demokratike në Mal të Zi, theksoi se një trup i tillë nuk është i pranueshëm, ngase nuk ka kurrfarë ingjerencash për vendosje.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, përpiqet për pjesëmarrje proporcionale në pushtet në të gjitha nivelet dhe për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e definuan me Memorandumin për Statusin special në Mal të Zi (me Kushtetutë apo me Ligj kushtetues), shtoi Mehmet Bardhi.

Pushteti i Malit të Zi, në vend që të vendos dialogun demokratik dhe të fillojë të zgjidhë çështjet e hapura, ai me veprimet e veta ndaj shqiptarëve në Mal të Zi po sillet në mënyrë injoruese, mospërfillëse, sikur të mos ekzistonin. Shqiptarët në Mal të Zi jetojnë në trojet e veta, përkujtoi Mehmet Bardhi dhe shtoi se Lidhja Demokratike në Mal të Zi edhe njëherë thekson se shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, krejtësisht si malazezët dhe të tjerët në të gjithë lëmejtë e jetës. Mu për këtë LD në MZ, është e gatshme për dialog demokratik e konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, të cilat sot janë më të mëdha dhe më të theksuara se kurrënjëherë më parë.

Kryetari i LD të MZ përmendi dhe një numër çështjesh tjera të hapura, që nuk janë të zgjidhura si çështja e shkollimit, kërkesën e prindërve nga Plava që të hapet klasa e parë fillore në gjuhën shqipe që është kërkuar qe dy vjet me radhë, por të cilën Ministria e arsimit nuk e ka lejuar; për shkollimin e lartë të nxënësve shqiptarë, për qeverisjen lokale, shërbimin e inspekcionit, heqjen e vizave dalëse për Shqipëri, hapjen e pikës kufitare etj.

 

6 gusht 1994

NATO bombardoi pozicionet serbe në rrethinë të Sarajevës

Mbrëmë në orën 18,35, avionët e NATO-s me kërkesën e UNPROFOR-it, bombarduan pozicionet e izioluara tokësore të serbëve të Bosnjës të vendosura në malin Igman, që shtrihet në zonën e ndaluar prej 20 km, në rrethinë të Sarajevës, njoftojnë burimet zyrtare diplomatike dhe ushtarake nga selia e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel.

Ky akcion i NATO-s, është një lloj ndëshkimi ndaj forcave të serbëve të Bosnjës, që kohëve të fundit i përsëritën sulmet ndaj ushtarëve të UNPROFOR-it e veçanërisht kur dje në mëngjes (të premten) në afërsi të Ilixhës i detyruan helmetkaltërit ukrainas t’u dorëzojnë një tank T-55, dy qerre të blinduara M-0, një bateri topash kundërajror dhe dy tri orë më vonë e sulmuan helikopterin “Puma” të kontigjentit francez, që kërkonte materialin e “vjedhur”.

Në bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe morën pjesë avionët amerikanë “A10”, mirazhët francez, jaguarët britanikë dhe gjuajtësit holandez. Me këtë rast, komandanti i UNPROFOR-it, gjenerali Lapresle deklaroi “misioni është kkkkryer me sukses, janë qëlluar objektivët në tokë”. Në lidhje me bombardimet dhe “objektivët e qëlluar”, burimet e NATOs theksojnë se “janë shkatërruar disa nga armët e rënda të vjedhura nga forcat serbe”.

Ky aksion ndëshkues i NATO-s, edhe pse i limituar (kufizuar), është një formë presioni drejtuar serbëve të Bosnjës e posaçërisht liderit të tyre Karaxhiq, pas refuzimit të Planit Paqësor të Grupit të kontaktit (SHBA, Anglia, Franca, Gjermania dhe Rusia).

Sot, të gjitha radio e tv programet dhe gazetat në Evropën Perëndimore po i kushtojnë rëndësi të veçantë bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës.

 

6 gusht 1997

U shpallën fituesit e Çmimit Letrar Kombëtar

Dje në Tiranë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit Letrar Kombëtar për botimet e vitit 1996.

Kryetari i jurisë së këtij konkursi ishte dr. Aurel Plasari. Me çmimin për prozën e gjatë më të mirë të vitit 1996 u vlerësua shkrimtari Zija Çela për romanin “Monedha e dashurisë”, për poezinë Frederik Rreshpja me përmbledhjen “Lirika të zgjedhura” dhe për tregime Faruk Myrtaj me librin “Nudo zyrtare”. Libri më i mirë i përkthyer nga letërsia e huaj u cilësua “Obelisku” i autorit gjerman Erih Maria Remark, i shqipëruar nga Robert Shvarci. Çmimet për librat e parë në poezi dhe prozë i fituan autorët debutues, Ani Spahivogli dhe Andrea Hila.

Vlera e shpërblimit të sivjetshëm të Çmimit Letrar Kombëtar është 150-200 mijë lekë të rinj.

Më pas, studiuesi Ramadan Musliu, anëtar i jurisë, foli për rrjedhat e letërsisë shqipe të viteve 90-të, duke evidencuar veçoritë dhe prirjet karakteristike të saj, të shfaqura kryesisht në fushën e koncepsioneve dhe të teknikave letrare.

Ndërsa, aktorë të teatrit recituan pjesë nga krijimtaria më e mirë e paraqitur në këtë konkurs të ilustruara me muzikë të zgjedhur, njofton “Bujku”.

 

6 gusht 1998

Klinë: Mbi 10 mijë banorë shqiptarë janë buzë katastrofës humanitare

Më 3 gusht të këtij viti, forcat e ushtrisë dhe policisë serbe, pas granatimeve të parreshtuara, hynë në fshatin Çeskovë dhe e dogjën e shkatërruan në tërësi fshatin. Nga kjo ditë, nga kodrinat e këtij fshati forcat srbe po e granatojnë parreshtur Jabllanicën e Gjakovës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Klinë.

Njoftohet se edhe më tej nën qiellin e hapur vazhdojnë të jetojnë rreth 10 mijë banorë shqiptarë të fshatrave të granatuara të komunës së Klinës.

Gjendja shëndetësore dhe humanitare e këtyre banorëve shqiptarë që tashmë kanë mbetur pa kulm mbi kokë është buzë katastrofës, pasi ata kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende të tjera më elementare për jetë.

 

Vushtrri: Gjatë sulmit serb në Pantinë u vra Jeton Tërstena (24)

Forca të ushtrisë serbe granatuan sot fshatin Pantinë të Vushtrrisë.

NMDLNJ i Vushtrrisë njofton se si pasojë e granatimeve u vra Jeton Tërstena (24) dhe u plagosën dy shqiptarë të tjerë, jeta e të cilëve nuk është në rrezik.

Nga granatimet gjithashtu u dëmtua shtëpia e Ramadan Mehmetit.

Pas sulmit forcat serbe u tërhoqën në drejtim të fshatit Frashër. Varrimi i Jeton Tërstenës bëhet sot në orën 18 në fshatin Oshlan.

 

Zhur: U varrosën dy të varë nga forcat serbe

Më 3 gusht të këtij viti, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, në afërsi të fshati Buqe të Dragashit u gjet trupi i pajetë i Nexhat Qazim Fanajt (31) nga Grazhdaniku, ndërsa më 5 gusht u gjet trupi i pajetë i Behamir Rrustem Memajt (28) nga Zhuri, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Zhur.

Njoftohet se kufomat e dy të rinjëve shqiptarë janë varrosur në vendlindjet e tyre.

Bëhet e ditur se dy të rinjët shqiptarë janë vrarë më 28 korrik të këtij viti nga forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, derisa po bombardonin mbi kodrat e fshatrave Buqe e Brazne të Dragashit.

 

Prizren: Teki Ramshaj vdiq nga torturat në polici

KI i Degës së LDK-së në Prizren, duke cituar disa dëshmitarë, njofton se nga torturat e rënda fizike në policinë e Prizrenit, pardje ka vdekur Teki Ramshaj (26), i cili është varrosur në qytetin e Rahovecit.

Gjendja në Prizren e rrethinë vazhdon të jetë e rëndë. Mbi qytet fluturojnë shpesh helikopterë ushtarakë, ndërsa sot në magjistralin Prizren-Kukës sot forcat serbe kanë vendosur katër postblloqe të reja.

 

Në spitalin e Tiranës vdiq Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë

Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë vdiq në spitalin ushtarak të Tiranës, pasi ditë më parë ishte plagosur në kufirin Kosovë-Shqipëri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Varrimi i tij u bë në Tiranë.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Folklor, energji epike dhe balet modern në natën e dytë të “Etno Fest-it”

Published

on

By

Nata e dytë e edicionit të 16-të të “Etno Fest-it” nisi me Ansamblin “Devolli” nga Korça, i cili solli për publikun valle tradicionale devolliane, veshje autoktone dhe harmoninë e lojës instrumentale ku dominonte klarineta.

Programi vazhdoi me aktorin Armend Baloku dhe shfaqjen e tij mbështetur në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Permes një interpretimi me ekspresivitet e temporitëm dinamik, ai përcolli fuqishëm historinë dhe mesazhin aktual të Fishtës “Lidhnju bashkë si kokrrat në shegë”, duke i shtuar mbrëmjes dozën e adrenalinës kombëtare.

Më pas, kompania Dance Theatre nga Gjergj Prevazi prezantoi shfaqjen e baletit “Void” (Bosh). Lëvizjet e precizuara të balerinave Katerina Goga dhe Chiara Xoxi përcollën përmes gjuhës së trupit përpjekjen për të mposhtur apatinë e zbrazëtinë përmes artit. Mbrëmja u përmbyll te “Qilimi fluturues i gjyshes” me performancën e grupit “NA” dhe DJ Cabo, duke gërshetuar muziken tradicionale me atë moderne. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bie për disa centë çmimi i naftës sot në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme, 6 gusht.
Sipas vendimit të MINT-it, çmimet tavan të caktuara për tregun janë: Nafta: 1.72 euro për litër, Benzina: 1.45 euro për litër, Gazi 0.60 euro për litër
Ministria bën të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë operatorët e naftës në vend.

Continue Reading

Të kërkuara