Lajmet

​Brahim Mehmetaj dëshmitari i parë i mbrojtjes së Mustafës

Brahim Mehmetaj është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e Brahim Mehmetaj, i cili është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafa.

Mehmetaj ka treguar se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që prej themelimit të saj dhe ka bërë të ditur se gjatë luftës ishte pjesë e gueriles BIA në të cilën ka shërbyer si zëvendëskomandant.

Para trupit gjykues, Mehmetaj fillimisht ka treguar se bë fund të viteve ’88 i është bashkuar organizimit ilegal Lëvizja Për Republikën e Kosovës, pas ndarjes së të cilës ka thënë se është bërë pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

“LDK-së i jam bashkuar që në themelim, në vitin 1989-90. Pothuajse në të gjitha strukturat e funksionimit të LDK-së, kam qenë kryetar i degës së rinisë së LDK-së për Prishtinë, pastaj anëtar kryesie në nivele të degës e kështu me radhë, deri të anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”, ka thënë ai.

Pas kësaj ai ka treguar për rolin e tij në njësinë BIA.

“Guerila BIA zyrtarisht është formuar më 20 maj 1998 ndërsa funksionimin dhe punën e kemi bërë që nga dalja e Salih Mustafës, komandantit Calit nga burgu, diku nëse nuk gaboj gusht ose aty diku, kur është liruar nga burgu e kam takuar dhe menjëherë jemi marrë vesh të fillojmë me bë organizimin e strukturave për UÇK, njësiteve të UÇK-së. Qëllimi i gueriles BIA ose qëllimi i ushtarëve të UÇK-së ka qenë liria, lufta e armikut, lufta ndaj armikut me qëllim arritjen e lirisë, çlirimin e vendit, ky ka qenë qëllimi kryesor”, ka thënë dëshmitari i mbrojtjes.

Ai ka theksuar se BIA nuk ka pasur përgjegjësi territoriale për të kontrolluar ndonjë zonë të caktuar por sipas tij kanë vepruar në qytetin e Prishtinës dhe në pjesët rurale përreth.

Ai ka shtuar se në raste nevoje BIA ka dhënë kontributin e saj edhe në Obiliq dhe Fushë Kosovë.

“Të gjithë aktivitetin e kemi bërë në shtëpitë tona, për shembull një prej vendqëndrimit ku kemi qenë është shtëpia ime, ka qenë edhe shtëpia e Calit dhe disa njerëzve të tjerë të besueshëm, aty jemi takuar, aty kemi biseduar, varësisht prej punëve që i kemi pasur, por kryesisht i kemi përdorur shtëpitë tona në fillim të organizmit. Pastaj kemi përdorur edhe shtëpi të tjera, vendqëndrime që ne i kemi vlerësuar që kanë qenë pak më të sigurta me qëndru në to, shtëpi të njerëzve me të cilët jemi dakorduar me ta, i kemi marrë në shfrytëzim dhe i kemi përdorur”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për shfrytëzimin e shtëpive, përveç për zhvillimin e takimeve dhe strehimin e pjesëtarëve të BIA-s.

“Kam pasur rol që nga themelimi, që nga marrëveshja me Calin, kam qenë zëvendëskomandant i Calit apo ndihmës i tij, deri në një periudhë të caktuar kur e kam ndërruar detyrën. Në emërimin zyrtar të BIA-s, që ka ndodhur më 20 maj 1998 është formuar shtabi i gueriles BIA, brenda të cilit kanë u themeluan katër sektorë për funksionim brena BIA-s. Ata sektorë ishin sektori i shëndetësisë, sektori i logjistikës, sektori i informacionit dhe sektori për moral e politikë. Realisht misioni i BIA-s përmbyllej me këta sektorë që i thash, pastaj përveç lufta që ishte ndaj armikut si qëllim kryesor i joni”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qendrat shëndetësore i kanë krijuar për të trajtuar të plagosurit apo t’u dhënë shërbime popullit meqë forcat serbe i pengonin shqiptarët që të marrin trajtime mjekësore.

Mehmetaj shtoi se qendrat shëndetësore kanë qenë në kuadër të BIA-s dhe kanë funksionuar deri më 24 mars të vitit 1999. Ndërsa si përgjegjëse për shëndetësi, ai ka thënë se ka qenë Flora Brovina, e cila ka pasur staf shëndetësor.

Tutje Mehmetaj ka thënë se nuk ka pasur stërvitje ushtarake të realizuara nga BIA.

Ai ka thënë se ata kanë qenë pjesërisht të armatosur, varësisht nga nevojat dhe lokacionet ku kanë qëndruar.

“Organizimi i BIA-s por edhe gjithë organizimi i UÇK-së e ka pasur një emër, ushtarë lirie, të gjithë kanë qenë ushtar, disa për shkak të specifikave kanë pasur armë, disa nuk kanë pasur armë, por te gjithë kanë qenë ushtar lirie të angazhuar për çlirimin e vendit nga një okupator shumë i keq. Organizimi i UÇK-së i cili quhej BIA ka qenë organizim i UÇK-së i përbërë në këtë natyrë, në këtë formë që po them unë”, ka shtuar Mehmetaj.

Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë se kur kanë filluar bombardimet më 24 mars 1999 ai ka qenë në Prishtinë.

“Kur kanë filluar bombardimet më 24 mars kam qenë në Prishtinë, në lagjen time, realisht ka qenë emocion i përzier sepse qytetarët e kanë përjetuar shumë mirë fillimin e bombardimeve por njëkohësisht ka mbretëruar frikë e madhe se çfarë do të ndodhë. Në këtë kohë më kujtohet mirë në Prishtinë me disa anëtar të njësitit që kemi pasur aty afër jemi kujdes që me i qëndru pranë popullatës në rast se fillon ndonjë masakër ose dhunë, që ka qenë e mundshme me ndodhë prej serbëve atëherë, ne me i dalë ballë asaj pune dhe kemi qëndruar në lagje diku deri më datën me sa më kujtohet besoj deri më 31 mars kur ka filluar me hyrë forcat serbe, por jo me bë ndonjë masakër, por kanë filluar vetëm me i largu njerëzit prej shtëpive, me i zhvendos. Ne atëherë kemi ecur në drejtim me popullatën në drejtim të fshatit Matiqan dhe kemi vazhduar e kemi çuar popullatën në Butovc, disa kanë shkuar edhe në një fshat tjetër aty, Mramor”, ka thënë ai.

Pasi kanë shkuar në Butovc, Mehmetaj ka thënë se ai është kthyer në shtëpinë e tij në Prishtinë për të marrë një ‘hard disc’ të cilin ka thënë se e kishte lënë në kompjuterin e tij ku sipas tij punonin me pjesëtarë të tjerë të BIA-s.

Pas kësaj, Mehmetaj ka thënë se është kthyer në Butovc ku ka thënë se ka qëndruar deri në përfundim të luftës, por ka shtuar që ka lëvizur herë pas here.

“Në Butovc kam qëndruar deri në përfundimin e luftës, ose kur kanë hyrë trupat e NATO-s në Kosovë që është më 12 qershor 1999, por jo qëndrim të përhershëm, kam lëvizur kohë pas kohe, por në Butovc ka qenë vendqëndrimi im kryesor. Në momentin kur jam kthyer në Butovc prej Prishtinës besoj që ka qenë fillimi ose dy tre ditë e para të muajit prill dhe kam shkuar të vendi ku e kemi pasur ne të organizuar qëndrimin tonë me ushtarët të BIA-s, aty kam takuar ushtarë e njerëz që kanë qenë aty prezent, kam biseduar për idenë e tërheqjes së materialit nga Prishtina por kemi biseduar më gjerë me Calin edhe për punë të tjera që i takojnë asaj kohe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se komandant Cali i ka kërkuar atij që të mbajë moralin të ushtarët në atë periudhë që sipas tij ka qenë e rëndë për shkak se shumë qytetarë ishin deportuar nga shtëpitë e tyre dhe ushtarët nuk dinin vendndodhjen e familjarëve të tyre.

“Edhe Cali ka qenë në Butovc, bile e di saktë nja dy netë i kemi bërë bashkë aty. Nuk më kujtohet me numër por e kam parë shpesh gjatë këtyre ditëve. Nuk më kujtohet me numër me thënë kaq herë”, ka thënë Mehmetaj kur është pyetur sa shpesh e ka takuar Salih Mustafën në këtë periudhë.

Brahim Mehmetaj është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Aktualitet

Përfundon Seminari për Trajnerët e Basketbollit

Published

on

Ka përfunduar Seminari për Trajnerët e Basketbollit për grupmosha të reja që filloi ditën e premte dhe vazhdoi gjatë fundjavës është organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës dhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).

Seminari është përkrahur nga Solidariteti Olimpik, fondacioni më i madh në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), për zhvillim të sportit në vende të ndryshme të botës e po ashtu edhe nga FIBA, shtëpia e basketbollit botëror.

Në ditën e parë ka ligjëruar eksperti i njohur i basketbollit ndërkombëtar, Arik Shivek.

Ai ka treguar për përvojën e madhe në basketbollin evropian dhe këtë përvojë ta bart te trajnerët e Kosovës, për ta zbatuar në basketbollin e Kosovës.

Vlora Braha, SPOC Person për Integritet në FBK dhe nga Safeguardin dhe Future ka folur rastet që mund t’i paraqesin trajnerët për abuzime dhe ngacmime në basketboll dhe si mund të drejtohen për këto raste në FBK. Ndërkohë, psikologia Vjollca Zymberi Devaja ka ligjëruar me temën Përgatitja Mendore për Fëmijët.

Në ditën e dytë dhe të tretë, kanë ligjëruar eksperti i njohur ndërkombëtar i basketbollit, Arik Shivek, si dhe trajneri kondicional Agron Haliti.

Të dy kanë ligjëruar për tema të rëndësishme për trajnerët që punojnë me grupmosha të reja, veçanërisht për U14 e më të rinj.

Në fund, Diellza Kelmendi, Koordinatore e Vlerave Olimpike në Akademinë Olimpike në Komitetin Olimpik të Kosovës së bashku me Granit Rugovën, Drejtor i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë nderuar me mirënjohje Arik Shivek dhe Agron Haliti, ndërsa trajnerët pjesëmarrës janë pajisur me certifikatën e pjesëmarrjes./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

Tifozët letonezë fishkëllejnë kundër serbëve pas thirrjeve “Kosova është Serbi”

Published

on

Edhe në arenat sportive, Serbia vazhdon të përdorë çdo formë për të sulmuar dhe provokuar Kosovën. Kjo u dëshmua sërish të shtunën, në orën 15:00, gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës mes Letonisë dhe Serbisë, e zhvilluar në stadiumin e Rigës.

Autoritetet letone nuk toleruan sjelljet provokuese të tifozëve serbë, dhe organizatorët e ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës midis Letonisë dhe Serbisë, nuk lejuan që tifozët mysafirë të sillnin në stadium asnjë simbol serb.

Policia ndaloi ekspozimin e flamujve serbë, simboleve nacionaliste dhe sloganeve anti-Kosovë.

Tifozët serbë u detyruan të heqin rrobat që mbanin mesazhe kundër Kosovës, ndërsa sendet e ndaluara iu konfiskuan në hyrje të stadiumit.

Përpjekjet e tyre për të kënduar korin famëkeq “Kosova është Serbi” u pritën me fishkëllima nga tifozët letonë, duke treguar se publiku evropian nuk e mbështet më propagandën e vjetër serbe.

Pas golit të Dušan Vlahović në minutën e 12-të të ndeshjes, tifozët serbë shpërthyen në brohoritje dhe brohoritën: “Kosova është Serbi”.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia përdor ngjarjet sportive për të çuar përpara mesazhe nacionaliste dhe provokuese ndaj Kosovës. Në shumë ndeshje të mëparshme, Serbia ka shfrytëzuar minutazhin sportiv për të bërë thirrje politike, për të afishuar parulla ofenduese dhe për të provokuar me flamuj apo simbole që nxisin urrejtje./S.K/EO/Pamfleti/

Continue Reading

Aktualitet

Kosova mësoi rivalët e parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029

Published

on

Për FIBA ​​EuroBasket 2029 që mbahet në kryeqytetin letonez, Riga, sot nga ora 10:30 është zhvilluar shorti i Raundit të Parë të Parakualifikimeve. në kryeqytetin letonez, Riga.

Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FIBA-s në YouTube.

10 kombëtare janë të ndara në katër vazo nga FIBA sipas renditjes botërore dhe një grup do të përbëhet nga katër shtete dhe dy grupet e tjera do të përbëhen nga tre shtete.

Kosova është në vazon e dytë dhe sot do të mësojë kundërshtarët.

Raundi i Parë i Parakualifikimeve do të luhet në tre dritare: nëntor 2025, shkurt 2026 dhe qershor-korrik 2026.

Katër kombëtare – tre fitueset e grupeve dhe vendi i dytë më i mirë do të kualifikohen në Raundin e Dytë.

Vazo 2: Kosova, Norvegjia, Irlanda./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Punimet ndërtimore për projektin Solar4Kosovo I – Centrali Fotovoltaik, KEK jep sqarime

Published

on

By

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton për procesin e fillimit të punimeve ndërtimore të projektit Solar4Kosovo I – Centrali Fotovoltaik, i cili financohet nga Bashkimi Evropian / Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF), Qeveria Gjermane përmes KfË si institucioni kryesor financiar ndërkombëtar, Banka Evropiane për Investime (BEI) dhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke kontribuar në rritjen e prodhimit nga burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme të energjisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, punimet ndërtimore do të zhvillohen në zonën afër Termocentralit Kosova A, që shtrihet në komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës. Këto punime kryesisht lidhen me banorët e Kryshevcit (Dardhishtë) dhe lagjes Mërlak në fshatin Kryshevc, komuna e Obiliqit.

KEK sqaron se deri më tani nuk ka ndërmarrë masa ndaj përdorimit të paautorizuar të tokës, pasi nuk ka ekzistuar një plan konkret zhvillimor për atë zonë. Për më tepër, në përputhje me përgjegjësitë e saj si kompani publike dhe në kuadër të politikave të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative (CSR), KEK ka treguar mirëkuptim dhe ka toleruar këtë shfrytëzim të përkohshëm nga komuniteti lokal”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, është e rëndësishme të informohen të gjithë përdoruesit e paautorizuar të tokës se: Toka në fjalë është pronë e KEK-ut; KEK është në përgatitje për punimet e ardhshme ndërtimore të projektit solar; Sezoni bujqësor i vitit 2025 (gusht 2025) paraqet sezonin e fundit kur janë zhvilluar aktivitete bujqësore në këto toka; Pas kësaj periudhe, nuk do të lejohet më asnjë përdorim i tokës nga persona të paautorizuar”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se ky njoftim bëhet për të siguruar transparencë dhe informim të drejtë për të gjithë përdoruesit e pa autorizuar të tokës, përveç njoftimeve zyrtare dhe tabelave paralajmëruese që do të vendosen në perimetrin e zonës së projektit, e cila do të jetë e rrethuar me gardh sigurie.

KEK fton të gjithë përdoruesit e tokës dhe personat e prekur nga ky vendim që, për çdo sqarim ose informacion shtesë, të kontaktojnë përfaqësuesit e kësaj kompanie. /D.B/KP

Continue Reading

Të kërkuara