Lajmet

​A është i nevojshëm rinumërimi i plotë? Monitoruesit të ndarë, KQZ pret Supremen

Published

on

Së fundmi janë shtuar zërat se duhet të ketë një rinumërim të plotë të votave pasi dyshimeve që ka pasur manipulime, kryesisht brenda partive, ku një kandidat i ka marrë një tjetri vota duke e dëmtuar dhe duke e lënë jashtë Kuvendit. Kjo do të shtynte afatin e certifikimit e rrjedhimisht edhe të formimit të institucioneve të reja. Në zgjedhjet e 2019-ës rreth 90% të vendvotimeve u rinumëruan dhe kjo bëri që procesi nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të përmbyllet brenda 53 ditëve.

Monitoruesit e procesit zgjedhor kanë shfaqur qëndrime të ndryshme rreth vonesave që mund të shfaqen në certifikimin e rezultateve të 14 shkurtit. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi nuk e shohin të mundshme që Gjykata Supreme të vendosë për rinumërim total të votave, ndërsa në organizatën “Çohu” thonë se një gjë e tillë është e nevojshme, pavarësisht sekuencave që mund të krijohen në vonesat e konstituimit të institucioneve. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme për të marrë veprimet e radhës.

Yll Zekaj nga IKD thotë për KosovaPress se nuk presin të ketë zvarritje të certifikimit të zgjedhjeve, pasi sipas tij, Supremja mund të adresojë rinumërim vetëm në vendvotime të caktuara.

“Nga e gjithë kjo nuk presim që të ketë shumë zvarritje të (certifikimit) të këtyre zgjedhjeve. Edhe këto zgjedhje hyjnë në afatin optimal të certifikimit sikur në vitet e kaluara. Presim shumë shpejt që të bëhet certifikimi i zgjedhjeve që të shkojmë në fazën e dytë të konstiuimit të institucioneve të Kosovës. Në Gjykatën Supreme nuk e shohim këtë rrezik që të dërgohet vendi në një rinumërim të tërësishëm. Më shumë besojmë se do të jetë një adresim i ankesave individuale të kandidatëve rreth vendvotimeve ku pretentendohet se të njëjtëve i është devijuar rezultati dhe përkatësisht janë dëmtuar në favor të kandidatëve të tjerë”, thotë ai.

Për dallim prej tij, drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Çohu, Arton Demhasaj e sheh të nevojshme rinumërimin e gjithë votave të kandidatëve për deputetë. Ai e pranon se një gjë e tillë do ta vononte procesin, por do ta kthente ligjshmërinë.

“Nëse ka me pas vendim nga Gjykata Supreme për të shkuar komplet në rinumërim, kjo mund të vonojë procesin. Pasi po flasim për rreth 900 mijë vota për të cilat duhet kohë. Numërimi i disa vendvotimeve nuk mundet të vonojë shumë. E vonon, po jo shumë. Por nëse vendoset të rinumërohen të gjitha, për të cilat mendoj se është e nevojshme në bazë të atyre që u panë (dyshime për manipulim votash brenda partive), është krijuar një perceptim se ka mashtrime në procesin e numërimit të votave, sidomos brenda listave të partive për kandidatë. Është krijuar një përshtypjes se nëse shkon në rinumërim mund të ketë krejt lista tjera të partive politike për deputetë. Po vërehet se ka pas mashtrime aty dhe marrje të votave nga një kandidat tek tjetri. Prandaj mendoj që është e domosdoshme (rinumërimi i plotë) nëse ka prova të mjaftueshme”, deklaron ai.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se janë në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme dhe më pastaj të marrin hapat ardhshme bazë së njëjtës.

“Për të certifikuar rezultatin përfundimtar të procesit zgjedhor, KQZ është në fazën që duhet të zbatojë vendimet që dalin nga PZAP dhe Gjykata Supreme. Nga këto dy institucione kandidatët që janë të pakënaqur me rezultatin përfundimtar të KQZ-së mund të parashtrojnë ankesat e tyre. Natyrisht që KQZ-ja zbaton vendimet e këtyre institucioneve. Në zbatimin e këtyre vendimeve, KQZ-ja procedon tutje për të certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe për të përmbyllur procesin zgjedhor”, tha Elezi.

Në fundin e kësaj jave bëhen një muaj prej ditës së zgjedhjeve parlamentare më Kosovë. Ani pse janë shpallur rezultatet përfundimtare nga KQZ, të njëjtat ende nuk janë certifikuar për t’i hap rrugë konstituimit të institucioneve.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 2014 dhe 2017, kanë marrë pothuajse të njëjtën kohë për t’u përmbyllur. Nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultateve, KQZ-së i janë dashur 27 ditë më 2014 dhe 28 ditë më 2017. Numri i vendvotimeve të rinumëruara ka qenë 21% – 22% e vendvotimeve.

Ndërsa, zgjedhjet e vitit 2019, nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim janë përmbyllur brenda 53 ditëve. Më 2019 procesi ka zgjatur më shumë edhe për shkak të numrit të madh të vendvotimeve të rinumëruara, rreth 90% e tyre apo 2 254 nga 2 547 vendvotime.

Lajmet

U kap në Aeroportin e Prishtinës me pasaportë të falsifikuar, arrestohet shtetasi turk

Published

on

By

Një shtetas i Turqisë është arrestuar të martën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi ka tentuar të udhëtojë me dokumente të falsifikuara.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 09:40, kur i dyshuari ka prezantuar dokumentin e udhëtimit që dyshohet se ishte i falsifikuar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në rajonin e Prishtinës dhe Pejës

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar katër raste të dhunës në familje, të cilat janë regjistruar në rajonin e Prishtinës dhe atë të Pejës.

Në njërin prej rasteve në Prishtinë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua. Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Edhe në rastin e dytë në kryeqytet, një person është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se ka sulmuar një grua. Rasti është denoncuar nga vetë viktima, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Graçanicë është arrestuar një i dyshuar tjetër, i cili në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Rasti i fundit është regjistruar në Pejë, ku i dyshuari, përveç se ka ushtruar dhunë në familje, ka kanosur viktimën (grua) si dhe ka dëmtuar një derë dhe një dritare të shtëpisë së saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Princi William bën thirrje për veprim më të madh kundër ndryshimeve klimatike

Published

on

Prince William ka marrë pjesë në një aktivitet në Londër kushtuar luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së mjedisit, ku theksoi rëndësinë e veprimit për të “riparuar” planetin.

Ngjarja u mbajt në Guildhall të Londrës, ndërsa Princi William mbërriti me autobus elektrik, duke përcjellë një mesazh për transport më të qëndrueshëm dhe uljen e emetimeve.

Duke folur para të pranishmëve, përfshirë kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, ai vlerësoi ndikimin e iniciativës Earthshot Prize, duke thënë se zgjidhjet inovative për sfidat mjedisore e bëjnë më optimist se kurrë për të ardhmen.

Sipas tij, projektet e mbështetura nga Earthshot Prize kanë kontribuar në uljen e emetimeve me 18 milionë tonë, ekuivalente me largimin e rreth katër milionë veturave nga rrugët, si dhe në mbrojtjen dhe restaurimin e 85 milionë hektarëve tokë, pyje dhe lumenj.

Princi William tha se brezat e ardhshëm do të gjykojnë veprimet e sotme ndaj krizës klimatike, duke theksuar se sfida mbetet e madhe, por se ekzistojnë zgjidhje konkrete për ta përballuar atë.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Javës së Veprimit për Klimën në Londër dhe mblodhi figura të njohura nga fusha e politikës, mjedisit dhe shoqërisë civile.

Burimi: BBC

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Krisje në LDK: Tri degë kryesore kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut, kryetari përgjigjet me kërkesë për dorëheqjen e Muhaxherit e Ahmetit

Published

on

By

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës u radhit sërish e treta me 16.69% të votave, ka ndezur një luftë të fortë të brendshme politike.

Tri nga degët më të fuqishme të partisë kanë nisur një mori kritikash, duke kërkuar zyrtarisht largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, gjë që ka provokuar një kundërpërgjigje të ashpër nga ky i fundit, i cili po e cilëson këtë lëvizje si sabotim të brendshëm.

Kryesitë e degëve në Pejë, Lipjan dhe Prishtinë rreshtohen kundër kryetarit

Dega e LDK-së në Pejë ka njoftuar e para se pas mbledhjes së kryesisë ka vendosur me shumicë votash që t’i kërkojë lidershipit të partisë, konkretisht kryetarit Lumir Abdixhiku, dorëheqjen si një akt moral dhe politik. Përmes një komunikate në Facebook, kjo degë ka vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor duhet të bartet direkt nga udhëheqja qendrore.

Një hap të njëjtë ka ndjekur edhe kryesia e degës në Lipjan, e cila pas një analize të detajuar të secilës qendër votimi, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit si standard të përgjegjësisë politike dhe si reflektim ndaj mesazhit të qytetarëve. Këtë kërkesë e ka shpërndarë publikisht edhe deputeti i zgjedhur Arben Gashi.

Ndërkohë, valës së pakënaqësive i është bashkuar edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e cila ka deklaruar se partia po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj dhe po rrëshqet drejt margjinalizimit politik. Kjo degë ka theksuar se megjithëse e falënderon Abdixhikun për angazhimin, adresa e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë, prandaj ai duhet të japë dorëheqje për t’u hapur rrugë ndryshimeve të domosdoshme.

Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili kërkon unitet dhe debat të brendshëm

Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka bërë thirrje të hapur për unitet të sinqertë dhe të përgjegjshëm. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ajo ka thënë se LDK-ja nuk është pronë e askujt dhe se shtëpia politike nuk rrënohet kur ka nevojë për riparim, por forcohet.

Kica-Xhelili ka potencuar se rezultati kërkon reflektim që duhet t’i bashkojë e jo t’i copëtojë anëtarët, duke kujtuar se Abdixhiku mori votëbesimin e delegatëve në Kuvendin e partisë në janar. Ajo ka kërkuar që debati të zhvillohet brenda strukturave dhe partia të ruhet nga përçarjet dhe kalkulimet e ngushta në një moment kur vendi gjendet në krizë.

Lumir Abdixhiku kundërsulmon dhe kërkon dorëheqjen e Muhaxherit dhe Ahmetit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u është përgjigjur menjëherë kërkesave të degëve, duke e kthyer gishtin e përgjegjësisë nga krerët lokalë. Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja ka performuar më së dobëti pikërisht në Pejë dhe Lipjan, dy komuna ku partia qeveris në nivel lokal, dhe se rrezimi në pozicionin e tretë në këto zona tregon një dozë të sabotimit të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.

Ai ka theksuar se çështjen e dorëheqjes së tij e ka zgjidhur në Kuvendin e janarit dhe ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme morale të kryetarit të degës në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe atij në Lipjan, Imri Ahmeti. Abdixhiku i ka quajtur këto kërkesa të koordinuara dhe ka shprehur keqardhje që dëmtimi nga brenda mbetet qëllim, duke e mbyllur reagimin me pyetjen e ashpër: “Si nuk u ngopën kurrë?!”.

Kryetari i partisë fton anëtarësinë për durim dhe njofton mbështetje të gjerë

Në një reagim të dytë radhazi, Lumir Abdixhiku i ka bërë thirrje anëtarësisë së shqetësuar të LDK-së për durim dhe maturi. Ai ka shkruar se ka momente kur padrejtësia duket më e madhe se mundi, por pikërisht këto momente e provojnë karakterin që do t’i tejkalojë llogaritë e vogla.

Në përmbyllje, Abdixhiku ka falënderuar publikisht një numër të madh të kryetarëve të degëve, nëndegëve dhe veprimtarëve që i kanë ofruar mbështetje të fuqishme private dhe publike, duke sinjalizuar se udhëheqja qendrore nuk e ka ndërmend të tërhiqet përballë këtij rebelimi të degëve. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara