Lajmet

​Çfarë shkakton mungesa e vitaminës D?

Si mund ta kuptojmë nëse vuajmë nga mungesa e vitaminës D?

Published

on

Më poshtë keni tetë shenja që mund të tregojnë se është mirë të kontrolloheni, shkruan macrolibrarsi.it.

1. Shpesh sëmureni ose vuani nga infeksione të shpeshta

Një nga rolet kryesore të vitaminës D është të ndihmojë sistemin imunitar të qëndrojë i fortë dhe i përgjegjshëm, në mënyrë që të kryejë rolin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të na ndihmojë të qëndrojmë të shëndetshëm për një afat të gjatë.

2. Jeni shpesh të lodhur

Një nga shkaqet e lodhjes mund të jetë niveli shumë i ulët i vitaminës D. Sipas disa hulumtimeve, kjo gjendje përveç lodhjes shkakton edhe përkeqësim të cilësisë së jetës, sepse kontribuon në rritjen e lodhjes kronike dhe favorizimin e shfaqjes së dhimbje koke.

3. Vuani nga dhimbjet e kockave dhe osteoporoza

Në një studim me 150 njerëz që vuanin nga dhimbje kockash, u zbulua se mbi 90% e tyre kishin nivele të ulëta ose të mangëta të vitaminës D.

4. Vuani nga gjendjet depresive

Depresioni ka aq shumë shkaktarë, saqë është e vështirë të identifikosh një shkak. Megjithatë, nuk ka dyshim se mungesa e ekspozimit ndaj diellit dhe rrjedhimisht asimilimi i vitaminës D nuk kontribuojnë në disponimin tonë.

5. Jeni në rrezik të sëmundjeve kardiovaskulare

Sëmundjet kardiovaskulare janë në rritje, falë jetës së parregullt që ne priremi të bëjmë në ditët e sotme. Sipas disa studimeve, mungesa e vitaminës D gjithashtu kontribuon në rritjen e problemeve që mund të prekin zemrën.

6. Ju vuani nga psoriasis

Psoriaza nuk shkaktohet drejtpërdrejt nga mungesa e vitaminës D, por sipas studimeve të kryera në klinikën Mayo, ata me mungesë e kanë më të vështirë të lehtësojnë këtë skuqje me luspa që shfaqet në lëkurën e kokës dhe në pjesë të tjera të trupit.

7. Keni dobësi të muskujve

Sipas një studimi, jo vetëm që mungesa e vitaminës D shkakton dobësi të muskujve, por është edhe baza e dhimbjeve kronike.

8. Ju vuani nga hipertensioni

Çfarë lidhje ka tensioni i lartë i gjakut me mungesën e vitaminës D? Sipas një studimi të Universitetit të Harvardit, njerëzit që vuajnë prej tij janë më të prirur për të zhvilluar lloje të ndryshme të çrregullimeve shëndetësore, duke përfshirë hipertensionin./ atsh

Lajmet

PDK-ja dhe AAK-ja mblidhen në Kuvend, akuzojnë pushtetin për mospërgjegjësi

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur sërish sot në Kuvendin e Kosovës, ku kanë drejtuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për uzurpim të institucioneve dhe prirje për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.

Gjatë këtij takimi, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, deklaroi se karriget e zbrazëta në sallën e Kuvendit pasqyrojnë ikjen e pushtetit nga përgjegjësitë që i takojnë. Ajo theksoi se kërkesa e tyre e vazhdueshme ka qenë që shteti të punojë në shërbim të qytetarëve dhe jo për interesa partiake.

“Demokracia nuk matet vetëm në ditën kur numërohen votat, por çdo ditë pas zgjedhjeve. Për gati 2 vjet Kosova ka pritur që përgjegjësitë të merren, dhe pas 6 vjet qeverisjeje, çfarë kanë bërë të tjerët nuk mund të jetë përgjigje, sepse përgjegjësia ju takon juve. Jemi vetëm pak ditë larg shtatorit dhe prindërit ende përballen me pasiguri për librat e fëmijëve të tyre”, deklaroi Jashari. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

14 armë të sekuestruara dhe 4,855 gjoba në Rajonin e Prishtinës gjatë një jave

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë realizuar gjatë javës së kaluar 65 urdhëresa të gjykatës, në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara.

Prej tyre, 47 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime dhe raste të tjera.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresat gjyqësore.

Gjatë së njëjtës periudhë, në Rajonin e Prishtinës janë sekuestruar 14 armë zjarri.

Policia ka shqiptuar gjithashtu 4,855 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 466 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Natyra pa njeri” e Violeta Xhaferit ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës po prezanton pikturën “Natyra pa njeri” (2021) të artistes Violeta Xhaferi, në kuadër të ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, kuruar nga Hana Halilaj.

Praktika artistike e Xhaferit ndërthur pikturën me proceset tekstile, skenografinë dhe dizajnin e kostumeve, duke eksploruar natyrën, atmosferën dhe transformimin.

Instalacioni, i komisionuar për ekspozitën retrospektive të artistes në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2023, përbëhet nga kanavaca të mëdha që krijojnë një peizazh të gjerë të imagjinuar.

Në pikturë shfaqen elemente të tilla si pyjet, zogjtë, drita në ndryshim dhe horizontet e thella, të cilat krijojnë një kalim të vazhdueshëm mes muzgut dhe agimit.

Artistja përdor ngjyrën tekstile drejtpërdrejt mbi sipërfaqen e kanavacës, duke zbardhur pjesë të caktuara dhe duke ndërhyrë me bojë tekstili për të ndërtuar kompozimin dhe atmosferën e veprës.

Kjo qasje lidhet edhe me përvojën e Xhaferit si dizajnere kostumesh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke ndërthurur përvojën e saj në skenografi dhe kostumografi me praktikën e saj në pikturë.

Drita është një element thelbësor i instalacionit, duke ndikuar drejtpërdrejt në atmosferën dhe përjetimin e hapësirës së krijuar nga artistja.

Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 26 gusht 2026.

Orari i vizitës:

E martë–e premte: 10:00–18:00
E shtunë–e diel: 10:00–17:00 /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdes një 49-vjeçar pasi ra nga lartësia gjatë punës në Veternik

Published

on

By

Një 49-vjeçar ka humbur jetën të hënën në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi ka rënë nga lartësia gjatë kohës sa po punonte.

Rasti është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 10:00, raporton Ekonomia Online.

Sipas policisë, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje, ku vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.  /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara