Lajmet

​Abazi: Kurti nxori nga loja partitë e vjetra në Shqipëri

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje mbështet tre kandidatë për zgjedhjet e së dielës në Shqipëri. Me tre ulëse të mundshme që synojnë t’i kenë në Kuvend nuk mëtojnë të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, por zëri i problemeve të shqiptarëve. Me një program për të cilin thonë se është krejt tjetër nga partitë e tjera, kërkojnë votën me besimin se në zgjedhjet e ardhshme do të jenë një nga forcat kryesore në vend.

Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani janë tre nga katër kandidatët e pavarur që garojnë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri e që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje. Pikërisht, ky është momenti kur partia e Kurtit në Shqipëri kërkon që luftën politike të zhvendosë në institucione duke kërkuar besimin e qytetarëve në qarkun e Tiranës, Lezhës e Gjirokastrës. Me numër 13, të tre kandidatët kanë një program me 13 pika “për të bërë Shqipërinë e pa bërë” dhe “për të rikthyer besimin dhe shpresën e qytetarit tek vendi”.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, në një intervistë për KosovaPress thotë se qytetarët e kanë vënë re se kandidaturat dhe programi që kanë ofruar është model tjetër nga partitë, siç i quan ai, të vjetra në Tiranë.

Abazi deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë është vatër e korrupsionit, aty ku betohen kryeministrat e ministrat të cilët më pas, siç vijon, i braktisin kauzat e i lënë qytetarët në rrugë. Nga foltorja e Parlamentit, ai thotë se do të jenë zëri i halleve të qytetarëve dhe do të parandalojnë gjithçka e keqe vjen nga politika për vendin.

“Do të thoja që qytetarët vërejnë tek kandidaturat e Lëvizjes Vetëvendosje, te programi që ne kemi paraqitur tashmë një model krejt tjetër nga partitë e vjetra në Republikën e Shqipërisë. Është e qartë që problemi lidhur me korrupsionin dhe kapjen e shtetit në Republikën e Shqipërisë ia nis nga Kuvendi. Aty votohen ministrat, aty votohen kryeministrat që më pas vendosin klientelën e tyre të korruptuar brenda administratës publike, rrjedhimisht ne aty synojmë ta çojmë luftën tonë politike, por jo vetëm për të ndalur korrupsionin në administratë, por edhe për të ndaluar këto ligjet speciale që gjithnjë e më shumë po i përqendrojnë pasurinë kombëtare shqiptare në gjithnjë e më pak duar, duke iu referuar kështu një pabarazi të theksuar e varfëri e mjerim të cilin e kemi parë nga afër edhe në këtë fushatë sepse kemi qenë lagje më lagje, fshat më fshat në të tre qarqet dhe kemi vënë re se si shumë qytetarë sot nuk e kanë parë me shpresë të ardhmen ngaqë janë lënë në këtë gjendje të mjeruar”, deklaroi Abazi.

Programi i Abazit flet për një angazhim për shëndetësi publike cilësore dhe falas, për dalje nga kriza duke forcuar prodhimin dhe teknologjinë, për arsim publik cilësor dhe falas, për barazi gjinore në sferën publike, në punë e institucione dhe për kujdesen ndaj mjedisit dhe pasurive natyrore kombëtare.

“Ne propozojmë një tjetër model ekonomik atë të bazuar mbi prodhimin për të rritur punësimin dhe për të rritur arkën e shtetit dhe për t’i shfrytëzuar këto para për shpenzime shëndetësore dhe arsimin që janë dy nga sektorët më të goditur në Republikën e Shqipërisë që i pamë së fundmi me pandeminë ku kanë vdekur me dhjetëra doktorë e infermierë sepse jashtë dy spitaleve Covid ata nuk kanë pasur as mjetet bazike të mbrojtjes, ashtu që s’ka arritur ky shtet e ky pushtet as të mbrojë ata që duhet të na mbrojnë ne jetën. Kjo situatë është e papranueshme, prandaj ne po futemi pikërisht aty ku buron problemi, në Kuvend, për të dhënë një shembull krejt tjetër nga shitblerja e deputetëve që kemi parë deri më tani të partive të mëdhaja”, vijoi Abazi.

Sipas një përllogaritjeje Abazit i duhen rreth 16 mijë vota për të fituar mandatin e deputetit, vota këto që duhet t’i sigurojë në qarkun ku po garon, atë të Tiranës, ku përfshihen bashkitë Tiranë, Kamëz, Kavajë, Vorë e Rrogozhinë.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së LVV në Shqipëri thotë se “të gjitha shenjat janë që do të jemi deputetë në legjislaturën e ardhshme” ndërsa fton të gjithë kosovarët me shtetësi shqiptare që të dielën të votojnë për ta.

Abazi, Shehu e Merxhani janë mbështetur në vazhdimësi edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilën pati edhe reagime të shumta.

Megjithatë, Abazi thotë se të njëjtat zëra nuk duhen të merren seriozisht. Ndërsa kujton liderët e tjerë kosovarë që janë përfshirë në fushata në Shqipëri, shpreh habinë se si nuk pati reagime kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dolën në mbështetjeje të Edi Ramës. Sipas tij, frika është se Lëvizja Vetëvendosje po fiton terren në Shqipëri dhe modeli që përfaqëson Albin Kurti i nxjerr nga loja partitë e tjera.

“Nuk është për t’i marrë seriozisht (reagimet kundër Kurtit), vijnë kryesisht nga njerëz të pushtetit se kanë frikë se Lëvizja Vetëvendosje po fiton terren në Republikën e Shqipërisë. As ata që i thonë nuk i besojnë këto. Kini parasysh se këtu ka qenë presidenti Rugova në fushatë drejtpërdrejt në tribunë gjatë viteve ’90-të. Ramush Haradinaj gjatë viteve 2000 ka lidhur dhe marrëveshje për zgjedhje, për më tepër nuk shqetësohen këto zëra për faktin se Zaevi mbështet publikisht një kandidat në listën e PS, nuk shqetësohen këto zëra se Vuçiqi mbështet publikisht një subjekt politik dhe në këtë rast Edi Ramën në Shqipëri”, u shpreh ai.

Abazi thotë se nuk e kanë synim që të hyjnë në koalicion qeverisës me asnjë nga partitë e tjera, porse për çdo bashkëpunim të mundshëm do të vendoset brenda Lëvizjes. Sipas tij, qasja do të jetë programore. Ai shton se në zgjedhjet e ardhshme do të kenë listë të plotë dhe platformë qeverisëse për të gjithë Republikën e Shqipërisë.

“Ne kemi 13 pika programore nëse ata dëshirojnë mbështetjen tonë është mirë të na tregojnë cilat prej këtyre pikave do t’i mbështesim por ne do ta bëjmë të qartë nuk kemi asnjë synim të hyjmë në një koalicion qeverisës, nuk kemi synim të marrim ndonjë ministri e të punësojmë militantë, ne jemi duke ngritur një lëvizje e cila në zgjedhjet e radhës do të jetë me lisat të plota dhe platformë qeverisëse për të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe mendojmë se do të bënim gabim të madh të ndërmerrnim këtë hap pasi të kemi fituar e të jemi në Kuvend. Është e rëndësishme që nga pozicioni i opozitës në Kuvend të Shqipërisë ne të shërbejmë edhe si shkop në rrota për të ndaluar rrokullisjen teposhtë që ka nisur Republika e Shqipërisë drejt humnerës me këtë pabarazi të madhe dhe autoritarizëm dhe elemente të shtetit policor që i kemi parë edhe gjatë muajve dhe viteve të fundit në Republikën e Shqipërisë”, tha ai.

Shtrirja e Lëvizjes me pushtetin në Kosovë dhe deputetët në Shqipëri, sipas Abazit, garantojnë se bashkëpunimi mes dy vendeve për interesat kombëtare do të jetë jo vetëm i sigurt por edhe më i lehtë. Sipas tij, Kosova nuk është politikë e jashtme e Shqipërisë. Ai shton se një nga veprimet më te thjeshta që do të bënin do të ishte nxjerrja e një raporti se çfarë ka ndodhur me 140 marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve pasi nuk mund të ecet përpara pa u kuptuar se ku kanë ngecur ato. Po ashtu, ai përmend bashkëpunimin e ngushtë në çdo sektor deri në referendumin për bashkim.

“Një nga gjërat më të thjeshta që mund të bëjmë është të kuptojmë se çfarë ka ndodhur me 140 marrëveshjet që janë nënshkruar prej vitit 2006 mes Shqipërisë dhe Kosovës pse nuk janë bërë transparente, ku kanë ngecur, pse nuk ka një raport, si ta kuptojmë pa e bërë publike se si mund ta përmirësojmë situatën dhe të mos mbetemi vetëm te këto 140 marrëveshje por të fillojmë e të nënshkruajmë marrëveshje të tjera, për të vajtur te bashkëpunimi i ngushtë në çdo sektor që kryen integrimin kombëtar krahas integrimit evropian por me synimin e qartë që si integrim kombëtar ky proces të finalizohet me një demokraci të drejtpërdrejt dhe me një referendum për bashkim”, përfundoi Abazi.

Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani, të tre kandidatët për deputetë të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje në qarqet Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër, mbajnë numrin 13 në fletëvotim.

Lajmet

Termokos njofton konsumatorët: Për shkak të rënies së Bllokut 1, furnizimi me ngrohje me kapacitet të kufizuar

Published

on

By

NP “Termokos” SH.A. njofton konsumatorët se, për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B, furnizimi me energji termike, aktualisht, po realizohet me kapacitet të kufizuar.

Kjo situatë ka ndikuar në uljen e cilësisë ngrohjes për disa objekte banesore në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”.

Por, sipas paralajmërimeve nga KEK-u, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë furnizimin me energji termike me kapacitet maksimal, përkatësisht përmirësimin e plotë të furnizimit me ngrohje.

“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje, NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Orav: Zgjedhjet treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

Published

on

By

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e vitit të parë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT trajnohen në QuickBooks nga ekspert i fushës

Published

on

By

Studentët e vitit të parë, në kuadër të lëndës Hyrje në Kontabilitetin Financiar në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, nën udhëheqjen e profesorit Mic Ukaj realizuan një ligjëratë praktike mbi aplikimin e softuerëve të kontabilitetit, me ligjërues mysafir Taulant Murati, kontabilist i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, financave dhe auditimit.

Përmes softuerit Quickbooks, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të përdorimit të softuerëve te kontabilitetit, duke filluar nga krijimi i politikave kontabël, regjistrimi i klientëve dhe furnitorëve, evidentimi i blerjeve dhe shitjeve, e deri te reflektimi i këtyre transaksioneve në pasqyrat financiare. Ligjërata u karakterizua nga një qasje shumë interaktive, me përfshirje aktive të studentëve në përdorimin praktik të softuerit.

UBT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e misionit të saj për të ndërthurur dijen teorike me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për të zhvilluar kompetenca profesionale që përputhen me kërkesat e tregut të punës.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Prof. Dr. Kujtim Thaçi, ka publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare shumë prestigjioze Frontiers in Immunology, e cila renditet në Q1, me Impact Factor 5.9 dhe CiteScore 10.6, si dhe është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.

Artikulli është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Imunologji dhe Sëmundje Inflamatore të Spitalit të Massachusettsit dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Ky bashkëpunim shënon herën e parë të një bashkëpunimi shkencor ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit dhe UBT-së, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe komunitetin akademik në Kosovë.

Në këtë artikull shkencor, autorët theksojnë se funksioni i IgE-së dhe efekti i saj sinjalizues përmes receptorëve FcεR shtrihet përtej sëmundjeve klasike atopike, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në shumë mjedise inflamatore jo-atopike dhe në sëmundjet e ndërmjetësuara nga imuniteti. Një fokus i veçantë i studimit është ndryshimi i glikozilimit në vende specifike të molekulës së IgE-së, ndryshime që mund të ndihmojnë në karakterizimin molekular të sëmundjeve, në stratifikimin e pacientëve dhe në identifikimin e mundësive të reja terapeutike.

Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë, pasi shumë strategji imunomoduluese dështojnë për shkak se pacientët, pavarësisht dallimeve molekulare, trajtohen si një grup homogjen. Zgjerimi i kuptimit të biologjisë së IgE-së përtej atopisë kontribuon në riformulimin e konceptit të sëmundjeve inflamatore dhe hap rrugë për ndërhyrje klinike më të targetuara dhe më efektive.

Artikulli i plotë mund të lexohet në linkun zyrtar të revistës Frontiers in Immunology.

Continue Reading

Të kërkuara