Lajmet

​Auditorja e Përgjithshme kërkon t’i ulet paga, Kuvendi nuk ia aprovon kërkesën

Është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores.

Published

on

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës zbritjen e pagës së saj nga rreth 3 mijë 800 euro me shtesa në 2 mijë e 800 euro ose 12 mijë euro më pak në vit.

Kërkesa për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm, e shqyrtuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer, është vlerësuar nga deputetët e opozitës si pozitive, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik.

Me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores, Spanca deri në javën e ardhshme kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.

“Për shkak të rrethanave ekonomike kam menduar që do të ishte e drejt paga ime të jetë më e ulët dhe në proporcion me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Spanca gjatë paraqitjes së kërkesës në këtë komision parlamentar.

Gjatë raportimit, Spanca tha se me marrjen e pozitës së re, ka marrë vendim për uljen e pagave për disa pozita, derisa pozitën e këshilltar për media ka shuar.

Deputeti Eman Rrahmani nga VV ka përgëzuar auditorin e përgjithshme për kërkesën e saj sa i përket zbritjes së pagës.

“Paga e lartë që ka qenë deri tash për këtë pozitë, vërtet ka qenë pagë e lartë”, tha ai.

Sa përket kësaj kërkese për pagat e larta, shqetësim lidhur me këtë pati deputeti, Mërgim Lushtaku nga PDK, kërkojë miratimin e ligjit të pagave, që siç tha ai e rregullon këtë fushë.

Deputeti Avdullah Hoti nga LDK ka kërkuar që mos të zbriten edhe pagat e auditorëve, krahas uljes së pagës së auditorit të përgjithshëm për të cilën tha se duhet të jetë konform pagës në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK, theksoi se është një shembull i mirë kur zyrtarët publik kërkojnë zbritjen e pagave, teksa shtoi se projektligji për paga që qëndron në sirtarët e Qeverisë, e rregullon këtë çështje por që duhet të miratohet.

“Me një individ ne asgjë nuk mund të bëjmë. Por qeveria duhet sa më parë ta miraton ligjin e pagave. Kjo është një praktikë e mirë nga auditorja, por në përgjithësi duhet të ketë një barazi mes sektorëve dhe pozitave”, tha ai.

Duke iu përgjigjur kryetarit të komisionit, Armend Muja për audutimin e RTK-së, Spanca ka thënë se tash e tutje edhe do të auditojë edhe pasqyrat financiare të RTK-së.

Për këtë, ka reaguar deputeti Pal Lekaj, i cili tha se nuk duhet bërë presion transmetuesit publik.

lajme

LDK pranon ftesën e VV-së, PDK dhe AAK e refuzojnë

Published

on

By

Tri ditë para seancës konstituive të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje u ka dërguar ftesa të reja tri partive opozitare shqiptare për të diskutuar formimin e institucioneve të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pranuar këtë ftesë dhe takimi ndërmjet kryetarit Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurtit pritet të mbahet të martën në orën 18:00.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ftesën, me kryetarin Bedri Hamza që rikonfirmoi vendimin e tyre të prerë për të mbetur në opozitë. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka refuzuar si takimin ashtu edhe mundësinë e pjesëmarrjes në Qeveri.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, theksoi se nuk shohin arsye për t’u takuar në këtë format, pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje për gjashtë kushtet e tyre strategjike. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara