Lajmet

​Afganët mund të vendosen në ish-kampin gjerman në Prizren dhe atë francez në Vushtrri

Published

on

Krahas Qendrës së Azilit në Vranidoll dhe Magurë, refugjatët afganë që pritet të vijnë për strehim në Kosovë po pritet që të vendosen edhe tek Parku Inovativ në Prizren dhe tek kampi i KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë. E në bazë të këtyre kapaciteteve po besohet se në Kosovë mund të strehohen deri në 10 mijë civilë afganë për çka po kërkohet mbikëqyrje në aspektin e sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se gatishmëria e shtetit të Kosovës për të bashkëpunuar me shtetin amerikan për të strehuar refugjatët afganë është gjest i mirë në aspektin politik. Por siç shprehet ai, për Kosovën, kjo do të jetë një sfidë e madhe në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë. Ibishi thekson se shteti kosovar ka kapacitet që të strehojë deri në 10 mijë persona.

“Kjo është mirë në aspektin politik dhe vetë ne kem kaluar në atë fazë që kemi qenë të vendosur gati 1 milion banorë, por aspekti tjetër, edhe i vendosjes sipas kapaciteteve, por edhe çështjeve të tjera financiare, ekonomike edhe të sigurisë janë më të kufizuara, paraqesin sfidë për ne. Tash sa është mundësia ka pasur bisedime edhe më herët apo preliminare me lidershipin amerikan dhe besoj që përgatitjet janë bërë të gjithmbarshme edhe pse kjo ka shkuar me një shpejti të paparaparë. Më së shumti 10 mijë duke pasur parasysh se kjo është vala e parë e refugjatëve se ajo mund të plotësohet qoftë me ardhjen e familjarëve të tyre eventualisht edhe përcaktimin e tyre për një destinacion tjetër”, theksoi ai.

Për Nuredin Ibishin institucionet e sigurisë në Kosovës duhet ta ngrisin vigjilencën në aspektin e sigurisë dhe verifikimin e secilit prej refugjatëve që do strehohen tek ne.

“Në këtë fazë ne e kemi prej SHBA-ve një verifikim të sigurisë, aq sa ka mundur të bëhet, që ata janë pjesë e koalicionit qytetar-afgan, por që normal duke pasur parasysh që talibanët i kanë liruar të gjithë ata militantë të Al-Qaeda, Al-Nusra, mbi 5 mijë domethënë ata lehtë mund të infiltrohen në këtë valë të refugjatëve, për këtë arsye duhet të kemi kujdes nga sektori i sigurisë edhe pse ata janë përgatitur shumë mirë për këtë çështje, duhet të jemi të kujdesshëm që ata të verifikohen gjatë qëndrimit këtu dhe që jenë të mbikëqyrur në aspektin e sigurisë”, tha Ibishi.

Ndërsa për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vendi ynë nuk ka kapacitet të strehojë numër të madh të refugjatëve dhe se vështirë do jetë të menaxhohet situata me ta.

Drejtori i KMDLNj-së, Behxhet Shala, për KosovaPress theksoi se Kosova nuk ka mundësi materiale dhe logjistike për të strehuar shumë refugjatë nga Afganistani. Ai e sheh problematik edhe aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut pasi fillimisht këta refugjatë do jenë të mbyllur dhe kjo sipas tij paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa, për Shalën, lënia në liri të tyre mund të paraqet rrezik për sigurinë kosovare.

“Kosova aktualisht nuk ka kapacitete, as materiale, as logjistike që t’i strehojë numër aq të madh të refugjatëve. Nëse në ndërkohë Qeveria e Kosovës lidh partneritet me organizata të mëdha botërore që merren me çështjet e refugjatëve mund të llogarisë që jo shpejt, por në plan më të gjatë, të strehojë numër të caktuar të refugjatëve nga Afganistani. Është normale që ata që janë të rrezikuar në një shtet dhe nëse kërkojnë mbështetje për azil në Kosovë, është procedura e pranimit të tyre, është afati kur u njihet afati i refugjatit apo i azilantit apo i refuzohet. Mendoj se do të jetë problem dhe do të jetë sfidë e madhe për Kosovën për faktin se nëse këta refugjatë i mbajmë mbyllur duket se ata do mbahen në objekte të mbyllura, atëherë menjëherë do akuzohemi si shkelës të të drejtave të njeriut. Nëse në një qasje të pakontrolluar i lironi 3-4 mijë persona atëherë do jetë problem që të menaxhohet situata sepse ne realisht nuk e dimë se a janë të gjithë ata që vijnë vetëm kundërshtarë të talebanëve, apo ndoshta në mesin e tyre ka talebanë të infiltruar dhe të cilët Kosova nuk ka kapacitet t’i mbikëqyr dhe në një plan afatgjatë nëse nuk arrihet një zgjidhje e shpejt do t’i sjellin problem Kosovës sepse nuk e shoh që do të jenë përkohësisht këtu”, theksoi Shala.

Shala thotë se refugjatët afganë që do kërkojnë strehim në shtetin e Kosovës është menduar që të vendosen në ish-kampin e KFOR-it gjerman në Prizren dhe kampin e KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë.

“Nuk ka mundësi të sistemohen 10 mijë persona, ata janë menduar që të strehohen në kampin e KFOR-it gjerman në Prizren, të strehohen në kampin e KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë dhe në ndonjë lokacion tjetër por është problem të sistemohen pa pasur refleksion apo ndikim tek popullata e afërt. Nuk është problem sigurimi i ushqimit e gjërave të tjera sepse këto do i sigurojnë ata që i sjellin këtu, mirëpo është problemi që ata t’i mbajmë nën kontroll”, u shpreh ai.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kosova duhej të ofrohej vullnetarisht për të strehuar disidentët afganë.

Duke kujtuar përvojat e kaluara me riatdhesimin e kosovarëve që kanë qenë në vatrat e luftës, Haradinaj tha se një gjë e tillë nuk do të ishte mundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe se shteti ynë duhet të dijë të investojë në të tilla partneritete.

“Kam bërë një deklarim zyrtar, kam qenë i pari personazh publik që kam kërkuar që Kosova vullnetarisht të ofrohet për të strehuar disidentë, fjala është për lëvizje të caktuar të një populli i cili ka qenë aleat me aleatët tanë, në këtë rast me Amerikën, perëndimin, për të strehuar në Kosovë me kapacitetin e vet. Më vonë ka rezultuar që institucionet e Kosovës dhe të gjithë kanë qenë pro, i mirëpresim pra ata që i kërkojnë ndihmën tonë në këto situata, e unë jam thirrur edhe në faktin se e kam parë personalisht ndihmën e Amerikës që na ka ndihmuar të kthejmë nënat me fëmijë, pasi siç e dini ka nëna e fëmijë shqiptarë që mbahen në kampet e luftës në Siri, ka qenë e pamundur për ne t’i tërheqim pa ndihmën e Amerikës dhe është fat i madh që mund të bashkëpunojmë me Amerikën në këtë rast dhe afganët, ose të tjerët në Afganistan, që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim që t’i rikthejmë, se ju i keni parë porositë, pra Kosova duhet të dijë të investojë në këtë partneritet për sigurinë e vet dhe qytetarëve të vet por edhe me qenë për sigurinë globale”, deklaroi Haradinaj gjatë një konference pasditen e sotme.

KosovaPress ka tentuar të marr një deklarim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Zyra e Kryeministrit, por nuk kanë dashur të flasin, ndërsa dje nga ekzekutivi u shpreh se nga muaji korrik kanë qenë në kontakt me autoritetet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pa asnjë hezitim është pro sjelljes së refugjatëve afganë në Kosovë, si operacion humanitar, nisur nga parimi njerëzor “se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre, për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua më 15 gusht nga vendi për në Taxhikistan dhe qeveria e tij u rrëzua, teksa militantët talebanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul. Talebanët kanë marrë nën kontroll gjysmën e qarqeve të kryeqytetit dhe Pallatin presidencial, teksa misionet diplomatike po shpejtojnë që të evakuojnë personelin e tyre.

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara