Lajmet

​AKR e pakënaqur me rezultatin në Prishtinë: Fituam 7 përqind për asamblistë

AKR në rezultatin preliminar të KQZ, nuk ka fituar më shumë se 1.89 përqind.

Published

on

Nënkryetari i AKR-së, Selim Pacolli në një konferencë për media ka thënë se kjo parti në zgjedhjet e sotme ka fituar 7 përqind për asamblist.

Pacolli theksoi se pavarësisht rezultatit final i cili do të dalë nga këto zgjedhje, do t’i pranojnë si rezultat dhe do të vazhdojmë të punojmë kështu me punë të mira të cilat janë bërë deri sot në Prishtinë.

“Ne jemi duke i ndjekur nga afër të gjitha rezultatet, të cilat kanë dalë nga qendra e numërimit të KQZ-së. Rezultate këto të cilat janë të përafërta edhe nga terreni. Dua që t’i falënderojmë të gjithë qytetarët e komunës sonë, të cilët ushtruan të drejtën e votës dhe na dhanë besimin. Ky rezultat akoma nuk është final. Mirëpo këto janë të dhënat të cilat ne i posedojmë nga 71 kuti gjithsejtë të numëruara nga 238 sosh, që neve na nxjerrin diku afër 7 përqind në nivel të komunës së Prishtinës, në këtë rast për asamblist”, theksoi ai.

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga AKR, Gëzim Mehmeti tha se nuk janë të kënaqur me rezultatin, por theksoi se do të vazhdojnë të punojnë për kryeqytetin.

“Nuk jam i kënaqur me rezultat mirëpo i respektojmë shumë vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, me rëndësi është qyteti i Prishtinës, me rëndësi Prishtina. Do të vazhdojmë punën tonë, asnjëherë nuk ndalemi për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve do të jemi pjesë e asamblesë. Sipas rezultateve jemi njëjtë qysh kemi qenë në 2017”, tha ai.

AKR në rezultatin preliminar të KQZ-së, nuk ka fituar më shumë se 1.89 përqind.

Lajmet

Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për financim me Banka Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë euro.

Marrëveshja u miratua me 103 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, të cilat erdhën nga deputetët e Lista Serbe.

Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore.

Programi synon mbështetjen e reformave strukturore, forcimin e disiplinës fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se financimi është me normë interesi zero për qind dhe me periudhë grace prej gjashtë vjetësh para fillimit të kthimit. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe reformat e dakorduara, duke bërë që mjetet të jenë tashmë në dispozicion pas ratifikimit.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 19 prill 2024 dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të mbështetur stabilitetin fiskal, rritjen e konkurrueshmërisë dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër.

 

Continue Reading

Lajmet

BE-ja rishikon fondet për Serbinë: Ligjet e reja për drejtësinë “zbehin besimin”

Published

on

By

Bashkimi Evropian mund të bllokojë një pjesë të fondeve prej 1.6 miliardë eurosh (hua dhe grante) të dedikuara për Serbinë. Ky paralajmërim vjen pasi Beogradi miratoi disa ligje që, sipas Komisioneres për Zgjerim të BE-së, po “zbehin besimin” te përkushtimi i vendit ndaj shtetit të së drejtës.

Reformat për centralizimin e sistemit gjyqësor, të cilat hyrën në fuqi këtë javë, kanë nxitur kritika të ashpra nga gjyqtarët dhe prokurorët. Ata i shohin këto ndryshime si një mjet për të forcuar pushtetin e Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke dobësuar luftën kundër krimit të organizuar dhe duke penguar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, raporton Reuters.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi për Reuters se këto amendamente po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punën e atyre në Bruksel që duan të ecin përpara me integrimin e Serbisë. Ajo konfirmoi se Komisioni po rishikon financimet në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një program ky që lidhet drejtpërdrejt me kushtëzime për sundimin e ligjit.

Ndonëse Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim që në vitin 2014, korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta kanë frenuar progresin. Ligjet e reja parashikojnë kufizimin e mandatit të kryeprokurorëve dhe u japin më shumë pushtet kryetarëve të gjykatave mbi gjyqtarët e thjeshtë. Kritikët frikësohen se kjo do të asgjësojë pavarësinë e drejtësisë dhe do të rrezikojë hetimet e rëndësishme për korrupsionin e nivelit të lartë.

Ndërsa qeveria serbe ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar, Ministria e Drejtësisë ka pretenduar se ligjet do ta bëjnë sistemin më efikas. Pas reagimeve negative, Serbia i është drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion ekspertësh. Komisionerja Kos theksoi se BE-ja pret që, pas marrjes së këtij opinioni, ligjet të rishikohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Self: Mbështetje e palëkundur e SHBA-së për Kosovën dhe lidershipin e Osmanit

Published

on

By

Kongresisti republikan Keith Self ka shprehur “besim jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan” të Kongresit amerikan në udhëheqjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një letër e tij mbështetëse, theksoi se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

Duke vlerësuar rolin e presidentes në forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit, Self rikonfirmoi mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për objektivat strategjike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe thellimin e partneritetit euroatlantik.

“Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës së Kosovës.

Kjo deklaratë konsiderohet një konfirmim i fuqishëm i mbështetjes amerikane për lidershipin e Presidentes Osmani dhe për drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

LDK: Drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të vlejë për të gjithë

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një komunikate lidhur me qëndrimin e saj ndaj Rezolutës së diskutuar në Kuvend, duke theksuar se institucionet e vendit kanë përgjegjësi historike dhe politike për të trajtuar drejtësinë në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Në komunikatë thuhet se partia konsideron se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të mbajë një qëndrim të unifikuar dhe të përgjegjshëm për çështjet e drejtësisë, duke shmangur qasjet selektive.

Sipas LDK-së, “Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive”.

LDK rithekson mbështetjen për parimin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm për çdo qytetar, në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare. Në komunikatë theksohet se ky parim përbën një nga shtyllat kryesore të shtetit ligjor dhe orientimit euro-atlantik të vendit, duke nënvizuar se “LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës”.

Megjithatë, partia vlerëson se drejtësia nuk mund të trajtohet në mënyrë të fragmentuar. Sipas saj, mungesa e përfshirjes së obligimit për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë ato politike, e ka bërë Rezolutën të paplotë.

“Drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Deputetët e LDK-së kishin kërkuar që Rezoluta të përfshinte qartë obligimin institucional për trajtimin e të gjitha rasteve të pazbardhura, duke e cilësuar këtë si detyrim moral dhe shtetëror. “Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, thekson komunikata.

Sipas partisë, refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e ka lënë dokumentin me mangësi thelbësore, prandaj Grupi Parlamentar i saj nuk ka pranuar të mbështesë një qasje që e konsideron të njëanshme. Në këtë frymë, LDK thekson se qëndrimi i saj është parimor dhe aktiv: “LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë”.

Në përmbyllje, LDK shpreh zotimin se do të vazhdojë të angazhohet për drejtësi të barabartë dhe procese të drejta për të gjithë, duke kërkuar që institucionet të përballen me të vërtetën në tërësi dhe jo në mënyrë selektive.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”, përfundon komunikata.

Kujtojmë, se LDK dje (12.02.2026) nuk ka votuar Rezolutën për Dhomat e Specializuar dhe Zyrën e Prokurorit Special.

Mirëpo, kjo rezolutë kaloi me mbështetjen e 90 deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës

 

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara