Kryeministri në detyrë Albin Kurti reagoi ndaj paralajmërimit të bizneseve për protestën e sotme të bizneseve me kërkesën për shtyrjen e tregut të lirë të energjisë elektrike, i paraparë të fillojë më 1 qershor.

Kurti në mbledhjen e qeverisë në detyrë tha se Oda Ekonomike duan që të bëjnë barrikada dhe të bllokojnë rrugët në hyrje të Prishtinës.
“Koha për barrikada ka perënduar, i kemi hequr kudo që ishin ato”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë kritikoi Odën Ekonomike për rolin e saj në organizimin e protestës.
“Oda Ekonomike që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Por ajo çka nuk po iu tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, tha ai.
Kryeministri në detyrë tha se bizneset kanë pasur kohë të përgatiten tetë vjet për tregun e lirë të energjisë elektrike.
“Ligji për energjinë elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit ka nisur më 2017. Sipas tij, faza e dytë është shtyrë disa herë në këto tetë vjet, duke u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrjes apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë. 300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se ndërmarrjet kanë përfituar tarifa të rregulluara dhe subvencione në vlerë prej 26 milionë eurosh, ndërsa qeveria i ka mbështetur edhe gjatë pandemisë dhe krizës energjetike, duke përmendur skemat për efikasitet energjetik, instalimin e paneleve solare dhe subvencionim për pajisje e makina më efiçiente si mjete konkrete të përkrahjes.
Kurti tha se nuk mund të mbrojmë 1% të bizneseve në kurriz të 99%.
“U bëjmë thirrje bizneseve të mendojnë në mënyrë të mençur dhe ne do t’i mbështesim”, tha ai.