Kombëtarja e Kosovës luan sonte nga ora 20:45 në Dublin ndeshjen vendimtare të xhiros së fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve përballë Irlandës, sfidë kjo që përcakton vendin e dytë në grup dhe përfaqësuesen e fundit që do të zërë vend në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian “Euro 2028”, i cili tërhiqet në muajin dhjetor.
Për “Dardanët”, të cilët e fituan duelin e parë në Prishtinë me rezultat 1-0 më 24 shtator, mjafton edhe një barazim për të siguruar vendin e dytë në grup, çka u garanton automatikisht pjesëmarrjen në plejofin për inkuadrim në Ligën A të Ligës së Kombeve, si dhe pozicionimin në vazon e dytë të shortit evropian. Nga ana tjetër, Irlandës i duhet patjetër fitorja për të shmangur rënien në vazon e tretë. Vlen të ceket se në këtë fazë të plejofit do të paraqitet edhe Serbia, por përballjet mes saj dhe Kosovës nuk lejohen nga UEFA.
Pavarësisht se barazimi i kryen punë Kosovës, përzgjedhësi Franco Foda ka bërë të qartë në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën se skuadra e tij nuk do të futet në fushë me llogari, por për të kërkuar fitoren.
“Presim të jetë ndeshje ndryshe nga ajo që ishte në Prishtinë. Jemi të vetëdijshëm që Irlanda është kombëtare shumë e fortë dhe këtë e ka treguar në ndeshjet e kaluara, sidomos kundër Austrisë në shtëpi ku morën avantazhin prej 2-0. Megjithatë, ne jemi këtu për të marrë rezultat pozitiv dhe do të tentojmë të marrim fitore”, deklaroi Foda.
Tekniku gjerman e refuzoi idenë se ndeshja do të jetë e lehtë, duke shtuar se qasja ofensive që pritet nga irlandezët mund t’i krijojë hapësira Kosovës. “Nuk mund të futesh në ndeshje për të kërkuar barazimin, në fushë duhet të futesh për të fituar. Presim që Irlanda të luajë lojë më ofensive dhe kjo do të nënkuptonte që ne do të kemi më shumë hapësira, të cilat shpresoj t’i shfrytëzojmë nëpërmjet kundërsulmeve”, përfundoi Foda. /E.A/