Lajmet

​Avokatja e Kujtim Veselit: Rasti i tij është neglizhuar për shkak të përkatësisë etnike

Në samitin për antigjipsizëm, mbrojtja ka kërkuar drejtësi për të miturin e komunitetit ashkali.

Published

on

Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë janë treguar të paafta për të mbrojtur të miturin nga Fushë Kosova, i cili vdiq dy vjet më parë.

Avokati i Popullit ka theksuar se rasti tragjik i 11-vjeçarit, Kujtim Veseli, përbën shkelje nga institucionet që janë marrë me këtë rast, andaj edhe ishte kërkuar hetim i brendshëm nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në samitin për antigjipsizëm, mbrojtja ka kërkuar drejtësi për të miturin e komunitetit ashkali, ku tha se ky rast është neglizhuar për shkak të përkatësisë etnike.

Në verën e vitit 2019, Kujtim Veseli u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë. Ai ishte dhunuar për muaj radhazi nga personi me inicialet S.O.

Në panelin e diskutimit “Bashkëpunimi ndërsektorial, qasja në drejtësi dhe antigjipsizmi zbërthyer përmes rastit të Kujtim Veselit”, Avokati i Popullit Naim Qelaj tha se në rastin e këtij të mituri janë bërë shkelje nga institucionet e drejtësisë.

“Janë dy lëshime që kanë sjellë deri te ky rast, të cilat janë të paarsyeshme dhe në nën çdo nivel të profesionalizmit në ushtrimin e punës së një prokurori. I dyshuari që e ka kryer veprën penale, ka qenë i akuzuar me 18 vepra penale, dhe ka pasur 29 kallëzime penale. Kjo është rrethana e tretë e cila këtë rast e bën specifik dhe të veçantë e tragjik. Edhe pas kaq vitesh ne ndihemi në pozitë të vështirë kur flasim, sepse institucionet që është dashur të reagojnë, janë treguar të paafta për t’i ofruar mbrojtje një fëmije të mitur, i cili sot është viktimë”, ka thënë ai.

S.O. është akuzuar për keqpërdorim seksual edhe pse dokumentacionet provat flasin që ka pasur edhe dhunim seksual. Dënimi i parashikuar me Kodin Penal është i lartë, por është vijuar me procedura të rregullta.

“Avokati i Popullit në atë kohë ka reaguar me rekomandim, fillimisht duke konstatuar që në këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut. Shteti nuk ka arritur të veprojë, të kryer detyrimin pozitiv për mbrojtjen e jetës, nuk ka reaguar me kohë dhe nuk i ka respektuar detyrat ligjore në procedurën penale për të mundur të evitohen pasojën, e cila është shkaktuar. Njëra nga rekomandimet është që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të fillojë hetim të brendshëm për shkak të lëshimeve të prokurorisë në përmbushjen e detyrave dhe detyrimeve që dalin në këtë rast”, ka thënë Qelaj.

Për njërin prokuror është shqiptuar një masë disiplinore për zbritje në pagë prej 30 për qind prej gjashtë muajve. Por për këto sanksione, familja e as mbrojtja nuk kanë pasur qasje në dokumente.

Avokatja Rina Kika tha se rasti i të ndjerit tregon neglizhencën e shtetit. Përkatësia e tij etnike, sipas saj, ka qenë faktor që ky rast të mos merret parasysh nga institucionet.

“Po vazhdon neglizhenca dhe qasja shpërfillëse që të minimizohet dëmi. Po flasim për një fëmijë 10-vjeçar që është dhunuar vazhdimisht. Kjo është konstatuar edhe prej Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka dënuar personin S.O. me 25 vjet burg. Dhe ky aktgjykim është konfirmuar edhe prej Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme. Pse është neglizhuar rasti i Kujtimit, për mua është e qartë se përkatësia e tij etnike e tij dhe e dhunuesit ka qenë një faktor i rëndësishëm se pse ky rast nuk është trajtuar”, ka deklaruar Kika.

Në ditën e dytë të samitit për antigjipsizëm, me sloganin “Trasimi i rrugës për ndryshim”, këshilltari politik i ministres së drejtësisë, Eros Gashi u shpreh se pjesëtarët e tri komuniteteve po përballen me diskriminim në gjitha format.

“Kemi forma të ndryshme të manifestimit të këtyre diskriminimeve. Ne ishim dëshmitarë të dy ngjarjeve të fundit, që përbëjnë forma tipike të diskriminimit. Njëra në Gjakovë, ku të rinjtë nga komuniteti egjiptian nuk ishin lejuar të hyjnë dhe të shërbehen në një lokal në gastronomi. Dhe tjetra në Prizren, ku u ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të komunitetit romë, sepse të njëjtit nuk posedonin maskë”, u shpreh Gashi.

Rasti i Kujtim Veselit ishte paraqitur në polici në janar 2019, ku nëna e viktimës kishte treguar se djali i saj po keqtrajtohej. Pavarësisht veprës së rëndë penale për të cilën dyshohej, S.O., intervistimi nga Policia e Kosovës, u krye vetëm pas 65 ditësh. Më pas, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte thënë se nuk ka nevojë për ekzaminim mjekoligjor të Kujtim Veselit. Ai ka qenë i lirë deri në korrik, kur është raportuar se i njëjti e ka dhunuar e më pas ia mori jetën 11-vjeçarit.

Lajmet

LVV dërgon dekretin e Presidentes në Kushtetuese

Published

on

By

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesa e nënshkruar nga 30 deputetë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes kësaj lënde, deputetët kanë kërkuar zyrtarisht nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti deri në nxjerrjen e një aktgjykimi përfundimtar.

Sipas Nagavcit, Presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ apo për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e tij jashtë rrethanave kushtetuese.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit,” thuhet në njoftimin e bërë nga Nagavci.

Në argumentimin e dorëzuar në Gjykatë, theksohet se çdo veprim që tejkalon kufijtë e sanksionuar në Kushtetutë përbën cenim serioz të parimit të ndarjes së pushteteve.

Grupi Parlamentar i VV-së vlerëson se roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe nuk mund të ushtrohet jashtë kritereve të qarta ligjore. Nagavci ka thënë se në një shtet demokratik asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi aktin më të lartë juridik të vendit.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara dëmtojnë rendin kushtetues,” ka theksuar ajo.

Në fund të njoftimit, Nagavci ka bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë dhe të japë një vendim sa më të shpejtë.

 

Continue Reading

Lajmet

Monitorim i rreptë i çmimeve të naftës, inspektorët në terren gjatë fundjavës

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se gjatë gjithë fundjavës inspektorët e tregut kanë qenë në terren për të monitoruar zbatimin e vendimit për rregullimin e çmimeve të derivateve.

Ky angazhim vjen pas nënshkrimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës.

Sipas të dhënave, marzha maksimale është caktuar 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për atë me pakicë.

Nga të dhënat e siguruara prej Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për naftë ka qenë 1.40 euro për litër, ndërsa për benzinë 1.14 euro.

Ndërkohë, monitorimi në terren tregon se çmimet në pikat e karburanteve aktualisht sillen nga 1.39 deri në 1.55 euro për naftën dhe 1.27 deri në 1.32 euro për benzinën. Ministrja theksoi se po bashkëpunojnë ngushtë me Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës për të analizuar çdo lëvizje të çmimeve.

Kusari-Lila njofton se Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut edhe në ditët në vijim për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm. Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur se për çdo shkelje të evidentuar do të ndërmerren masa të rrepta ndaj operatorëve ekonomikë.

Sipas saj, prioritet mbetet transparenca dhe parandalimi i rritjes së paarsyeshme të çmimeve për qytetarët.

 

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohen nga Shqipëria dy persona të kërkuar nga Policia e Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot ekstradimin e dy personave nga Shqipëria, të cilët kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.

Ky aksioni u krye nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me institucionet e drejtësisë. Të dyshuarit ishin arrestuar më parë nga autoritetet shqiptare pas kërkesës së Kosovës për përfshirje në vepra të ndara penale.

Njëri nga të ekstraduarit kërkohej për veprën penale “kultivim i lëndëve narkotike”, ndërsa tjetri për “vjedhje të rëndë”.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, ata u janë dorëzuar njësive policore në rajonin e Pejës dhe atij të Prizrenit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky sukses erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Shqipërisë dhe do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve për parandalimin e aktiviteteve kriminale.

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: Dekreti i presidentes është jokushtetues, lëndën po e dërgojmë në Kushtetuese

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e legjislativit, duke e cilësuar atë si vendim jokushtetues dhe të ngutshëm.

Sipas saj, dekreti ishte një befasi pasi nuk është plotësuar asnjë rrethanë kushtetuese që i jep të drejtë presidentes ta shpërndajë Kuvendin pa kaluar afati 60-ditor apo pa dështuar zgjedhja e kreut të shtetit.

Haxhiu theksoi se ky veprim minon punën e institucionit, sidomos pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” deklaroi ajo.

Gjatë deklaratës së saj, kryeparlamentarja kërkoi që Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi dhe profesionalizëm për të shmangur krizat e mëtutjeshme.

Ajo kritikoi mungesën e konsultimeve paraprake me të si drejtuese e Kuvendit dhe akuzoi deputetët që po pamundësojnë konstituimin e institucioneve duke mos krijuar kuorum për zgjedhjen e presidentit. Haxhiu insistoi se Kuvendi duhet të lejohet të vazhdojë punën e nisur pasi nuk ekziston asnjë bazë ligjore për shpërndarje në këtë fazë.

“Nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës,” shtoi Haxhiu.

/Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara