Kulturë

​Disa këshilla se çfarë duhet të shkruani në “subject” të emailit

Published

on

Pjesa “subject” në email mund të duket si më pak e rëndësishmja gjatë komunikimit, por nuk është kështu. Si për bizneset, si gjatë procesit të punëkërkimit kujdesi ndaj “linjës së temës” është mënyra më e mirë për ta bërë atë email të dukshëm te marrësi.

Kjo është pjesa më e parë që njerëzit do ta shohin gjersa e kontrollojnë inbox-in. Duke qenë se disa emaile mund të përmbajnë po aq viruse sa edhe informacione jo relevante, njerëzit të cilët janë të zënë rrallë i hapin të gjitha. Kështu që vendimi për ta lexuar një email varet se çfarë “emri” i kemi vënë.

Kujdes: Nëse nuk shënoni asgjë në “subject”, emaili juaj mund të përfundojë në “spam” ose “deleted”!

Gjersa marrësit nuk do të jenë të njohur me emrin tuaj, “linja e temës” është një mundësi për ta prezantuar veten. Ky është një hap i fuqishëm për përshtypjen e parë, sidomos për ata të cilët aplikojnë për punë.

Këshilla për përzgjedhjen e shënimeve të duhura për email

Të jetë profesionale: Kjo këshillë vlen si për “subject” ashtu edhe për email adresën. Ajo nuk duhet të përfshijë fjalë apo fraza informale si “Hey/hej” “Çkemi” etj. Përdorni gjuhë të kujdesshme dhe profesionale! Gjithashtu të jeni të siguroheni që ta keni një email adresë profesionale, kjo vlen sidomos për ata të cilën aplikojnë për punë. Një email adresë pa emër as mbiemër, mund ta bëjë punëdhënësin të dyshojë sesa serioz do të jeni gjatë kryerjes së detyrave.

Shënoni arsyen e emailit: Duhet të siguroheni që “linja e temës” tuaj tregon aq interes sa të lexohet nga marrësi. Përdorni fjalë kyçe duke u bazuar në qëllimin e dërgesës së emailit! Në rastet kur shkruani emaile për rrjetëzim, përdorni këtë pjesë të emailt për të treguar përse po kontaktoni me atë person! Mund të kërkoni informacione, të kërkoni takim, këshilla, apo kërkesa të tilla.

Nëse po aplikoni për punë dhe dikush ju ka rekomanduar, gjithmonë përfshini emrin e tij/saj!

Përfshini titullin e punës: Nëse po aplikoni për punë, përdorni titullin e punës në “subject”, kështu që punëdhënësi do ta dijë se për cilën pozitë jeni të interesuar. Kjo i ndihmon rekruterët të cilët kanë shumë punë, e që po rekrutojnë për pozita të ndryshme, të shohin që në fillim se për cilën pozitë po aplikoni. Kjo bëhet edhe më praktike nëse rekruterët kanë ndonjë filter automatik që i filtron emailat. Me “linjën e temës” të shkruar në mënyrë të duhur do të siguroheni që aplikacioni juaj ka shkuar në vendin e duhur.

Ndiqni udhëzimet: Ndonjëherë kompanitë e përcaktojnë në shpallje të punës, se çfarë të përfshihet në “subject”. Nëse ajo e bën, sigurohuni që t’i ndiqni udhëzimet dhe mos e konsideroni se diçka pa rëndësi!

Të jetë e shkurtër dhe specifike: Sa më specifik ta bëni shënimin për “subject” aq më e lehtë do të jetë për marrësin që ta kategorizojë emailin tuaj dhe të përgjigjet në mënyrën e duhur. Jini sa më të shkurtër dhe të përmbledhur të jetë e mundur, sepse shkrimet e gjata mund të shkurtohen dhe të humbasë informacioni më i rëndësishëm!

Vërejtje: Shumica e përdoruesve sot e kontrollojnë emailin në telefon, i cili ua lejon 25 deri në 30 karaktere në “subject”.

Kontrolloni dhe redaktoni mesazhin: Shumica e dërguesve, përpara se ta dërgojnë një email i japin rëndësi vetëm trupit të emailit, ndërsa nuk i kushtojnë aq shumë rëndësi për “subject”. Tash e tutje, duke e ditur që kjo pjesë e emailit është përshtypja e parë, duhet të siguroheni që e keni shënuar pastër dhe pa gabime!/Akademi pune

Lajmet

Përvjetori i lindjes së Ali Podrimjes, një prej zërave më të fuqishëm të poezisë shqiptare

Published

on

Sot shënohet përvjetori i lindjes së poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë dhe gjatë karrierës së tij letrare ndërtoi një prej opuseve më të rëndësishme të poezisë shqiptare.

Ndër veprat më të njohura të tij është “Lum Lumi”, një vepër e fuqishme dhe e ndjeshme që është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së letërsisë shqipe.

Poezia e Podrimjes u dallua për gjuhën e veçantë, figuracionin e pasur dhe temat që lidhen me jetën, humbjen, dashurinë, atdheun dhe identitetin.

Ai u nda nga jeta më 21 korrik 2012, por vargjet dhe krijimtaria e tij vazhdojnë të lexohen dhe të vlerësohen nga breza të ndryshëm.

Emri i Ali Podrimjes mbetet i lidhur ngushtë me poezinë moderne shqiptare dhe me një trashëgimi letrare që vazhdon të ketë ndikim edhe sot./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Deltar” me regji të Ibër Dearit

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Deltar”, me regji të Ibër Dearit, ndërsa producent dhe skenarist është Afrim Muçaj. Filmi është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Deltar” sjell historinë e një djaloshi i cili detyrohet të largohet nga shtëpia së bashku me familjen, ndërsa qeni i tij mbetet pas, i lidhur në zinxhir.

Filmi trajton tema si lufta, braktisja, humbja, ikja dhe ndarja nga gjithçka që një fëmijë njeh dhe do, duke e sjellë luftën dhe pasojat e saj përmes përjetimit të një fëmije.

Në kastin e filmit janë Ledion Mulaki, Afrim Muçaj, Gentrit Shala, Mia Muçaj dhe Valon Nuhiu, së bashku me aktorë të tjerë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa zbulon librin e saj të zgjedhur për shtatorin: “Martyr!” nga Kaveh Akbar

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zbuluar librin e radhës në rubrikën e saj mujore “Dua’s Monthly Read” për muajin shtator 2026.

Zgjedhja e saj është romani “Martyr!” i shkrimtarit iraniano-amerikan Kaveh Akbar, një vepër që trajton tema si identiteti, humbja, varësia, arti dhe kërkimi i kuptimit të jetës.

Romani ndjek Cyrus Shams, një të ri iraniano-amerikan që përballet me humbjen e nënës së tij dhe me të kaluarën e varësisë. Nëna e tij humbi jetën në vitin 1988, kur avioni Iran Air Flight 655 u rrëzua pasi u godit nga një kryqëzor amerikan mbi Gjirin Persik.

Ndërsa përpiqet të jetojë në abstinencë dhe të gjejë një kuptim për jetën, Cyrus zhvillon një obsesion me konceptin e martirizimit. Për Duan, pikërisht kjo është një nga idetë që e bën romanin kaq të veçantë.

“Martyr! më bëri të mendoj për martirizimin në mënyra që nuk i kisha konsideruar kurrë më parë”, ka shkruar ajo.

Dua ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si romani e trajton këtë temë përtej konceptit tradicional të sakrificës për një kauzë apo vend. Një pikë kyçe e historisë është takimi i Cyrusit me Orkideh, një artiste e sëmurë përfundimisht, e cila po i kalon ditët e fundit të jetës së saj e ekspozuar në Muzeun e Bruklinit.

“Martyr! vlon nga një energji kaotike dhe një etje për jetën që bie ndesh me obsesionin e Cyrusit për vdekjen”, ka shkruar Dua.

Ajo ka veçuar edhe humorin e pazakontë të romanit, mënyrën se si protagonisti përpiqet të luajë rolin e “njeriut të mirë”, ndërsa punon si aktor mjekësor që simulon dhimbjen për para, si dhe një sekuencë ëndrre ku shfaqet edhe Lisa Simpson.

Për Duan, romani bashkon temat e rënda me humorin dhe një energji të veçantë.

“Ky roman është i thellë, i sinqertë, rregullisht komik dhe krejt ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë”, është shprehur ajo.

Me “Martyr!”, Dua Lipa vazhdon traditën e rubrikës së saj mujore të leximit, përmes së cilës ndan me ndjekësit libra që i kanë lënë mbresë dhe nxit interesin për letërsinë te një audiencë e gjerë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot, në ditën e lindjes së Nënë Terezës, kujtohet rrugëtimi i Gonxhe Bojaxhiut

Published

on

Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza e Kalkutës, një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.

E lindur në një familje shqiptare, Gonxhja ishte vajza e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. Babai i saj kishte origjinë nga Prizreni dhe prejardhje familjare nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna nga rrethina e Gjakovës.

Në moshën 18-vjeçare, Gonxhja u largua nga Shkupi dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Një vit më vonë udhëtoi drejt Indisë, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.

Fillimisht punoi si mësuese, por përballja me varfërinë e madhe në Kalkutë e shtyu drejt një misioni të ri. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren, ajo përjetoi atë që e përshkroi si një “thirrje brenda thirrjes”, duke vendosur t’ua kushtonte jetën njerëzve më të varfër.

Në vitin 1948 nisi veprimtarinë e saj në lagjet e varfra të Kalkutës, ndërsa më 7 tetor 1950 mori lejen e Vatikanit për themelimin e Misionarëve të Bamirësisë.

Ajo krijoi qendra për të sëmurët, jetimët, njerëzit pa strehë dhe ata në ditët e fundit të jetës. Veprimtaria e saj më pas u shtri në shumë vende të botës.

Për kontributin humanitar, Nënë Tereza mori çmime të shumta, ndërsa kulmi i vlerësimeve ishte Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979.

Përkatësia e saj shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit. Ajo është cituar të ketë thënë: “Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës.”

Në vitin 1991, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Në Prishtinë, emrin e saj e mban Katedralja Katolike Shën Tereza.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shën Terezë të Kalkutës.

Pavarësisht admirimit global, figura e saj është shoqëruar edhe me debate dhe kritika lidhur me kushtet në disa prej institucioneve të Misionarëve të Bamirësisë, menaxhimin e donacioneve dhe qëndrimet e saj për disa çështje shoqërore.

Megjithatë, ndikimi i saj në humanizëm dhe bamirësi mbetet i madh. Nga Gonxhe Bojaxhiu e lindur në Shkup te Shën Tereza e Kalkutës, rrugëtimi i saj u shndërrua në një prej historive më të njohura të shekullit XX./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara