Sport

​Boban: Kosova ka infrastrukturë më të mirë se Kroacia

Boban tha se është tejet i kënaqur me Kosovën se si është zhvilluar në aspektin e infrastrukturës së futbollit.

Published

on

Një tjetër fytyrë e rëndësishme e futbollit ka vizituar sot Kosovën, vetëm disa ditë pas vizitës së numrit një të FIFA-s, Gianni Infantino.

Bëhet fjalë për shefin e futbollit të UEFA-s, Zvonimir Boban, i cili pas vizitave të sotme iu adresua edhe mediave. Me këtë rast, Boban tha se është tejet i kënaqur me Kosovën se si është zhvilluar në aspektin e infrastrukturës së futbollit. Po ashtu, shefi i futbollit të UEFA-s nuk ngurroi që ta pranojë se Kosova ka infrastrukturë më të mirë se vendlindja e tij, Kroacia.

“Le të themi se nga pikëpamja e infrastrukturës unë besoj se ju jeni më mirë se Kroacia sepse ne nuk kemi akademinë tonë, nuk kemi stadiumet tona, por tani jemi duke punuar shumë në këtë aspekt. Nuk është gjithmonë e lehtë që të bësh krahasime, ndonjëherë është arrogante dhe e dhimbshme për dikë, por ajo se çfarë shoh këtu është që procesi është tejet i mirë, federata është duke bërë punë të mirë, e shoh edhe që qeveria dëshiron ta ndihmojë qytetin e Prishtinës”, tha Boban.

Ndërkaq, përkrah Boban në konferencë për media ishte edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili edhe shpjegoi qëllimin e vizitës së legjendës kroate. Ademi tha se me Boban kanë diskutuar kryesisht për çështje të futbollit, respektivisht për infrastrukturën e futbollit kosovar.

“Ky ka ardhur për çështje të futbollit, fillimisht, sepse është shefi i futbollit të UEFA-s, dhe sigurisht që kemi folur për infrastrukturën që është baza e futbollit, për me pas mundësi që futbolli të ecë sa më para, dhe për të treguar talentin siç e tha se shquhemi si shtet me talentë të programuar tashmë në UEFA dhe FIFA, por gjithsesi ka ardhur për turneun që e kemi të UEFA-s sepse kur është shef i futbollit normalisht që është mbikëqyrës i të gjitha këtyre garave të cilat janë. Nuk është e rastësishme që është dhënë ky organizim i këtij kompeticioni apo i këtij grupi për faktin që duhet të jesh i vlerësuar edhe në UEFA për ta dhënë një kompeticion të tillë dhe për ta besuar një kompeticion të tillë. Sigurisht kemi folur gjithçka për futbollin, për edukimin e futbollit sepse që në mbikëqyrjen e tij nuk e ka vetëm futbollin por ka edhe referët, edhe të gjitha organet të cilat merren me futbollin, referë delegatë e gjitha të tjerat. Kemi folur rreth kyçjes së anëtarëve tonë atje në UEFA, domethënë si delegatë të UEFA-s”, tha Ademi.

Gajtë kësaj vizite, Boban u takua me Ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrull Çeku si dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Lajmet

​Blerja e re e Interit pritet te debutojë në derbi ndaj Juventusit

Published

on

Interi ka zyrtarizuar transferimin e Manuel Akanjit nga Manchester City dhe mbrojtësi zviceran pritet të debutojë menjëherë në një nga sfidat më të mëdha të sezonit, Derby d’Italia ndaj Juventusit.

Trajneri Cristian Chivu është gati ta hedhë titullar Akanjin që në përballjen e së shtunës në “Allianz Stadium” të Torinos, duke e vendosur përkrah Francesco Acerbit dhe Alessandro Bastonit në qendër të mbrojtjes.

Zvicerani pritet të marrë vendin e Yan Bisseck në formacion, sipas Sky Sport Italia.

Kjo ndeshje vjen në një moment të rëndësishëm për Interin, i cili humbi sfidën e fundit në shtëpi kundër Udineses dhe është nën presion për një rezultat pozitiv.

Ndryshime të tjera priten edhe në mesfushë, ku Henrikh Mkhitaryan mund të rikthehet në vend të Petar Sucic për të formuar dyshe me Hakan Calhanoglun.

Në sulm, kapiteni Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram do të udhëheqin repartin ofensiv, pavarësisht se argjentinasi u rikthye vonë nga impenjimet me kombëtaren.

Formacioni i mundshëm i Interit: Sommer; Akanji, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro Martinez, Thuram./S.K/KP/

Continue Reading

Bota

​Finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet në Madrid

Published

on

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s votoi në Tiranë stadiumin “Metropolitano” të Madridit vendin mikpritës të finales së Ligës së Kampionëve 2027.

Stadiumi kombëtar i Varshavës do të presë finalen e Ligës së Kampioneve për vajza 2027, ndërsa finalja e Superkupës do të luhet në Salzburg të Austrisë.

Finalja e Ligës së Kampionëve në futsall 2026 do të luhet në Pesaro të Italisë, finalja e EURO U-19 në futsall në Astana (Kazakistan), ndërsa finalja e Evropianit të futsallit për vajza 2027 në Osjek të Kroacisë.

Komiteti Ekzekutiv miratoi një ndryshim në rregulloret e kompeticioneve të klubeve të UEFA-s për djem 2025-2026, për të lejuar zëvendësimin e përkohshëm të maksimumi një lojtari në fushë që pëson dëmtim ose sëmundje afatgjatë, gjatë fazës së ligës, deri në javën e gjashtë të ndeshjeve (e përfshirë).

Arsyeja e këtij ndryshimi është të garantohet që listat e skuadrave të mos reduktohen në mënyrë të padrejtë dhe që lojtarët të mbrohen nga ngarkesa shtesë.

Bonuse për finalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s për vajza 2025.

Komiteti miratoi një shumë totale prej 1.000.000 euro për shpërndarje, bazuar në renditjen e ekipeve në Finalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s për vajza, si më poshtë:

Vendi i katërt: 150.000 euro (15% rritje)

Vendi i tretë: 200.000 (20% rritje)

Vendi i dytë: 250.000 euro (25% rritje)

Vendi i parë: 400.000 euro (40% rritje)

Kërkesë për autorizimin e zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit kombëtar jashtë territorit të UEFA-s.

Komiteti Ekzekutiv diskutoi kërkesat nga RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit) dhe FIGC (Federata Italiane e Futbollit) për të miratuar zhvillimin e një ndeshjeje të kampionatit kombëtar secila jashtë vendit të tyre, në veçanti jashtë territorit të UEFA-s, raporton ATSH./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Botërori i Shqipërisë nën shenjën “11”, kuqezinjtë luajnë shansin e madh në Beograd

Published

on

Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme jo vetëm për kualifikueset e Botërorit, por gjithashtu edhe për historinë, duke ditur rivalitetin e kuqezinjve me Serbinë, historikun mes tyre dhe problemet politike.

Pavarësisht se këto në futboll nuk kanë vend, në tribunat e tifozerisë serbe kanë qenë gjithmonë prezentë, madje edhe atëherë kur asgjë nuk lidhej as me Shqipërinë dhe as me Kosovën.

Kjo ndeshje e shumëpritur, pritet të zhvillohet në datën 11 tetor në Beograd dhe numri 11, nuk vetëm data në të cilën luhet ndeshja, por lidhet edhe me shumë “11-a” të tjera.

11 VITE NGA DRONI- Në vitin 2014, Shqipëria luante një ndeshje të madhe në Serbi, teksa ëndrra për një vend në Europianin e Francës sapo kishte nisur. Kuqezinjtë përballeshin jo vetëm me skuadrën serbe, por me terrorin serb, me tifozerinë e cila në çdo moment bënte thirrje për vdekjen e shqiptarëve, apo edhe me vendimet për të mos lejuar jo vetëm tifozët shqiptarë, por as flamurin kuqezi në stadium. Gjithçka u duk se po shkonte mirë, kur në qiellin e Beogradit u shfaq flamuri “Autochthonous”, me autor Ballist Morinën, “incident” ky që jo vetëm që i solli Shqipërisë 3 pikët në tavolinë, por gjithashtu dënoi edhe Serbinë me zbritje pikësh, duke e bërë kualifikimin e kuqezinjve edhe më të lehtë.

11 PIKË NË SERBI- Kuqezinjtë kanë objektiv vendin e dytë në grup, pasi Anglia praktikisht e ka blinduar vendin e parë, duke treguar forcën ndaj çdo rivali. Të gjithë në Kombëtare e dinë se pas hapit fals ndaj Letonisë, vendi i dytë mund të arrihet vetëm duke mundur Serbinë në Beograd, që duhet të shoqërohet patjetër me një fitore ndaj Andorrës e më pas, ndaj Anglisë mund të luajnë pa presionin e rezultatit. Me një fitore në Serbi, kuqezinjtë do të arrinin në kuotën e 11 pikëve dhe me shumë gjasa, do të blindojnë vendin e dytë në grup.

11 PËRBALLJE MES DY SKUADRAVE- Dy skuadrat janë përballur në historinë e tyre 11 herë, nga të cilat 3 ndeshje kanë qenë mes Shqipërisë e Serbisë, e 8 të tjera kanë qenë mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë, megjithatë fitorja e vetme e kuqezinjve ka qenë në 14 tetorin e vitit 2014, me rezultatin 0-3 në tavolinë, fitore kjo që e ndihmoi Shqipërinë të shkonte në Europianin e 2016 me 14 pikë.

11 LUANË NË FUSHË- Në datën 11 tetor, në fushë nuk duhet të jenë vetëm 11 futbollistë por 11 luanë, të cilët duhet të dinë vlerën e fitores, vlerën e 3 pikëshit e për më tepër, duhet të dinë vlerën e fanellës kuqezi dhe faktin se një fitore, i afron jashtëzakonisht shumë me Botërorin, pavarësisht se duhet të kalojnë edhe fazën e “Play Off”. Nëse në fushë janë 11 luanë të cilët japin shpirtin deri në vërshëllimën e fundit, fitorja mund të arrihet pa vështirësi ashtu siç merrej ndaj Greqisë kampione të Europës, apo edhe ndaj Francës në miqësore e ndaj Portugalisë në kualifikueset e Europianit./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet tifozi i Real Oviedos për gjuhë draciste drejt Mbappes

Published

on

Policia Kombëtare spanjolle e ka arrestuar një tifoz të Real Oviedos për shkak të thirrjeve raciste në hapësirën e tifozëve vendës në stadiumin “Carlos Tartiere” gjatë ndeshjes me Real Madridin, e zhvilluar më 24 gusht.

Këtë e bën të ditur Policia e Asturie ku tifozi u ndalua për një krim kundër integritetit moral dhe një krim të urrejtjes pasi u identifikua falë analizës së fotove dhe të videove.

Ai bëri gjeste dhe tinguj majmuni në minutën e 37-të, që përkoi me festimin e golit të parë të skuadrës mysafire, të shënuar nga Kylian Mbappe.

Ky incident i panevojshëm u raportua pas ndeshjes së organizuar nga LFP (Liga de Fútbol Profesional).

Burri, i identifikuar, e dha një deklaratë në selinë e policisë dhe iu dorëzua gjyqtarit të parë hetues në Oviedo.

“Më shumë sesa thjesht një arrestim. Është propozuar gjithashtu një shkelje kundër Ligës kundër Dhunës, Racizmit, Ksenofobisë dhe Intolerancës në sport, e cila e parasheh një gjobë prej 60 mijë deri në 650 mijë euro për vepra shumë të rënda penale, si dhe një ndalim në impiantet sportive”.

Sipas asaj që e parasheh Kodi Penal dhe Selia e Lartë e Policisë së Asturie, krimet si ai i urrejtjes mund ta mbartin një dënim maksimal prej tre vjetësh burgim./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara