Lajmet

​Dy herë më shumë njerëz kanë hipertension sesa 30 vjet më parë

Published

on

Më shumë se 1.2 miliard njerëz në botë jetojnë me hipertension, dy herë më shumë se 30 vjet më parë.

Kështu thuhet në një studim të botuar nga revista mjekësore Lancet, sipas të cilit presioni i lartë i gjakut lidhet drejtpërdrejt me më shumë se 8.5 milionë vdekje çdo vit dhe është një faktor kryesor rreziku për goditje në tru, sëmundje ishemike të zemrës, sëmundje të tjera vaskulare dhe sëmundje të veshkave.

Ulja e presionit të gjakut mund të zvogëlojë numrin e sulmeve në zemër me një të katërtën dhe pothuajse të përgjysmojë numrin e rasteve të dështimit të zemrës dhe goditjeve në tru.

Mendohet se sëmundja është “e lehtë” për t’u diagnostikuar dhe relativisht e lehtë për t’u trajtuar me ilaçe të lira për të parandaluar probleme më serioze shëndetësore. Sidoqoftë, numri i njerëzve që vuajnë nga hipertensioni po rritet.

Për më tepër, pothuajse gjysma e njerëzve që kishin hipertension në vitin 2019 nuk ishin në dijeni për këtë. Gjysma e atyre që u diagnostikuan me hipertension nuk morën terapi.

Në mbarë botën, presioni i gjakut kontrollohet në më pak se një në katër gra dhe një në pesë burra me hipertension.

“Pavarësisht përparimeve mjekësore dhe farmakologjike në dekadat e mëparshme, përparimi global në menaxhimin e hipertensionit ka qenë i ngadalshëm dhe shumica e njerëzve me hipertension mbeten të pa trajtuar, me mangësi të mëdha në vendet e mesme dhe të pazhvilluara,” tha autori i studimit Majid Ezati nga Kolegji Mbretëror në Londër.

Në Evropë, shkalla e hipertensionit është e lartë në vendet qendrore dhe lindore si Hungaria, Polonia dhe Kroacia. Hulumtimi tregoi se në ato vende, si dhe në Lituani, Bjellorusi dhe Rumani, më shumë se gjysma e grave kanë presion të lartë të gjakut.

Nga ana tjetër, në vendet e Evropës Perëndimore, mes të cilave janë Zvicra, Britania e Madhe dhe Spanja, përqindja e popullsisë që ka hipertension është në nivelin më të ulët të regjistruar. Këto vende gjithashtu kanë shkallën më të ulët të hipertensionit te gratë, më pak se 24%.

“Prevalenca globale dhe shkalla e kontrollit të sëmundjeve prej afërsisht 20% duhet të jetë një paralajmërim se ne do të luftojmë sëmundjet kardiovaskulare për shumë vite në të ardhmen, veçanërisht nëse vazhdojmë kështu”, tha Clara Chao nga Universiteti i Sidneit.

Ajo shtoi se nevojiten urgjentisht transformime dhe qasje novatore për zvogëlimin e pasojave të hipertensionit dhe strategji më të mira për të rritur diagnozat.

Chao theksoi rëndësinë e përdorimit të përfitimeve të transformimit digjital, të tilla si monitorimi i pacientit në distancë, monitorimi i presionit të gjakut në shtëpi, kujtimet e mesazheve me tekst dhe ndërhyrje të tjera digjitale të shëndetit për të inkurajuar sjelljen e shëndetshme dhe kontrollin e presionit të gjakut.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara