Aktualitet

​Disa ditë pa energji elektrike në lagjen e Muhaxherëve, telashe të mëdha banorëve dhe bizneseve

Krahas bizneseve ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike shprehën edhe banorët e lagjes së Muhaxherëve.

Published

on

Tash e disa ditë banorët e lagjes së Muhaxherëve në Prishtinë po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike. Reduktimet janë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, gjë që po u shkakton telashe të gjithë banorëve por edhe bizneseve që veprojnë në këtë zonë të Prishtinës.

Në rrugët e kësaj lagje dëgjohet gjithandej zhurma e gjeneratorëve që janë ndezur si pasojë e mungesë së energjisë elektrike. E qytetarët as që janë njoftuar për këto ndërprerje të energjisë elektrike.

Veli Kajtazi nga shtypshkronja “Lena Grafik”, thotë se tash e disa ditë nuk po arrin të punojnë fare në mungesë të energjisë elektrike.

Ai thotë se nuk është i informuar për këto reduktime.

Ne punojmë me teknologjinë më të re e cila thjesht pa energjinë elektrike nuk funksionon, por edhe rrjeti i internetit nuk funksionon pa energjinë elektrike ka këto 3-4 ditët e fundit që kemi mbetur thuajse pa punuar asgjë në pritje për të rregulluar, a është prishje apo është çështje e ndonjë punë nëpër rrugë por ne nuk jemi të informuar, ndoshta ata nëpër web faqet e tyre kanë treguar se cilat kategori apo rrugë nuk do të kenë, por ne nuk jemi të informuar”, u shpreh ai.

Mungesa e energjisë elektrike po i shkakton telashe për të ofruar shërbime edhe pronarit të lokalit “Feta Cake”, Rinor Konxheli.

Ai thotë se këto reduktime po e dëmtojnë mirëqenien e tyre.

Telashe po kemi boll kur po vjen puna po na ndalin 12 orë gati çdo ditë, javën e kaluar të hënën kemi pas 12 orë nuk kemi pas rrymë, të premten 12 orë nuk kemi pas rrymë, edhe po ndalen në kohën e pauzës deri në 18:00 pasdite, jemi njoftuar për një ditë për ditët tjera jo, as për sot nuk jemi njoftuar”, u shpreh Konxheli.

Krahas bizneseve ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike shprehën edhe banorët e lagjes së Muhaxherëve.

Bahrije Tushi thotë se për shkak të energjisë elektrike i janë dëmtuar të gjitha ushqimet që i ka pas në frigorifer.

Dje kemi pas tërë ditën prej 10 deri në 18:00 në mbrëmje….normal që na shkakton (telashe) të gjithë frizat e gjërat çka kemi nevojë“, theksoi Tushi.

E reduktimet energjetike e kanë nervozuar edhe Atdhe Gecin.

Kam ardhur te shtypshkronja ‘Grafik’ mirëpo, mungon rryma edhe librat janë ndërprerë pres botimin e libri ditët e ardhshme”, u shpreh ai.

Lidhur me këto shqetësime nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), thonë se ndërprerja e energjisë elektrike në këtë pjesë të kryeqytetit ka qenë e planifikuar.

Margarita Rashiti nga zyra për informim në KEDS, shprehet se në këtë pjesë janë duke i zëvendësuar pajisjet e vjetra me ato të reja me qëllim të furnizimit më stabil të energjisë elektrike.

Ndërprerja e energjisë është e planifikuar për shkak të investimeve që jemi duke i bërë në këtë pjesë. Aty jemi duke i zëvendësuar pajisjet e vjetra me ato të reja, për shkak të shndërrimit të linjave nga 10kV në 20 kV. Për punime të tilla nevojitet shkyçje e planifikuar, pasi që pajisjet nuk mund të ndërrohen pa u shkyçur tensioni! Ky është projekt tejet i rëndësishëm për furnizim stabil të energjisë elektrike”, u shpreh ajo.

Vendi

Profesorët e UBT-së botojnë studimin mjekësor në revistën prestigjoze ndërkombëtare MDPI

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Dr. Lirim Shefki Mustafa dhe Dr. Fitim Bexhet Alidema, kanë publikuar një studim mjekësor në revistën e njohur ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”, që është pjesë e platformës së fuqishme shkencore MDPI.

Ky punim, me titullin “Comparison of Two Triple Therapy Regimens for Helicobacter pylori Eradication in Patients with Dyspepsia: A Retrospective Study from Primary Care”, ka arritur të indeksohet në rrjetet më të rëndësishme të shkencës botërore si Web of Science dhe Scopus, duke u renditur në kategorinë e lartë Q2.

Ky hulumtim i stafit të UBT-së ka një rëndësi të madhe praktike pasi ka marrë në shqyrtim plot 1,800 pacientë të rritur që u trajtuan mes janarit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2026.

Qëllimi ishte të gjendej një zgjidhje më e mirë kundër bakterit të rrezikshëm Helicobacter pylori, i cili shkakton probleme si gastriti apo ulçera, në një kohë kur trajtimet klasike po dështojnë rregullisht për shkak se bakteri është bërë rezistent ndaj antibiotikëve standardë.

Nga krahasimi që u bë, doli se terapia e re e bazuar në levofloxacin funksionon shumë më mirë, duke e zhdukur bakterin në 82.9% të rasteve, përballë trajtimit të vjetër me clarithromycin që pati sukses vetëm në 71.8% të pacientëve.

Përveç se më efektiv, ky kombinim i ri solli edhe më pak efekte anësore për organizmin. Profesorët zbuluan gjithashtu se stili i jetesës ndikon shumë në shërim, pasi duhani, alkooli, obeziteti dhe diabeti e bëjnë bakterin më të fortë dhe rrisin shanset që trajtimi të dështojë.

Ky botim, i dalë zyrtarisht sot më 13 korrik 2026, tregon edhe një herë nivelin e lartë të kërkimit shkencor në UBT dhe u vjen në ndihmë direkt mjekëve për të dhënë receta më të sakta e pa i keqpërdorur antibiotikët.

Continue Reading

Vendi

KFOR-i me stërvitje speciale pranë Bondsteel-it për menaxhimin e rasteve urgjente

Published

on

By

Ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje të specializuar për reagim ndaj rrëzimit të aviacionit pranë Kampit Bondsteel.

Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e koordinimit mjekësor shumëkombësh dhe rritjen e kapaciteteve për reagim të shpejtë në zonat operative.

Stërvitja bëri bashkë ekuazhet ajrore dhe mjekët fluturues për të ushtruar triazhin e të lënduarve, trajtimin mjekësor dhe procedurat e evakuimit urgjent.

Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-i mban gatishmërinë operacionale dhe aftësitë e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Burim Berisha sjell “RESIDUE”, një reflektim artistik mbi kujtesën dhe transformimin

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Burim Berisha, do të prezantojë ekspozitën e tij personale “RESIDUE”, e cila do të hapet më 18 korrik në Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë.

Ekspozita është pjesë e programit kuratorial të institucionit dhe paraqet një përmbledhje të praktikës artistike të Berishës, të zhvilluar përgjatë më shumë se 25 vjetësh krijimtari në fushën e artit bashkëkohor.

Përmes skulpturës dhe instalacioneve që ndërthurin elemente si tingulli, tymi, dheu dhe materiale të ndryshme, “RESIDUE” eksploron marrëdhënien ndërmjet kujtesës, transformimit dhe gjurmëve që mbeten pas një ngjarjeje, personi apo objekti. Veprat ftojnë publikun në një reflektim mbi praninë dhe mungesën, duke e trajtuar artin si një proces që ruan dhe rikrijon kujtesën përtej momentit të krijimit.

Në këtë ekspozitë, figura nuk paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtohet përmes materialit, shenjave të pranisë dhe hapësirës, duke krijuar një dialog mes asaj që është e dukshme dhe asaj që mbetet e nënkuptuar.

Ekspozita “RESIDUE” dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm artistik të Prof. Burim Berishës dhe kontributin e tij në zhvillimin e artit bashkëkohor, si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë ligjëron në UBT për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore 2026, në kuadër të Global UBT Fest 2026, me një ligjëratë të veçantë nga Ambasadori i Hungarisë në Republikën e Kosovës, László Dux, i cili zhvilloi një dialog me studentët dhe stafin akademik mbi temën “EU Enlargement Policy”.

Aktiviteti inaugurues mblodhi studentë të Shkencave Politike, Studimeve të Sigurisë, Politikave Publike dhe Menaxhimit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë mbi një nga temat më aktuale të agjendës evropiane – politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e saj për vendet aspirante.

Gjatë ligjëratës, Ambasadori Dux trajtoi zhvillimet më të fundit në procesin e zgjerimit të BE-së, sfidat dhe mundësitë që e shoqërojnë këtë proces, si dhe perspektivën e Hungarisë lidhur me të ardhmen evropiane të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, duke nënvizuar se zgjerimi mbetet një element kyç për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në Evropë.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë interaktive, ku studentët adresuan pyetje mbi procesin e integrimit evropian, politikat e zgjerimit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat gjeopolitike që ndikojnë në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rajonit.

Përmes organizimit të këtij aktiviteti, UBT vazhdon të sjellë pranë studentëve diplomatë, vendimmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për debat akademik dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave mbi çështjet më të rëndësishme të politikës globale.

Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, panele diskutimi dhe aktivitete akademike të fokusuara në diplomaci, siguri, qeverisje dhe politika publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Të kërkuara