Lajmet

​BE: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për targat

Kështu deklaroi për mediat Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

Published

on

Bashkimi Evropian edhe një herë ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë deri te përshkallëzimi i situatës dhe se blloku evropian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave. Kështu deklaroi për mediat Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, tha Stano më 27 tetor.

Ky qëndrim i BE-së vjen disa orë pasi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe Serbia paralajmëruan për vendosjen e barrikadave, nëse Kosova, pas 31 tetorit do të konfiskojë targat apo makinat e serbëve.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia – që Prishtina i konsideron ilegale – duhet ‘i konvertojnë në RKS- Republika e Kosovës.

Pas 31 tetorit, Kosova ka deklaruar se këto makina – që vlerësohet se janë afër 10.000 – nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e shtetit, e as të kalojnë kufirin. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 27 tetor se kur bëhet fjalë për targat, Kosova po respekton ligjin dhe Sebia po kërcënon me mjete antiligjore.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Stano, tensionet do të ishin në kundërshtim me interesat e njerëzve dhe të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë. “Ato kanë shprehur si prioritet afrimin me BE-në dhe me krijimin e tensioneve, me pamundësinë për t’i zgjidhur çështjet, duke mos folur me njëra-tjetrën, duke mos pasur gatishmëri për kompromis, ju nuk i arrini këto qëllime dhe e dëmtoni popullin tuaj. Pra, mesazhi ynë është i njëjti, duhet të jemi konstruktivë dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura dhe të përmbahemi nga veprimet e njëanshme që çojnë deri te përshkallëzimi. Kemi nevojë për të kundërtën, për ulje të tensioneve dhe progres”, është shprehur zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a është pajtuar tashmë BE-ja se nuk do të ketë shtyrje të afatit për zëvendësimin e targave, ky zëdhënës ka thënë se BE-ja po vazhdon të punojë në këtë drejtim dhe se kanë mbetur akoma edhe disa ditë për këtë gjë. “Ne nuk dorëzohemi dhe gjithmonë jemi të angazhuar në emër të njerëzve në terren. BE-ja mbetet e angazhuar dhe ky është roli i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell dhe ai i të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ata janë të angazhuar intensivisht në kërkim të zgjidhjes për çështje, për të cilën nuk ka pasur zgjidhje deri tash. Por, kemi akoma edhe disa ditë deri më 31 tetor. Ne po punojmë me partnerët tanë për të gjetur zgjidhje dhe për të parandaluar situatën, në të cilën do të kishim eskalim të panevojshëm të ri, apo, Zoti mos e dhëntë, shpërthim të situatës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

BE-ja edhe të enjten ka përsëritur qëndrimin rreth targave duke thënë në një anë se Kosova ka të drejtë legjitime për vendimin e saj për t’i ndërruar ato, por edhe duke kërkuar shtyrjen e afatit për dhjetë muaj shtesë. “Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i qartë. Vendimi i Kosovës për të ndërruar tabelat e regjistrimit është legjitim. Megjithatë, sipas marrëveshjes nga dialogu që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, të arritur më 2011 dhe 2016, është me rëndësi që të sigurohet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultime të afërta me qytetarët, ndaj të cilëve ka ndikim, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, ka theksuar Stano.

“Konkluzat për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshin një afat kohor për riregjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tash kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, një shtyrje e tillë do të mundësonte një fushatë informimi më përfshirëse dhe konsultime me qytetarët përkatës. Kjo do t’i mundësonte Kosovës që t’ua lehtësojë serbëve të Kosovës në veri marrjen e kartave të identitetit dhe patentë-shoferëve të Kosovës. “Çfarëdo përshkallëzimi i tensioneve dhe dhune potenciale në veri të Kosovë duhet të evitohet. Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin momental gjeopolitik, në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, thuhet nga BE-ja. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për riregjistrim. I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar më 26 tetor se Prishtina ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese./REL

Lajmet

Gani Gecit i caktohet një muaj paraburgim

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, e cila zgjati rreth dy orë.
Gjatë seancës, Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka pasur mundësinë të shprehë qëndrimin dhe kundërshtimet e saj lidhur me këtë masë.
Ndërkohë, familjarët e Gani Gecit kanë pritur në ambientet e Gjykatës deri në marrjen e vendimit.

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shpreh shqetësim për dhunën në protestën e Tiranës: Kërkon hetim për forcën e policisë

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi.

Përmes një deklarate zyrtare, BE-ja theksoi domosdoshmërinë që forcat e rendit të veprojnë brenda kornizave ligjore dhe të respektojnë të drejtat e njeriut.

“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në deklaratë.

Më tej, BE-ja theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe të ushtrohen gjithmonë në mënyrë paqësore. Blloku evropian u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të ulin tensionet dhe t’i drejtohen dialogut konstruktiv për zgjidhjen e situatës.

Continue Reading

Lajmet

Bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Published

on

By

Në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë sot është mbajtur ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, komandanti i deritanishëm, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ia dorëzoi zyrtarisht detyrën gjeneralmajorit Roberto Vergori, i cili do të marrë drejtimin e mëtejshëm të misionit.

Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministrave e ish-presidentëve të vendit.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, duke i uruar njëkohësisht sukses komandantit të ri, gjeneralmajorit Vergori, në përgjegjësinë e tij të re.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, nga i cili u informua se Italia po përgatit një dokument për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ushtarak me Kosovën. Qeveria dhe Forca e Sigurisë e Kosovës rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in në shërbim të paqes dhe stabilitetit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tensione në Tiranë: Studentët përplasen me policinë, sulmohet një bankë komerciale dhe dëbohen politikanët

Published

on

By

Tensionet në Rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po vazhdojnë edhe sot, ku protesta e studentëve ka pësuar përshkallëzim të mëtejshëm. Disa nga protestuesit kanë sulmuar një bankë komerciale, duke i goditur e thyer xhamat e jashtëm si dhe duke tentuar t’i shkulin pllakat e godinës.

Në protestë janë grumbulluar studentë nga universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Politeknikun, Fakultetin e Drejtësisë e të tjerë. Ndaj ndërtesës së ministrisë janë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Shtetit është pozicionuar përballë tyre dhe po vazhdon shpërndarjen e turmës me ujë me presion, si dhe ka arrestuar e shoqëruar disa pjesëmarrës.

Situatë me tensione u shënua edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku një grup protestuesish e theu derën kryesore dhe u fut brenda ambienteve të fakultetit.

Në vendngjarje u parën edhe disa deputetë të Partisë Demokratike (PD), mirëpo prania e tyre u refuzua nga të rinjtë. Figurat politike si Belind Këlliçi dhe Eno Bozdo u dëbuan nga vetë studentët, të cilët iu kërkuan të largohen për të shmangur politizimin e kauzës, përpara se të vazhdonin përplasjen me forcat policore.

Ndërkohë, vala e protestave dhe pakënaqësive po përhapet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës ka nisur bojkotimi i procesit mësimor në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë. Ndërkaq, në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër situata raportohet të jetë e qetë dhe mësimi po zhvillohet normalisht. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara