Aktualitet

​Bogujevci takoi nënkryetaren e parë të Asamblesë Kombëtare të Francës

Dy nënkryetaret diskutuan lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë në shumë segmente.

Published

on

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, gjatë qëndrimit në Francë, zhvilloi një takim me nënkryetaren e parë të Asamblesë Kombëtare të Francës, Valerie Rabault, njofton drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, në takimin e sotëm dy nënkryetaret diskutuan lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë në shumë segmente dhe për perspektivën evropiane të saj.

Nënkryetarja Bogujevci falënderoi homologen franceze për mbështetjen që Franca ka dhënë për Kosovën në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke theksuar nevojën e vazhdimit të kësaj mbështetjeje si dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis dy parlamenteve respektive.

Bogujevci dhe Rabault u fokusuan në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, duke trajtuar po ashtu çështje që lidheshin me të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës e tema të tjera me interes të përbashkët.

Bota

Macron: Franca mund ta njohë shtetin e Palestinës “në qershor”

Published

on

By

Franca mund të njohë shtetin e Palestinës “në qershor” gjatë një konference ndërkombëtare të bashkëkryesuar me Arabinë Saudite, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron.

Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm”, tha Macron në një intervistë të transmetuar në “France 5”.

Ai tha se konferenca e planifikuar për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, që pritet të zhvillohet në New York, mund të shënojë një pikë kthese.

Qëllimi ynë është të kryesojmë këtë konferencë (për Palestinën) me Arabinë Saudite diku në qershor, ku mund të finalizojmë këtë lëvizje të njohjes reciproke nga disa palë”, tha ai.

Komentet e tij vijnë mes thirrjeve ndërkombëtare në rritje për një zgjidhje politike të konfliktit në Gaza, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 50.000 njerëz që nga tetori 2023, dhe mosmarrëveshjes më të gjerë izraelito-palestineze.

Në shkurt 2024, Macron tha se njohja e një shteti palestinez “nuk është një tabu për Francën”, duke nënvizuar se një veprim i tillë është domosdoshmëri morale dhe politike.

Aktualisht, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin shtetin e Palestinës. Majin e kaluar, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia iu bashkuan listës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të BE-së që kanë shpallur njohjen në dhjetë. Të tjerat janë Bullgaria, Qiproja, Malta, Hungaria, Polonia, Suedia dhe Rumania.

Continue Reading

Bota

Trump kërcënon sërish Iranin me përdorim të forcës ushtarake

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar përsëri se do ta përdorë forcën ushtarake, nëse Irani nuk pajtohet për t’i dhënë fund programit të vet bërthamor dhe theksoi se Izraeli do të jetë “lider” i çfarëdo sulmi të mundshëm.

Trump tha për gazetarë të mërkurën në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhe se, “nëse është e nevojshme”, Shtetet e Bashkuara do ta përdorin forcën ushtarake “patjetër”.

Ai e tha këtë pasi u pyet për bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre iranianë që do të zhvillohen këtë fundjavë në Oman.

Ne kemi kohë”, tha Trump, duke shtuar se nuk ka ndonjë afat të përcaktuar për përfundimin e bisedimeve SHBA-Iran.

Kur nisni bisedimet, e kuptoni nëse po ecin mirë apo jo. Dhe, unë do të thosha që përfundimi do të vijë kur të mendoj se ato nuk po ecin mirë. Pra, është thjesht një ndjesi”, tha Trump.

Trump njoftoi për bisedimet më 8 prill gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Netanyahu tha se mbështet përpjekjet diplomatike të Trumpit për të arritur marrëveshje me Iranin. Ai shtoi se Izraeli dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtin synim: të sigurohen që Irani të mos zhvillojë ndonjë armë bërthamore.

Trump tha se, nëse përdorimi i forcës ushtarake bëhet i nevojshëm, “Izraeli do të jetë goxha i përfshirë, natyrisht”.

Të dyja palët e kanë paraqitur takimin në Oman si takim eksplorues për të parë nëse mund të zhvillohen negociata. Trump tha se bisedimet do të jenë “të drejtpërdrejta”, ndërsa Irani i ka përshkruar ato si bisedime “të tërthorta”.

 

 

Continue Reading

Bota

Kina vendos tarifa 84% për mallrat amerikane, paraqet ankesë të re në OBT

Published

on

By

Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa prej 84 për qind për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara, duke rritur më tej tarifën e shpallur më parë prej 34 për qind, si dhe ka paraqitur një ankesë të re në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Është vendosur në përgjigje të një mase të mëparshme të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, e cila vendosi tarifa prej 125 për qind për mallrat kineze, raporton BBC.

Përveç tarifave, Kina ka vendosur kufizime shtesë për më shumë se një duzinë firmash amerikane, duke përfshirë ndalimin e hyrjes për drejtuesit e tyre, si dhe kufizime për investimet në tregun kinez.

Ndërkohë, Pekini paraqiti një ankesë të re në OBT, duke akuzuar administratën amerikane për “agresion të njëanshëm”.

Rritja prej 50 për qind e tarifave është një gabim pas një gabimi, gjë që konfirmon më tej natyrën e njëanshme dhe të dhunshme të masave të SHBA-së”, njoftoi Ministria Kineze e Tregtisë.

Zëdhënësi i asaj ministrie shtoi se Kina “do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime në përputhje me rregullat e OBT-së dhe do të mbrojë me vendosmëri sistemin tregtar shumëpalësh dhe rendin ekonomik ndërkombëtar”.

Të mërkurën, Trump njoftoi një ngrirje të plotë të të gjitha tarifave “reciproke”, në fuqi në mesnatë, me përjashtim të Kinës.

Continue Reading

Bota

SHBA-ja i kundërpërgjigjet Kinës me tarifa prej 125 për qind

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se do t’i rrisë menjëherë tarifat ndaj mallrave kineze në 125 për qind, pasi Kina vendosi tarifa prej 84 për qind ndaj një sërë importesh nga Amerika.

Ky vendim shënon përshkallëzim të ri në konfliktin tregtar mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj Tregjeve Botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm“, deklaroi Trump në rrjetet sociale.

Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme“, shtoi ai.

Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, këmbënguli se kjo ka qenë strategjia e Trump që në fillim, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Pekini “është treguar para botës aktor i keq”.

Në një intervistë të mërkurën për Fox Business, Bessent e dënoi veprimin e Kinës, duke thënë se është për keqardhje qysh kinezët nuk duan të negociojnë, “sepse ata janë shkelësit më të mëdhenj të sistemit tregtar ndërkombëtar”.

Njoftimi i Kinës për vendosjen e tarifave prej 84 për qind ndaj importeve amerikane fillimisht shkaktoi tronditje në tregjet globale.

Por, tregjet u rritën ndjeshëm pasi Trumpi i pezulloi për 90 ditë tarifat më të mëdha “reciproke” ndaj pjesës më të madhe të botës, përballë frikës së një recesioni ekonomik.

Pekini vendosi tarifat prej 84 për qind ndaj mallrave amerikane, pasi SHBA-ja kishte vendosur paraprakisht tarifë 104 për qind për importet nga Kina.

Pekini e përshkroi këtë vendim si masë mbrojtëse përballë asaj që e quajti “agresion të vazhdueshëm tregtar” nga Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara importuan mallra nga Kina me vlerë 439 miliardë dollarë vitin e kaluar. Telefonat e mençur, laptopët, bateritë litiumjon, lojërat dhe lodrat ishin ndër artikujt më të vlefshëm.

Ndërsa eksportuan mallra në Kinë në vlerën e 144 miliardë dollarëve, prandaj deficiti i tyre tregtar arriti në 295 miliardë dollarë.

Tarifat e Kinës ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10 prill.

Tarifat do të vlejnë për produktet bujqësore amerikane, elektronikën dhe makineritë industriale – shtylla kyçe të ekonomisë eksportuese të SHBA-së.

Nëse SHBA-ja këmbëngul në përshkallëzime të mëtejshme ekonomike dhe tregtare, Kina ka vullnet të fortë dhe mjete të bollshme për të marrë kundërmasa të nevojshme dhe për të luftuar deri në fund”, tha Ministria e Tregtisë së Kinës.

Wendong Zhang, profesor i ekonomisë së aplikuar dhe politikave në Universitetin Cornell, tha se Kina kufizoi varësinë nga mallrat amerikane, përfshirë produktet bujqësore, pas luftës tregtare me administratën Trump në vitet 2018-2019.

Kësaj radhe, udhëheqësit kinezë kanë mbështetjen e një opinioni publik më të vendosur për t’i bërë ballë SHBA-së dhe për t’u orientuar më shumë drejt konsumit të brendshëm”, tha Zhang.

Ndërkohë, Trump njoftoi se do t’i pezullojë për 90 ditë tarifat e reja për më shumë se 75 vende të botës që, sipas tij, kanë bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me zyrtarët amerikanë.

Frika nga pasojat ekonomike të tarifave kishte shkaktuar kolaps të tregjeve të aksioneve në mbarë botën. Data 8 prill shënoi rënien më të madhe ditore që nga pandemia e Covid-19 në vitin 2020.

Indeksi S&P 500 i Wall Street humbi më shumë se 10 për qind të vlerës së tij në tri ditë tregtimi, dhe tregjet aziatike gjithashtu kanë pësuar rënie të theksuara.

Këto shitje vazhduan edhe pas njoftimit të Kinës më 9 prill, me indeksin FTSE 100 të Londrës dhe Dax-in e Frankfurtit që regjistruan humbje të mëdha.

Përshkallëzimi më i fundit SHBA-Kinë ndodhi vetëm disa orë pasi zyrtarët e Bashkimit Evropian miratuan tarifa për mallra amerikane në vlerë të rreth 21 miliardë eurove, si përgjigje ndaj tarifave prej 25 për qind të vendosura nga Trump për çelikun dhe aluminin që eksporton BE-ja.

Më 9 prill, shumica e 27 shteteve anëtare të BE-së votuan në favor të tarifave të reja, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 15 prill./REL/

Continue Reading

Të kërkuara